Vaji i qenit mbi çizmet bosh të babës

0
1548
blank

Gjergj Nikollë Sokolin e thirrën në një mbledhje dhe e pushkatuan me pretekstin se nuk kishte dorëzuar armët e se kishte të bënte me kryengritjen e Postribës. E varrosën me një grusht dhe, ndërsa çizmet e gjahut ia lanë jashtë. I vëllai, nën presione të vazhdueshme, u detyrua të arratisej. Më vonë, e ekzekutuan edhe atë. Ndërsa familja e mbetur vetëm me gra dhe fëmijë vuajti shpërnguljen, plaçkitjen, varfërinë, ndërsa nuk lejohej as t’i vajtonte burrat e saj

 

Fushata e mbledhjes së armëve në vitin 1946, u kthye edhe në një fushatë ekzekutimesh në Veri, me anë të së cilës, komunistët eliminonin armiqtë dhe duke e frikësuar, e detyronin popullsinë e atyre viseve, t’i bindej urdhrit. Sipas relacioneve, ata ekzekutonin malësorë që nuk pranonin të dorëzonin armë, ose që dorëzonin një dhe mbanin të fshehura dy të tjera, duke u treguar atyre që dinin jo vetëm që kishin armë, por edhe numrin e armës. “Kjo mënyrë veprimi futi frikën në katunarët  se këta kanë informata dhe të pushkatojnë në vend”, shkruhet në relacionin që Komiteti Qarkor për Shkodrën i dërgonte Komitetit Qendror, më 31 tetor 1946, ku përmenden edhe disa raste ekzekutimesh, të gjitha ndaj pronarëve apo bajraktarëve. Sesa të sakta ishin informatat e komunistëve, këtë nuk mund ta thotë askush me bindje, por pushkatimet pa kurrfarë gjyqi, janë fakte të sigurta. Një prej këtyre të vrarëve, ndoshta pikërisht ai që në relacion përmendet si “një pronar nga Bregu i Matës”, ishte edhe Gjergj Sokoli. I biri, fare i vogël në ato vite, ka rrëfyer për “Histori me zhurmues” të Pandi Laços në TV Klan, historinë e ekzekutimit të të atit.

Atë e kishin thirrur në një mbledhje në Zejmen, por duke qenë që ishte duke ndihmuar fqinjët në një festë të tyre familjare, dërgoi vëllanë më të vogël, Markun. Organizatorët e mbledhjes nuk e pranuan të riun dhe kërkuan që të vinte Gjergji, i cili edhe shkoi. Atje ishin mbledhur krerët e familjeve të Bregut të Matës. Kur mbërriti, e thirrën dhe i kërkuan llogari, përse nuk i kishte dorëzuar armët. Ai u tha se i kishte dorëzuar dhe kishte nxjerrë nga xhepi shkresat që e vërtetonin këtë. Ishte duke i dhënë duhan një të njohuri të vet nga kutia që mbante me vete, kur i kërkuan të dilte jashtë sallës. E çuan prapa godinës ku zhvillohej mbledhja. Në atë copë vendi, shihte dritarja e një shtëpie, ku banonin të njohur të Gjergj Sokolit, të cilët janë dëshmitarë të fjalëve të fundit që Gjergji 29 vjeç shkëmbeu me ekzekutorët e tij. Ata i kërkuan të kthente shpinën, por ai nuk pranoi. “Burrat kthejnë fytyrën,-tha, jo shpinën”, u tha. Atëherë e qëlluan përballë. Ra në gjunjë e më pas u shtri përdhe. Përhapën në ajër akuzën se kishte pasur të bënte me Jup Kazazin e lëvizjen e Postribës. “Lërini çizmet e tij, t’ia çojnë Jupit”, thanë për Jup Kazazin, që ishte vrarë një muaj më parë. Hapën një gropë të cekët dhe i hodhën vetëm pak dhe sipër, duke i lënë jashtë çizmet. Familjen nuk e lejuan të shkonte. “Për 9 muaj, baba ka qenë me çizme jashtë, buzë ullirit”, ka treguar i biri, Fran Sokoli. Familja mbeti pa baba. Djali më i madh i Gjergjit, Pjetri, ishte vetëm 12 vjeç.

