Historia e Haki Dibrës është një nga mijëra historitë e të burgosurve politikë të Shqipërisë që mund të mbetej e patreguar. Dënimi i tij nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme për diktaturën, por, nga ana tjetër, shenjon jo vetëm jetën e tij, por edhe të fëmijëve që do të lindnin pasi ai u lirua nga burgu. Sot, në ditën kur Haki Dibra do të mbushte 99 vjeç, kujto.al e sjell këtë histori, mbështetur në kujtimet e vajzës së tij të vogël, Ermira Dibrës
Ermira Dibra ishte një nga të pranishmet në sallën e Universitetit të Shkodrës, ku më 11 prill u promovua libri i autorit italian, Giovanni Verga për diktatorin shqiptar dhe diktaturën që e mbajti Shqipërinë të izoluar për rreth 45 vjet. Ndërsa në monitor po shfaqeshin foto dhe shifra nga krimi komunist në vend, Emira nuk mundi t’i përmbante lotët.
“Ne jemi të shenjuar. Gjithmonë kemi këtë vuajtjen që na zgjohet, siç ndodhi dhe përballë atyre pamjeve”, thotë ajo më pas për kujto.al. Ermira është vajza e vogël e Haki Dibrës, një prej ish-të burgosurve të shumtë politikë të Shkodrës, qytet që ka pasur rreth 2900 të tillë.
Haki Dibra i lindur në Shkodër më 5 maj 1926, është ndarë nga jeta 20 vjet më parë në vitin 2005. Megjithatë ato pak kujtime që ai ka ndarë me fëmijët për periudhën e vuajtjes së dënimit, kanë shenjuar kujtesën e Ermirës. Jo vetëm ato, por edhe përjetimet e tyre personale gjatë diktaturës, si fëmijë të një ish-të dënuari, kanë lënë gjurmë. Më të rënda këto përjetime kanë qenë për vëllain e Ermirës, djalin e vetëm të Hakiut, i cili në vitet ‘82-‘84, e kreu ushtrinë në reparte pune ku të rinjtë që vinin nga familje të përndjekura, trajtoheshin si të dënuar, duke iu nënshtruar punës së rëndë dhe trajtimit çnjerëzor.
Dënimi i Haki Dibrës
Nga të dhënat e kujto.al, mbështetur në burimet zyrtare, mësohet se Haki Dibra u dënua fillimisht me 8 muaj burg, më pas u arrestua sërish dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Arrestimet dhe vendimet e gjykatave i përkasin periudhës 1947-1949. Ai ishte akuzuar për “krime kundër shtetit”. Gjatë regjimit komunist, “krime kundër shtetit” quheshin disa shkelje, ndër të cilat edhe “tradhtia ndaj atdheut” siç konsiderohej arratisja. Siç tregon e bija, ishte pikërisht ky “krimi” i Haki Dibrës. “Babai ishte një i ri që kishte dëshirë të emigronte, kërkonte një të ardhme më të mirë, edhe u dënua me burg politik në atë moshë aq të re”, thotë ajo. Veprimet e tij nuk kishin asnjë qëllim politik. Ai madje në moshën 16-vjeçare kishte qenë partizan, ndërsa vëllai i tij, Mehmet Dibra, i kishte shpëtuar për mrekulli ekzekutimit në kampin nazist të Prishtinës, por me vendosjen e regjimit komunist, Hakiu kuptoi se nuk mund të jetonte nën atë regjim. Ai tentoi të arratisej, por nuk pati sukses. Pas arrestimit, për të do të nisnin torturat çnjerëzore.
Ermira thotë se gjatë diktaturës i ati nuk fliste rreth dënimit, por pas ndryshimit të regjimeve, i shtyrë nga interesimi i fëmijëve, ai u ka treguar disa ndodhi nga ajo periudhë. Atë e mbajtën 8 muaj në paraburgim në Shkodër. Gjatë hetuesisë është torturuar mizorisht. “I çonin në ora 2.00-3.00 të natës, i nxirrnin jashtë në borë, për t’i marrë në pyetje. I kanë dëmtuar nga ana psikologjike. “Nuk kishim kurrë të fjetur”, thoshte. I rrihnin njerëzit dhe njëri nga këta të Sigurimit, që ishin nga Kukësi, i binte çiftelisë që mos të dëgjohej ulërima. Ose i varnin nga këmbët me kokë poshtë dhe ua linin ushqimin në shesh për ta ngrënë, siç ishin të varur”.
