Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, nxori urdhrin nr.OY 139/4, datë 9.2.1950 “Mbi rregullin e ekzekutimeve me vdekje”. Urdhri vlente për rastet e vendimeve të formës së prerë të organeve gjyqësore. Sipas këtij urdhri, dënimi jepej:
1-Pasi ishte dhënë vendimi i formës së prerë si dhe nxjerrë dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
2-Pasi të dilte urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme me shkrim.
3-Urdhri përpilohej nga Dega e 7-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit kur kishte karakter politik dhe nga ana policia kur kishte karakter ordiner.
4-Urdhri duhet të përmbante:
a) Gjeneralitetet e personit.
b) Numrin e vendimit dhe datën e gjykatës.
c) Datën, orën dhe vendin e ekzekutimit, si dhe kush ngarkohet për ekzekutim, me emër mbiemër, gradën dhe detyrën.
5-Për çdo ekzekutim bëhej procesverbali ku shkruhej edhe fjala e fundit e të dënuarit. Procesverbali i dërgohej degës nga ishte përpiluar urdhri, e cila ia dërgonte ministrit.
Praktika e ekzekutimeve
Në fakt kjo ngeli në vija të përgjithshme dhe praktika kryesore e ekzekutive gjatë regjimit komunist, për rastet kur ishte marrë nga gjykata vendimi i formës së prerë dhe kur një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kishte refuzuar faljen e jetës.
Pasi dilte dekreti, ministri i Punëve të Brendshme, ngarkonte degën e rrethit përkatës ku ishte dhënë dënimi i formës së prerë të hartonte planin e masave i cili përfshinte grupin që do ngarkohej për ekzekutim, mjekun, vendin bashkë me skicën, rrugën nga do kalohej, orën, datën, etj. Zëvendëskryetari i degës së bashku me sektorin përkatës hartonte këtë plan masash i cili miratohej nga kryetari i degës së punëve të brendshme të rrethit përkatës. Në grupin e caktuar kishte persona aktivë dhe pasivë. Grupi pasiv sillej për të marrë zemër në pushkatime të tjera kur do të bënte të njëjtën gjë vetë.
I dënuari mbahej 24 orë në izolim në mënyrë që të mos kryente vetëvrasje. Ditën e zbatimit të ekzekutimit me vdekje, merrej në dorëzim nga grupi përkatës. I dënuari çohej në vendin e caktuar. Atje i lexohej për herë të fundit vendimi i formës së prerë nga prokurori dhe ftohej i dënuari të pohonte fjalën e fundit. Pasi mbaronte kjo, hartohej procesverbali përkatës ku ishte dhe nënshkrimi i mjekut që vërtetonte vdekjen. Njoftimi i posaçëm i dërgohej gjykatës dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Praktika e ekzekutimit konsiderohej nga degët e punëve të brendshme si dokumentacion i përkohshëm me vlerë ruajtje deri në 5 vjet. Për këtë shkak, pothuaj të gjitha ekzekutimet nuk kanë skica apo vende varrimi, ndërsa në rastin më të mirë të tyre, mund të gjesh praktikën e ekzekutimit të lidhur me dosjen hetimore – gjyqësore./kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.