Vetëm pas 9 muajsh, erdhi lajmi që lejohej të shkonte bashkëshortja për ta varrosur, por nuk duhej të derdhte asnjë pikë lot. Gruaja e re shkoi me një mikun e shtëpisë, për të bërë detyrën e vështirë. U munduan t’i bënin një varr me rasa guri dhe ta mbulonin mirë. Ia hoqën edhe çizmet e gjuetarit dhe i sollën në fshat. Familja duhet ta mbante vajin, por qenin e Gjergjit nuk mund ta urdhëronte kush të heshtte. Frani thotë që nuk do e harrojë kurrë ulërimën e qenit që ndjeu erën e të zotit te çizmet që u kthyen në shtëpi, bosh. Trupi i Gjergjit mbeti në Zejmen. Frani ka thënë që kur shkonte me klasën ekskursion, i afrohej e i binte rrotull vendit ku ishte varrosur i ati.

Pas 6 muajsh nga vrasja, thirrën ushtar vëllanë e Gjergjit, Markun. Nuk linin rast pa e provokuar vëllanë e armikut, të cilit në një çast i thanë që duhet të ekzekutonte një prift të dënuar me pushkatim. “Unë nuk pushkatoj njeri, edhe sikur të pushkatohem vetë,-tha Marku,-sepse e kam provuar ç’do të të thotë të të pushkatojnë një njeri”. E liruan nga ushtria dhe e lejuan të kthehej në fshat, por nuk e lanë të qetë. Një ditë, operativi i Sigurimit e pyeti: -Qenke kthyer Mark?-Po, i tha ai, jam lirue. -Shumë shpejt do t’i vëmë kryet te këmbët e tët vëllai,-i tha operativi.blank

Në këto kushte, Marku u detyrua të arratisej. Bashkë me një grup malësorësh, ata shkuan në Bogë e nga andej në Jugosllavi.

Pas arratisjes së Markut, në shtëpi mbetën vetëm gratë dhe fëmijët. U morën çdo plaçkë që kishin. “Edhe xhubletat e nënave i morën”, kujton Frani. Ndërsa ata i ngarkuan në një makinë dhe i çuan në burgun e Lezhës, një shtëpi private që ia kishin marrë pronarit dhe e kishin shndërruar në burg. Qëndruan një muaj aty dhe më pas i kthyen sërish në fshat. U thanë të rrinin në shtëpinë e Marka Preçit deri në një urdhër të dytë dhe pas dy javësh i kthyen në shtëpinë e tyre, ku kishin mbetur vetëm muret. Nga gjithë shtëpia, iu lanë vetëm një dhomë. Pjesën tjetër ua liruan eskavatoristëve që hanin, pinin e këndonin me zë të lartë, deri në mes të natës, ndërsa të zotët e vërtetë të shtëpisë vuanin urie e qanin pa zë për burrat e vrarë e të arratisur të asaj kulle.

Pas dy vitesh, Markun me të tjerë, e ktheu mbrapsht UDB-ja. Forcat shqiptare ishin sinjalizuar dhe iu bënë pritë në afërsi të Lezhës, ku ndodhi edhe një shkëmbim armësh. Të kthyerit, u hodhën në lumë, por pak mbijetuan. Edhe Marku mbeti i vrarë dhe u varros matanë Bunës. Ndërsa vëllai i tij Gjergji, mbeti poshtë ullirit në Zejmen deri sa u shemb komunizmi. Rreth vitit '90, familja vendosi të kërkonte eshtrat, që arriti t’i gjente e t’i vendoste në një vend të denjë, për të gjetur prehjen e mohuar prej 45 vitesh.

Shënim: Të dhënat e këtij shkrimi janë marrë nga intervista e Fran Sokolit për emisionin "Histori me zhurmues", i RTV Klan.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here