Janë rreth 7 mijë gra që u shpallën “armike të popullit” gjatë diktaturës dhe vuajtën burgjet. Mijëra të tjera u dënuan me internim dhe shumë me ekzekutim.
Gjatë diktaturës komuniste, ka një numër të madh të grave që u shpallën “armike të popullit dhe u dënuan me burg”, shumica e tyre e kanë kryer dënimin në tri burgje të diktaturës të njohura si burgje të grave. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar statistika për tri burgjet në tri kohë të diktaturës ku gjendet edhe numri i grave të dënuara për politikë, gjatë diktaturës komunsite.
Burgu i parë për gra në Shqipëri në vitet 1950-1966
Në rrugën që më vonë do të njihej si “5 maji”, Ibrahim Biçakçiu ndërtoi një fabrikë cigaresh së cilës i vuri emrin “Flora”. Projekti i tij ambicioz i cili synonte zhvillimin e industrisë së cigareve duke shfrytëzuar duhanin vendas, u ndal me ardhjen e komunistëve në pushtet dhe me burgosjen e pronarit të saj. Godina e fabrikës, pasi u zhvesh nga pajisjet për t’i çuar diku tjetër, u përdor deri në vitin 1950 për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryesisht si vend për kurse të shpejta. Në janar 1950, këtu u çel Punëtoria Qendrore e Artizanatit, brenda së cilës u ngrit reparti i posaçëm për gratë. Deri në këtë kohë, gratë i kishin vuajtur dënimet në burgjet e vendit, në seksionin e posaçëm të tyre. Fillimisht punëtoria u ngrit në pesë profile pune: rrobaqepës, këpucarë, marangozë, mekanikë dhe përkthyes. Gratë u morën kryesisht me rrobaqepësi. Reparti shërbente burg edhe kamp. Por me sezone gratë kanë punuar edhe në bujqësi si rastet e dërgimit në fermën e Valiasit. Edhe Musine Kokalari u lirua nga burgimi pikërisht nga ky repart.
Në fillim të nëntorit 1958 raportohej se në repart gjendeshin 24 gra të dënuara për arsye politike dhe 139 për arsye ordinere. Në vitin 1966, kur ky repart u shkri këtu gjendeshin të burgosura 154 gra. Kur reparti u mbyll, me gratë e këtushme u formua Reparti nr.318 Qyteti Stalin.
Vendi i dytë ku vuajtën dënimet gratë në komunizëm
Me urdhrin e datës 21.1.1966 u krijua Reparti nr.318 Qyteti Stalin (sot Kuçovë), si vend për përqendrimin dhe vuajtjen e dënimit të grave. Një javë më vonë, mbërritën nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë fillimisht 80 gra, duke shkuar në pak javë në 120 të dënuara. Qëllimi i formimit të repartit ishte shfrytëzimi i punës së grave në bujqësi në një sipërfaqe prej 150 hektarësh si dhe në industrinë e naftës. Nga fillimi e deri në vitin 1972, reparti pati një dinamikë prej 180 – 200 të dënuarash. Në tetor 1974, numri i tyre u rrit duke shkuar në 356 veta, aq sa 50 gra flinin në korridor dhe 55 të tjera në tokë. Në fund të jetës së vet, në vitin 1976 kishte 483 të dënuara (prej të cilave 46 për krime kundër shtetit). Nga të dënuarat ordinere, 136 ishin për vjedhje të pasurisë socialiste (kryesisht shitëset), 58 për vjedhje të pasurisë së qytetarëve, 58 për kurvëri, 35 për vrasje, 19 për aborte, 22 për largim pa leje nga internimi, 9 për falsifikim dokumentesh, 9 për mashtrim, etj.. Me urdhrin e datës 24.12.1976. reparti u zhvendos në Kosovë të Elbasanit.
Reparti nr.318 Kosovë në vitet 1976 – 1990, kampi i tretë për gratë në Shqipëri
Me urdhrin e datës 24.12.1976 Reparti nr.318 u vendos në Kosovë të Elbasanit. Synimi i zhvendosjes nga Qyteti Stalin ishte aktivizimi i rreth 400 grave të dënuara në punë bujqësore, por edhe punë të tjera brenda repartit. Në nëntor 1978, këtu gjendeshin 426 gra, prej të cilave 60 të dënuara për arsye politike. Në vitin 1980, në repart ishin duke vuajtur dënimin edhe 57 gra shtatzënë. Gjatë vitit 1984, në kamp gjendeshin mesatarisht 200 – 238 të dënuara. Në qershor 1987, këtu vuanin dënimin 120 gra, prej të cilave vetëm 5 për arsye politike. Mbi gjysma e tyre ishin me arsim 8-vjeçar. Rreth 30% e tyre i përkisnin moshës 18 – 25 vjeç. Rreth 60% e tyre ishin për vjedhje, 15% për vrasje e dështime, etj.. Gjatë vitit 1988 në repart ishin mesatarisht 145 – 172 gra, nga të cilat vetëm 5 – 14 për arsye politike.
Gjatë vitit 1989; ishin mesatarisht 170 – 173 të dënuara, prej të cilave deri në 14 për krime politike. Në prill 1990; gjendeshin 41 të dënuara ordinere dhe vetëm 1 politike. Në maj 1990; të burgosurat gra u zhvendosën në Repartin nr.325 Tiranë pasi në Repartin nr.318 erdhën të dënuarit e Repartit nr.321 Burrel.
Reparti nr.318 mbaroi punë me të burgosurit e fundit më 17 mars 1991. Më pas u quajt Instituti i Riedukimit Lushnje për të dënuarit ordinerë, funksion që e ruan edhe sot.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.