Ditët e fundit faqja Facebook e kujto.al u sulmua me raportime false dhe si pasojë për tri ditë u bllokua automatikisht nga algoritmi i Facebook.
Faqja e kujto.al është ndër faqet më të suksesshme dhe me rritje të shpejtë e të vazhdueshme, një faqe me standarde të larta për publikimet, informacion unik të bazuar në bibliografi shkencore e studime serioze. Përsa i takon “Termave dhe Kushteve” të nënshkruara me Facebook, faqja e kujto.al nuk ka shkelur asnjë prej pikave të marrëveshjes. Për të vërtetuar pretendimin e raportimeve false, Facebook iu desh një verifikim manual që zgjati rreth tri ditë, duke identifikuar raportimet si të pavlefshme.
Algoritmi i Facebook për bllokimin e faqeve apo profileve është ndërtuar në bazë të një prej rregullave themelore të demokracisë, atë të vetos, ose në rastin konkret raportimit. Mjafton edhe një raportim i vetëm që një profil ose faqe të bllokohet pas disa ditësh, ose disa raportime që ta përshpejtojnë procesin e bllokimit. Në rastin e sulmit me raportime false ndaj kujto.al, raportuesit u bllokuan ndërsa reputacioni i faqes sonë kundrejt algoritmit shënoi rritje përsëri, pra është një gjest i ulët që nuk mund të na dëmtojë aspak.
Në një rrjet social të mbështetur mbi parimet demokratike, ata që ndërtojnë profile false mund të përfitojnë dhe të vetëkënaqen përkohësisht nga papërgjegjshmëria, duke iu prishur punë të tjerëve dhe nuk e kanë problem të ndërtojnë një profil tjetër fals, pastaj një tjetër, e një tjetër… sepse në fakt këtë punë kanë, madje jo vetëm në një rrjet social, por edhe ne jetën e tyre reale. Dhe si këta në Shqipëri kemi shumë, shumë më tepër se në vendet e tjera. Ata janë ose të papërgjegjshëm, ose e shohin çdo kundërshtar si armik, ose më keq akoma paguhen për t’iu prishur punë të tjerëve.
Sigurisht që kjo nuk i ka ndodhur vetëm faqes kujto.al, iu ka ndodhur dhe shumë profileve personale e faqeve të tjera, por kjo sjellje tipike e të papërgjegjshmit, tregon se sa larg jemi dhe sa pak e kuptojmë demokracinë e të drejtën për të vendosur veto. E drejta e vetos nuk është si votimet 100% në diktaturë, por respekti për mendimin e gjithkujt, qoftë edhe në minorancë, qoftë edhe i vetëm përballë milionave. Kur ta kuptojmë këtë, mund të pretendojmë se po ngjitim shkallët e demokracisë.
Pavarësisht sulmeve që mund të vijnë në çfarëdolloj forme, stafi i kujto.al është i vendosur të vazhdojë këtë mision fisnik, rrëfimin e të vërtetave rreth krimeve të komunizmit. Do të vazhdojmë të përcjellim për publikun, dëshmitë që rrëfen nga të mbijetuarit e diktaturës, do të vazhdojmë të publikojmë dokumentet zyrtare që vërtetojnë krimet e tmerrshme që u kryen gjatë diktaturë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.