Historia e Niko Karafilit dhe familjes së tij që megjithëse e di vendin ku e varrosën pasi e pushkatuan, pengohet nga institucionet për të marrë eshtrat
“Ne dy djem të mitur të të dënuarit me vdekje Niko Karafili lutemi të mëshironi dhe të na falni jetën e babës. Josif dhe Franko Karafili”. Për një muaj e gjysmë Franko 9 vjeç dhe Josifi, pak më i rritur dhe nëna e tyre Maria pritën me ankth vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili kishte në dorë t’u falte jetën të dënuarve me vdekje. Për po aq ditë, priti edhe Niko Karafili në birucën ku e kishin izoluar. Pas 7 muajsh hetuesi, e kishin nxjerrë në gjyq dhe e kishin dënuar me pushkatim. Pas 7 muajsh pritje, duhej të priste edhe një muaj e gjysmë tjetër derisa përgjigjja erdhi. Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e kishte marrë parasysh kërkesën për falje dhe vendimi duhej të ekzekutohej.
Niko Karafili u pushkatua më 17 maj 1952.
Edhe atë ditë, si çdo ditë tjetër, bashkëshortja me djalin e vogël u nisën për te “Hani me dy porta”, të shndërruar në burg në Korçë, për t’i çuar ushqimet, Nikos. Polici doli dhe i tha që nuk duhet të sillte më ushqime, sepse Nikon e kishin pushkatuar atë mëngjes. I ra bota sipër dhe ushqimet nga duart. Ndërsa Frankoja, vetëm 9 vjeç, duhet ta ngushëllonte.
Stella Karafili, vajza e Frankos, ka treguar mbrëmjen e 30 shtatorit në programin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, historinë e gjyshit të saj, të pushkatuar nga regjimi komunist dhe ende pa varr, edhe pse familja e kërkon prej 30 vitesh të drejtën për të gjetur eshtrat e tij.
Nikoja kishte lindur në vitin 1901. Kishte studiuar për shkenca tregtare në Montpellier të Francës dhe Liege të Belgjikës dhe më 1934 ishte kthyer në Shqipëri. Kishte punuar për një vit si mësues në Gjirokastër dhe më pas 10 vjet me radhë në Ministrinë e Financave në departamentin e Thesarit të Shtetit. Gjatë kësaj kohe ishte dhe kontabilist i dyqanit Flora, ku punonte Enver Hoxha, të cilin e kish njohur që në Montpellier, por, siç ndodhi edhe me të njohur të tjerë të drejtpërdrejtë të Hoxhës para se ai të bëhej njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, Niko Karafili u arrestua dhe u dënua. Në atë kohë, punonte në një ndërmarrje në Korçë dhe e arrestuan pikërisht aty pasi Sigurimi e survejonte prej kohësh. Në gjyq, e akuzuan për dëmtim të pasurisë socialiste dhe neglizhencë në punë dhe më 13 mars 1952 e dënuan me pushkatim së bashku me drejtorin e ndërmarrjes.
“Gjyshja bashkë me gruan e drejtorit e mësuan vendin ku i kishin varrosur. Ato ndoqën shenjat e rrotave të makinës që i kishte çuar drejt pushkatimit. Dy gratë arrijnë në vend natën, gjejnë dy vende të freskëta dhe fusin dy qirinj sepse qiriri nuk tretet. Gjyshja shkonte rregullisht fshehurazi, deri në vitin 1957. Në 1957, kur kthehet nga andej, i thotë të birit Frankos që jam e mërzitur sepse në atë vend po ndërtohej. Aty është ndërtuar ndërmarrjen e metalpunuesve”, ka thënë Stella Karafili në Opinion, e cila ka shtuar që megjithëse ka një heshtje të madhe nga ana e zyrtarëve për vendet ku janë varrosur viktimat e komunizmit, njerëzit i dinë ato. “Në zonën e parkut Rinia, ka gropa me trupa njerëzish. Ndërsa vendi që ne mendojmë ku është gjyshi është një kodër afër gropës së gëlqeres. Kjo zonë ka qenë gurore. Unë e kam shpresën se po u bë një kërkim mund të gjenden dhe eshtra të tjera”, ka thënë ajo për vendet ku janë varrosur viktimat e komunizmit në qytetin e Korçës.
Familja e saj, me ardhjen e pluralizmit ka rinisur interesimin, por, si thotë Stella, është thuajse e pamundur për të pasur sukses pa mbështetjen e institucioneve. “Në vitin 1993, babai ka kërkuar eshtrat, por ka marrë përgjigje negative. Oficerët e Ministrisë së Brendshme nuk i dhanë informacion. Me anë të ICMP, kam vepruar me një kërkesë zyrtare që ia kam bërë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Korçës. Prokuroria e Korçës m’u përgjigj që në bazë të Kodit Penal nuk është kompetencë e prokurorisë për të urdhëruar gërmimet. Quhet që çështjes i ka kaluar afati. Ne kërkojmë të bëhet një kërkim zyrtar”, ka thënë Stella Karafili.
Historia e familjes së saj ngjason me atë të qindra familjeve të tjera në Shqipëri që ende nuk i kanë gjetur eshtrat e të afërmve të tyre të vrarë në diktaturë ose që kanë ndërruar jetë në burgje e në hetuesi gjatë atyre viteve. Shumë prej tyre, kanë informacion të saktë për vendin ku ndodhen ato eshtra dhe përsëri në një mënyrë apo tjetër pengohen nga institucionet për t’i nxjerrë. Ata vazhdojnë të jetojnë me një peng të vjetër dhe shteti shqiptar me një faj të madh, që bëhet i ri çdo ditë.
Shënim:
Intervista e plotë gjendet në kanalin youtube të RTV Klan.
Kujto, me mbështetjen e ICMP, ka realizuar dokumentarin "Varret pa emër" që jep një pamje të plotë të vendvarrimeve dhe sjell shifra, dokumente e dëshmi për viktimat e diktaturës që nuk u janë gjetur ende eshtrat.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.