Aplikacioni Gjurmuesi i Vendvarrimeve mundëson raportimin e varrezave masive dhe vendeve tjera ku mund të gjenden mbetjet mortore të personave të zhdukur. Informacioni mund të ofrohet në mënyrë anonime, ose mund të përdoren informatat kontaktuese. Aplikacioni i krijuar nga ICMP gjendet edhe në faqen e kujto.al, ku mund të përdoret nga familjarët e të zhdukurve për të raportuar vendvarrimet e të afërmve të tyre.
Video tutorial u mbështet nga “ICMP Small Grant project” në kuadër të projektit të Bashkimit Europian “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste” të zbatuar nga ICMP-AIDSSH, i financuar nga BE dhe Ambasada e Zvicres ne Tirane. Fondacioni kujto.al, arkiva online e viktimave të komunizmit, po punon për projektin “Pa varr”, shenjimi i vendvarrimeve në Shqipëri, dokumentar i bazuar në historitë e të afërmve të të zhdukurve gjatë diktaturës”. Projekti do të sjellë në vëmendjen e publikut, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe studiuesve, çështjen e personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.
Bazuar në dëshmitë e të afërmve ose personave që kanë të dhëna mbi zhdukjen e viktimave gjatë diktaturës, Fondacioni kujto.al do të krijojë edhe hartën digjitale të vendvarrimeve. Po kështu do të realizojë një dokumentar ku të bëjë publike, për herë të parë, skemat e përdorura për zhdukjen e viktimave, bazuar në dokumente arkivore (me titra anglisht/shqip, duke rritur burimet edhe në gjuhë të huaj). Projekti do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë, lehtësisht të aksesueshëm, duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet komuniste.
*Pikëpamjet e shprehura në këtë botim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të ICMP, Autoritetit, BE-së, dhe qeverisë së Zvicrës
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.