Ermira nuk është e sigurt për vendet e tjera ku i ati mund të ketë vuajtur dënimin. Ajo përmend burgun e Tiranës, por di, nga goja e tij, se ka qenë bashkëvuajtës me Sami Repishtin. Intelektuali i njohur, Sami Repishti ka vuajtur dënimin politik në vitet 1946-1956, në burgun e Shkodrës, në kampet e punës së Vloçishtit dhe Orman-Pojanit në Korçë dhe atë të Bedenit në Kavajë, për t’u kthyer sërish në burgun e Shkodrës. Katër vjet pas lirimit, Sami Repishti mundi të arratisej për t’u vendosur përfundimisht në SHBA, ku ushtroi aktivitetin e tij dhe ku u nda nga jeta në nëntor 1944, në moshën 99-vjeçare. Edhe miq të tjerë të Haki Dibrës, të cilët ai i ka përmendur shpesh në biseda familjare, mundën të realizonin ëndrrën për liri duke u arratisur, siç ishte Nderim Kupi, nipi i Abaz Kupit, që u vendos po në SHBA dhe Ndoc Markazekaj, që jetoi në Australi. Madje edhe miku me të cilin Hakiu tentoi të arratisej, arriti ta realizonte qëllimin e tij dhe u vendos në Kanada. “Babai e ka ndihmuar mikun e tij Gani Mani (Ymeri) të kalojë para dhe babain e kanë kapur mbrapa. Miku i babait shkoi në Jugosllavi dhe më pas u largua për në Toronto, Kanada”. Vite më vonë, ai do i dërgonte një letër Hakiut, e cila dhe pse nuk mbante emrin e shokut të vet, Hakiu e njohu vetëm nga shkrimi. Hakiun e thirrën në polici për atë letër. Ishte e qartë që nuk mund të kishte komunikim me miqtë e tij, tashmë jashtë kufirit, por Ermira thotë se ata e kanë përmendur Haki Dibrën disa herë te "Zëri i Amerikës". Gani Mani nuk e harroi kurrë mikun e mbetur në Shqipëri. Pas rënies së diktaturës, ai u shkoi për vizitë në shtëpi.
Ndërkohë Hakiu, gjithçka bëri pasi doli nga burgu, ishte t’i përkushtohej familjes. Ai nuk tentoi më të arratisej nga frika se do i internonin prindërit. U martua dhe i lindën katër fëmijë: Pranvera, Besniku, Pertefja dhe Ermira. Hakiut i propozuan një punë në shtet, por nuk pranoi bashkëpunimin me Sigurimin që nënkuptonte kjo ofertë. Punoi gjithë jetën si gomist duke qenë një njeri i respektuar dhe duke siguruar jetesën për familjen, me punën e tij.
Vazhdimi i përndjekjes te fëmijët
Pavarësisht përkushtimit dhe dashurisë prindërore që do u dhuronte një fëmijëri të lumtur, fëmijët e Haki Dibrës nuk i shpëtuan përndjekjes nga regjimi. Fakti që babai i tyre kishte qenë i dënuar politik ndikoi jetën e tyre sa herë jepej rasti dhe rasti më domethënës ishte kur djali i Hakiut, Besnik Dibra u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, në vitet 1982-’84. “Nuk ka qenë ushtri normale. Jo vetëm për vëllanë tim, por për gjithë fëmijët e të përndjekurve. Ata i kanë trajtuar jo si ushtarë, por si të burgosur. Kanë qenë fillimisht në repart xhenio në Tiranë, pastaj i kanë çuar në Batër të Martaneshit. Atje i kanë çuar në maj të malit, ka qenë repart punimesh, një fortifikim malor, ngjiteshin me elemente në shpinë. Dhe nëse nuk do ta bënin normën, nuk mund të ktheheshin në kapanon, sepse o do të kishin rrahje, torturim, ose do t’i fusnin në burg. Kishte shumë që nuk ishin të zotë të bënin punën e rëndë dhe i dënuan me burg. Shkonin ushtar dhe nuk ktheheshin për 8-9 vjet. Dhe të mendosh që ishin vetëm 18-vjeçarë. Ka qenë një traumë shumë e rëndë për këta të rinj që sapo kishin dalë në jetë”, thotë Ermira bazuar në atë që i ka treguar i vëllai, fëmija i dytë i familjes, që sot është 64 vjeç. Gjatë atyre dy viteve, atij nuk i dhanë asnjë herë leje dhe i vetmi takim ishte me të atin, të cilit iu desh të përballonte një udhëtim shumë të vështirë për të parë të birin dhe për t’u kthyer i pikëlluar për mënyrën si po e trajtonin.
Edhe vajzat nga ana e tyre, patën privime për sa i përket shkollimit apo punësimit. Vetë Ermira tregon se ishte nxënëse e shkëlqyer dhe dëshironte të vazhdonte shkollën e mesme për anglisht, por nuk mundi. “Më doli bursa pasi mbarova klasën e tetë, por e mori tjetër kush”, thotë ajo. Sot, ajo jeton në Itali, si dhe fëmijët e tjerë të Haki Dibrës dhe nipërit e mbesat e tij që janë shpërndarë në të gjithë botën. Megjithatë, Ermira ndjen një shtysë të fortë për të mos e lënë të harrohet historinë e vuajtjeve të babait të saj dhe gjithë të përndjekurve politikë. Ndaj dhe nuk e humbi këtë mundësi që u paraqit në Shkodër prillin e kaluar për të treguar aq sa dinte nga kjo histori dhe nuk e quan të përfunduar këtë mision.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
