Shqipëria e vitit 1953 në letërkëmbime: varfëri dhe uri masive

0
88
blank

Bazuar në platformën organizative të Sigurimit të Shtetit, të fundit të vitit 1948, korrespondenca nga jashtë-brenda dhe nga brenda-jashtë shtetit, ishte objekt i censurës. Ky fakt nuk njihej nga popullata. Aq e shtrënguar ishte situata, sa edhe kur e mendonin se mund të censuroheshin, shqiptarët parashtronin kërkesa për dollarë se ishin në varfëri të madhe. Letrat e shqiptarëve janë pasqyruar në buletinet e Kontrollit Postar (KP). Përmbajtja e tyre na jep një pasqyrë të qartë të gjendjes së tmerrshme ekonomike të Shqipërisë së vitit kur vdiq Stalini. "Jemi të uritur, shumë ngushtë nga buka, lëre pastaj për të tjerat"...Varfëria ekstreme deri në pamundësinë për të ushqyer fëmijët, është refreni që përsëritet në të gjitha letrat.

Buletini i datës 1.8.1953

-Janu nga Lushnja i shkruan Stero Photos në SHBA: “Letrat me postë ekspres nuk i morëm. Kjo më shqetësoi shumë se nuk di shkakun, më duket se do mbetemi si peshku pa ujë. Ju lutem mos na lini të vuajmë”.

-Gregor Pano nga Gjirokastra i shkruan George Panos në SHBA: “Të kam shkruar edhe në letrat e mëparshme se më kanë pushuar nga puna, mua dhe Kriston, për arsye se jemi të prekur. Shpresojmë të gjejmë punë. Ndodhemi në një gjendje të vështirë ekonomike. Na mungon çdo gjë”.

-Herakli Dema nga Labova e Sipërme, i shkruan Cris Demës në SHBA: “Jemi shumë keq me bukën sepse kemi thatësirë të madhe, si duket do vuajmë për bukë”.

-Grigor Papakristo nga Gjirokastra, i shkruan P.Papakristos: “Ndodhemi në një gjendje të vështirë. Na mungon çdo gjë. Vuajmë shumë për bukë, prandaj na dërgoni para që të mos vdesim”.

-Llukë Strati nga Korça i shkruan Mihal Matkës në SHBA: “Djali i madh më vdiq në ushtri. I dyti është ushtar prej shumë vitesh. Nuk na japin ndonjë ndihmë. Kam dy çupa për të martuar”.

Buletini i datës 2-3 gusht 1953

-Angjeli Kiriti nga Gjirokastra i shkruan Nicko Athas në SHBA: “Ndodhem në një gjendje të vështirë, sepse rroga që merr Vasili nuk na mjafton, prandaj na ndihmoni që të mos vdesim për bukë”.

-Lefter Fili nga Korça i shkruan Leza Learsit në SHBA: “Ju duhet ta ndjeni veten shumë të lumtur që ndodheni në Amerikë. Po të na pyesësh, ne jemi duke vuajtur shumë”.

 

Buletini i datës 5.8.1953

-Enthim Bakalli nga Tirana i shkruan Kosta Kendrës në SHBA: “Punën time ta kam treguar me dy letra. Sa të kalojnë këta 5 muaj të marr qilimin se jam në rrezik se nuk kam triska. Bukën e marr shtrenjtë, 60 lekë kg.

-Taip Nehja nga Shkodra, i shkruan Idriz Selës në Jugosllavi: “Na ka ndodhur një rrezik i madh se Xhemalin tonë na e ka vrarë mbrojtja. Nuk dimë si ka qenë puna”.

-Enfim Lito nga Delvina i shkruan George Litos në SHBA: “Ka qysh vjet që dyqani nuk ka miell. Ka vetëm misër që ne hamë me derrat. Na mungon buka”.

-Ilia Karkari nga Gjirokastra i shkruan Spiro Karkarës në SHBA: “Baba! Kam shumë kohë që nuk të kam shkruar, se koha nuk na lejon që të shkruajmë. Ju e dini që këtu pula ha strall. Kemi mbjellë dhe këto sa për detyrimet e shtetit, prandaj na ndihmoni që të mos vuajmë".

Buletini i datës 6.8.1953

-Afroviti Gjiti nga Gjirokastra i shkruan Giorki Gjinit në SHBA: “Shumë kohë kemi pa marrë para. S’kemi bukë për të ngrënë. Prandaj na dërgoni para se s’kemi çfarë të hamë”.

-Theodhori nga Korça i shkruan Spiridon Mihalit në SHBA: “Kemi shtrenjtësi të madhe, gjalpi kushton 600 lekë kg, djathi 300 lekë kg, mishi 160 lekë kg”.

-Eleni Lubonja nga Korça i shkruan Ligor Lubonjës në SHBA: “Unë nuk di se në qoftë se do të na japin leje të hapim dyqan, vetëm pastiçeri dhe asgjë tjetër. Të tjerat janë bërë kooperativa. Nuk di çfarë të shkruaj”.

 

Buletini i datës 8.8.1953

-Sevasti Thano nga Gjirokastra i shkruan Gregori Thanasit në SHBA: “Morëm 150 dollarët që na dërgove dhe u gëzuam pa masë. Ishim pa bukë. Grurë kemi bërë sa për detyrimin e qeverisë”.

-Muharremi nga Bilishti i shkruan Haliko Haxhit në SHBA: “Tani na ka pllakosur një rrezik, s’kam si t’ju shkruaj. Na shkruani ju. Ju lutemi, se shpëtimi ynë varet në duart tuaja. Kështu mundemi të sigurojmë bukën e fëmijëve”.

 

Buletini i datës 13.8.1953

-Evgjeni Chiten nga Gjirokastra, i shkruan Spiro Chitenit në SHBA: “Më shkruaje që të bëj ekonomi. Ke të drejtë. Vdiq ajo kohë që di ti. Tani ka ardhur një kohë tjetër shpirti im. Edhe para të kesh nuk gjen gjë. Ka ardhur një kohë që nuk gjen gjë dhe shtrenjtësia është e madhe. Nuk mund të shkruaj një nga një, por ti je i zgjuar, i kupton të gjitha”.

-Grigor Papakristo nga Gjirokastra, i shkruan P.Papakristos në SHBA: “Jemi të uritur, shumë ngushtë nga buka, lëre pastaj për të tjerat. Ju lutem bëni një fushatë të na ndihmoni sepse kemi filluar të zhytemi në borxhe, sepse na hëngri shtrenjtësia”.

 

Buletini i datës 14.8.1953

-Ivanka Cilka nga Tirana i shkruan Mapni Tenovës në Bullgari: “Nuk mund të duroja gjendjen e vështirë kur kisha burrin në burg. U ndodha me shtëpia e pa shtëpi. Prej më tepër se dy vjet banoja nëpër bodrume. Kalova kohëra të vështira. Fëmijët më qanin nga uria dhe unë merrja ndonjë jastëk ose ç’më ndodhej përpara dhe i shisja”.

 

Imazhi kryesor: Pamje nga Tirana

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here