Vrasja pa gjyq e tre gjermanëve më 16 nëntor 1946

0
375
blank

Kleriku gjerman nga Këlni i Gjermanisë, ardhur në Shqipëri në vitin 1936, shërbeu në Mirditë dhe në Jubë të Durrësit. U arrestua më 3.2.1946. U akuzua si “nazist” madje, iu thanë lidhje me njerëz që nuk i kishte parë kurrë në jetën e tij. Arrestimi ishte i çuditshëm. Po udhëtonte me karrocë, kur është ndeshur me partizanët e batalionit të 3-të të Brigadës së 1-rë të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Te vendi i quajtur Ura e Dajlanit në Durrës, partizanët i kërkuan të hipnin në karrocë. Gjatë rrugës ata e provokuan disa herë duke i bërë pyetje që nuk lidheshin me detyrën e tij. Në hetuesinë e zhvilluar më 8.2.1945 nga komandanti Zija Kambo e komisari Mihallaq Ziçishti, të dy të Brigadës së 1-rë të Mbrojtjes së Popullit, kleriku deklaroi:

“Rrugës më pyetën se si është Hitleri. Unë iu thashë se kur fle është i mirë, me qëllim që të mos iu përgjigjesha. Pastaj i pyeta unë: Po Çurçilli si është, i mirë apo i keq: partizania m’u përgjigj: Çurçilli nuk është i mirë, por Stalini është i mirë. Unë i thashë që edhe Stalini nuk është i mirë nga çdo pikëpamje, pse s’ka njeri pa të meta dhe të mos gabojë. Më vonë i kam pyetur se si shkonte lufta. Ata më thanë që ushtria e kuqe është 70 kilometra larg Berlinit. Unë u çudita pasi mua më mungojnë radioja dhe fletoret. Më pyetën në dija sllavisht. Unë u thashë që nuk dija. Atëherë ata biseduan sllavisht, si duket për arrestimin tim. Kur zbrita prej karrocës dhe pasi e pagova atë, në çastin kur do ndaheshim, partizania thirri një shok dhe foli tinëz me të. Mua nuk më lanë të shkoja në kishë për ku isha nisur, por më morën me vete. Më 3.2.1945 më arrestuan, më 6 më morën në proces dhe më 7 të këtij muaji më dërguan këtu në Tiranë”. Duke qenë se nuk mund ta akuzonin dot për asgjë, e dënuan me 2 vjet burgim. Por për të mos ta lënë të jetonte inskenuan një vrasje së bashku me dy gjermanë të tjerë, sikur gjoja tentoi të arratisej. Më 17.11.1946 shefi i nënseksionit të brendshëm të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, kapiten II Kapo Kapaj, i raportonte shtabit të divizionit në fjalë, si vijon:

blank

“Në bazë të urdhrit tuaj datë 16.11.1946 mora në dorëzim gjermanët Dom Zef Marksen, Rudolf Waber dhe Jozepf Kutzen, dy të parët nga burgu i kriminelëve të luftës dhe njëri nga burgu ushtarak. Të tre të pandehurit, në bazë të shkresës së sipërme, do të përcilleshin për në Kukës ku prej andej do t’i dorëzoheshin Prizrenit për t’u kthyer në atdheun e tyre, në Gjermani. Për shkak të komunikacionit nuk pati mundësi që nisja të bëhej ditën. Duke dalë 8 kilometra jashtë qytetit, të lartpërmendurit, nga errësira e natës dhe duke përfituar nga mosfunksionimi i mirë i makinës (nuk tërhiqte), në një të përpjetë, shtynë rojet dhe u hodhën nga makina në orën 20.18. Unë që isha shoqëruesi i tyre, jap urdhër që të qëllohej kundra tyre për t’i ndalur dhe t’i kapnin të gjallë, por duke parë se u larguan më tepër se 200 metra larg xhadesë dhe pse errësira e natës ishte e madhe, dhashë urdhër të shtihej drejt tyre për t’i vrarë. Kështu që 250 metro larg xhadesë të tre Gjermanët mbetën të vrarë, dy nga e djathta e xhadesë, dhe Jozeph Kutzin 350 metro në krahun e majtë të xhadesë”.

E dhëna doli nga procesi i Koçi Xoxes, por askush nga vrasësit nuk u procedua.

Në foton kryesore: Prifti gjerman Zef Marksen

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here