Sokol Zef Sokoli, i vitlindjes 1949, lindur në Palç të Tropojës, me profesion zetorist, i dënuar me vdekje dhe ekzekutuar në vitin 1984 pas revoltës së Qafë-Barit, ishte dënuar fillimisht për veprën penale të arratisjes. Në vitin 1980, ai kish qenë i ndaluar për çështje të tjera, kur mundi të arratiset nga Dega e Punëve të Brendshme Tropojë më 30.12.1980. Gjykata e Rrethit Tropojë, me vendimin nr.100, datë 15.12.1980, ktheu çështjen ndaj Sokolit dhe dy të tjerëve (rrahje për hakmarrje).
Menjëherë pas daljes nga dega, në orën 19.00 të asaj date, në dyqanin e fshatit Cernicë bleu dy pako biskota, një shishe uzo, djathë dhe niset në këmbë në drejtim të qendrës gjeologjike të Ragamit. Qëndroi këtu deri ora 22.30 dhe bleu gjysmë buke. Deri në qafën e Luzhës shfrytëzoi një makinë dhe niset në këmbë nga fshati Vladë në drejtim të sektorit të pikës Stobërdë. Arrin ta kalojë kufirin, por nuk e kupton mirë një gjë të tillë pasi shenjat ishin mbuluar nga bora. Gjatë këtyre lëvizjeve, më 31.12.1980 njësiti sekret i pikës kufitare Lugu i Zi, i përbërë nga dy ushtarë, e pikasi, i bëri thirrjen dhe e ndaloi. E lidhi në vend. Kjo mënyrë ndalimi nga njësiti sekret, u bë model dhe përgjithësim i Drejtorisë së Kufirit dhe u përhap si model për gjithë postat kufitare të vendit.
Çështja e Sokol Sokolit u veçua. U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 101/1, 93/1 të Kodit Penal. Pasi çështja ishte kthyer edhe njëherë tjetër, Gjykata e Rrethit Tropojë, e drejtuar nga Perikli Kolagji, me pjesëmarrjen e prokurorit Bahri Piri, me vendimin nr.20, datë 27.3.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Pas 3 vjetësh nga ky dënim, ai do dënohej në revoltën e Qafë-Barit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.