Terrori pas revoltës/Si më masakruan Edmond Caja dhe Ludovik Cali

0
384
blank

Mënyrat e Edmond Cajës dhe Ludovik Calit për të terrorizuar të dënuarit e Qafë-Barit pas revoltës. Enver Jakupi tregon si e torturuan, deri ditën e fundit të dënimit, komandanti dhe shefi i policisë së burgut, që të burgosurit i quanin “ujku i madh dhe ujku i vogël”

Revolta e Qafë-Barit u shua brenda ditës, por pasojat e saj vazhduan gjatë. Në kamp u vendos një regjim terrori që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Në krye të këtij terrori ishte shefi i policisë së burgut, Edmond Caja. I dënuari Enver Jakupi, ka treguar në një intervistë për vëllimin VII të botimit të ISKK, “Zërat e kujtesës”, torturat që ka pësuar nga Caja dhe rregullat që ky vendoste me qëllim torturimin e të dënuarve.

“Për tre muaj, prej 22 majit deri në gusht, Edmond Caja gati tetë herë, më ka masakruar mua”, thotë Enveri duke treguar së pari, rastin kur një mbrëmje të hëne po shkonte në punë, turni i tretë, me rrobat e punës nën sqetull, që i kishte marrë të shtunën për t'i larë. “Më del përpara Edmondi dhe i thërret një polici që e kishte emrin Hajdar: -Hajdar, çfarë ka ky në sqetull? Ishte vetëm një pretekst që të më merrnin e të më rrihnin…Më futën në korridor dhe bam- bum më sakatuan nja tre policë. -Hajdar dëgjo, - i tha Edmondi,-po nuk e bëri normën ky njeri, mos e sillni gjallë këtu”! Dhe me ndihmën e të dënuarit me të cilin i qëlloi të punonte, Enveri e realizoi normën dhe u shpëtoi torturave të atij mëngjesi, por jo torturave të Edmond Cajës. Më 20 gusht 1984, Caja u bë komandant burgu. Riza Musollarin e hoqën, kurse shef policie sollën Ludovik Calin.

“Në 17 gusht, ditë e premte, erdhi vëllai. Ai më solli ushqime dhe paketa. Atë kohë, luajta edhe pak bixhoz, ndaj kisha fituar shumë paketa dhe ushqime. Ja lija dikujt të m’i ruante sepse më bënin kontroll çdo ditë. Në datën 20 gusht, oficer roje ishte Edmondi. I jep urdhër policit me emrin Xhevat që të më kontrollonin nëpër xhepa. Dikush nga të burgosurit kishte spiunuar”, kujton Enveri. Pasi polici i gjeti kartonat që të dënuarit përdornin si paketa në bixhoz, e çoi te zyra e Edmond Cajës. Ky, që i kishte marrë informatat, i kërkoi Enverit të pranonte që luante bixhoz dhe të tregonte me kë luante, por Enveri, duke e ditur çfarë e priste, e mohoi. Atëherë Edmondi urdhëroi kryenormistin që Enveri, i cili ishte turni i tretë atë ditë, ta bënte pushim, sepse do takohej “për punë” me komandantin në orën 11.00 të mbrëmjes. Më pas, Enverin e rrethuan 6 policë. I vunë hekurat dhe e futën te dhoma e takimit me familjarët. “Dhoma ishte 2 m e gjysmë me 2 m e gjysmë. Filloi sulmi: -Ti more armik i betuar, ti që luan bixhoz, more kriminel, që na shet mend! Ju betohem se sytë m’u bënë të kuqe dhe, nuk e di, si nuk jam qorruar. Nga shqelmat dhe grushtat më dilte gjak nga veshët, hundët dhe goja. Ata gjuanin me ç’të mundnin. Hekurat i kisha akoma nëpër duar. Mbaj mend që i tha një polici: -Dil jashtë dhe më gjej një dru të mirë atje te sharra. Tre policë më mbanin njërën këmbë dhe tre të tjerët, këmbën tjetër dhe më hodhën me kokë në çimento, ndërsa komandanti më gjuante me dru. Gjaku rridhte si lumë”…

Më pas e çuan zvarrë deri te birucat, me sharje e kërcënime për të treguar me kë luante bixhoz. Enveri nuk e hapi gojën. “Më ushqyen me pahir. Më morën dhe më çuan tek çezma, që të më hiqnin këmishën dhe të ma lanin nga gjaku. Më pastruan fytyrën nga gjaku. Ma lanë këmishën dhe ma veshën, ashtu të lagur, se nuk kisha tjetër. Ishte verë, por në birucë ishte ftohtë. Edhe dërrasën ma kishin hequr në birucë, isha direkt në tokë. Shputat e këmbës më dhimbnin nga i ftohti…Doktori i burgosur, Latif Billa ka ardhur 15 ditë rresht në birucë, për të më mjekuar veshët. -Enver, -më tha,- ki kujdes mos të të gjuajnë më policët në vesh sepse do të të plasë hemorragjia dhe vdes në vend. Sa herë që më rrihnin, mundohesha të mbroja veshët”. Sa herë i sillnin ushqimin, policët vazhdonin ta provokonin që Enveri të tregonte shokët me të cilët luante bixhoz, por ai nuk u thye. Torturat dhe pamjaftueshmëria e ushqimit, ia shterën fuqitë dhe e dobësuan shumë. Kur doli nga biruca, shokët mundoheshin t’i jepnin ushqimet e tyre që të merrte veten, por as kjo nuk ishte e këshillueshme për stomakun e tij. “Aq keq isha sa, për katër orë, kam ngrënë gjithçka që më dhanë shokët dhe pastaj, për tri ditë, vetëm villja”.

Ndërkohë Edmond Caja vazhdonte të vendoste rregulla të reja, për të pasur gjithmonë pretekste për të torturuar të burgosurit dhe për të mbajtur gjallë frymën e terrorit në kamp. “Edmond Caja dhe Ludovik Cali ishin dy kriminelë të lindur. Edmondi shpiku një rregull, të rregullonim dyshekun sikur ishte arkitekturë pariziane. Të gjithë mundoheshin ta rregullonin sa më mirë. Preteksti ishte që të rrihnin çdo ditë nga 10-15 veta. Edmondi përpilonte një listë me emrat dhe ia jepte një spiuni. Secili nga ne, te këmbët e krevatit, kishim emrin. Spiuni kalonte dhe prishte krevatët, si të mundej dhe pastaj vinte kontrolli. Korrieri dilte dhe thërriste emrat, që rriheshin me pretekstin e dyshekut”.

Për Enverin, nuk pati qetësi deri ditën e fundit në kampin e drejtuar nga Caja dhe Cali. Ai kujton se shtatë ditë para se të lirohej, më 12 dhjetor, Edmond Caja urdhëron policin ta qethte në zero Enverin, edhe pse të burgosurit qetheshin nga data 25 deri në fund të muajit. Pasi mësoi që kishte edhe 7 ditë për t’u liruar, Edmond Caja, i tha: “Ato 7 ditë do të ta nxi jetën. Do hysh në birucë dhe do dalësh në datën 20 dhjetor, kur do lirohesh”. Gjatë këtyre ditëve, Ludovik Cali e torturoi në birucë. Gjithashtu, tri ditë para se t’i mbaronte dënimi, e kërcënoi që më mirë të mos kthehej në kamp, po të mos e plotësonte normën. Edmond Caja që kishte qëlluar oficer roje e kishte kthyer mbrapsht vëllanë e Enverit, që i kishte sjellë atij rroba të reja për të dalë nga burgu si për t’i treguar se brenda territorit të burgut, ishe deri në minutën e fundit, nën pushtetin e egërsisë së tij.

Edhe ditën e lirimit, përshëndetja e Edmond Cajës, ishte: Prapë ke për të hyrë në burg.

Shënim: Në foton kryesore, Enver Jakupi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here