Ndërkohë që shtatorja e Enver Hoxhës ishte rrëzuar dhe tërhequr zvarrë, Shkolla e Oficerëve mori përsipër të mbronte figurën e diktatorit. Ata menduan t’i mbronin shtatoret pasi të rivendoseshin dhe për të treguar vendosmërinë e tyre në këtë mision, në datat 22 dhe 23 shkurt nën ritmet e këngëve “Enver Hoxha tungjatjeta”, apo “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”, nisën të qëllonin në ajër që nga mjediset e brendshme të shkollës. Kjo situatë solli të vrarë dhe të plagosur nga qytetarët dhe vetë oficerët.
Lëvizja më e rrezikshme në Tiranë ishte ajo në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Ushtarakët, përgjithësisht një masë e verbër, tejet e politizuar, u armatosën, krijuan “komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit” me kryetar Agim Bajraktarin dhe filluan të kërcënojnë në mbrojtje të emrit të diktatorit. Ata i drejtuan thirrjen partive politike, presidentit e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës me referendum. Tirana në të vërtetë, iu nënshtrua një shtetrrethimi dhe në rrethe të tjera filloi mobilizimi i rezervistëve.
Por kulmin ngjarjet e patën më 22-23 shkurt 1991 në kompleksin e shkollave ushtarake në Tiranë të përcjella me aq përkushtim nga televizioni i vetëm shtetëror në vend. Nga mjediset e brendshme të shkollave, ata filluan të qëllojnë në ajër për të mbjellë frikë e terror. Pamjet e ushtarakëve që vringëllonin armët përpjetë në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, apo “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”, të transmetuar nga televizioni i shqiptar, nuk mund të shqiten kollaj nga kujtesa. Tensionimi i situatës kishte ardhur nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”.
Më 21 shkurt, shefi i Shtabit të Ushtrisë, Halim Abazi, pyeti efektivin e shkollës në ishin të gatshëm të mbronin shtatoret e Enver Hoxhës (pas rivendosjes së tyre). Ushtarakët paraqitën një peticion në të cilin kërkonin të vendosej me referendum figura e Enver Hoxhës. Një përmbledhje të atyre ngjarjeve e bën raporti i Hetuesisë së Përgjithshme, një organ kushtetues ky, në atë kohë në varësi të Kuvendit Popullor.
***
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Hetuesia e Përgjithshme
Tiranë më 27.2.1991
Lënda: Mbi ngjarjen në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë
Në datat 22 e 23 shkurt jeni në dijeni, përballë e në periferi të territorit të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, ndodhen ngjarje të rënda e të hidhura. U vranë një polic ushtar në krye të detyrës dhe dy persona të palës tjetër pjesëmarrës në ngjarje. U plagosën me armë zjarri 15 persona, një polic shërbimi në krye të detyrës, 10 persona të palës tjetër dhe 3 persona në banesat e tyre e 1 kalimtar që janë plagosur aksidentalisht nga shpërndarja e parregullt e predhave. Të plagosur rëndë janë 4 veta, ndërsa të tjerët janë plagosur lehtë e jashtë rrezikut. Organet e punëve të brendshme kanë ndaluar e kallëzuar në hetuesi 92 persona. Veprat e kryera prej tyre nuk kanë qenë në kompetencë të hetuesisë, pasi gjykohen drejtpërdrejt nga gjykata. Hetuesia kreu veprimet që nuk mund të shtyhen dhe dërgoi për kompetencë në gjykatën e rrethit 32 persona, për kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të shtetit dhe shkeljen e dekreteve “Për mbledhjet, grumbullimet e manifestimet e shtetasve në vendet publike” e “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare e të simboleve shtetërore”.
Pas veprimeve të bëra nuk u administruan prova dhe u liruan 44 persona për të cilët u vërtetua se nuk ishin pjesëmarrës në këto ngjarje dhe në kryerjen e ndonjë veprimi të paligjshëm. Ata ishin kapur rastësisht e ndaluar nga organet e policisë pas ngjarjes në Laprakë e tek spitali ushtarak, tek banka, tek kryqëzimi i “21 dhjetorit” dhe në rrugën “Bajram Curri” e në afërsi të spitalit klinik nr.2 duke shkuar te shtëpia e tyre ose tek të afërmit e shtruar në spital. U kërkuan të dhëna organeve të punëve të brendshme, por nuk kishin.
Po punohet intensivisht me të arrestuarit e të ndaluarit e tjerë për të zbuluar ekzekutorët, nxitësit dhe organizatorët e këtyre ngjarjeve.
Altin Gulia me datën 23 shkurt, pasi turma ka ndaluar makinën “Zis” të Akademisë Ushtarake dhe kanë vjedhur 350 bukë e sende të tjera ushqimore, ka marrë drejtimin e automjetit dhe ka dëmtuar tubin e ujësjellësit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve që t’i priste furnizimin me ujë.
Leonard Lika dha shpjegime se ka qenë pjesëmarrës në grumbullimin e paligjshëm të datës 23 shkurt dhe ka hedhur shishe me benzinë në një makinë të blinduar, kur është bërë përpjekje për t’i shpërndarë.
Në Allias janë kapur e ndaluar 4 persona nga rrethi i Krujës, Gjon Lukës i është gjetur një pistoletë nagant. Fran Sokolit një thikë armë e ftohtë, ndërsa Lec e Bec Velajt i janë gjetur një thikë e një hanxhar, që nuk i plotësojnë kushtet e armëve të ftohta. Vërtetohet se ata kanë ardhur në Tiranë për të kërkuar një kalë që i kishte humbur dhe nuk kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur. Gjoni dhe Frani do të dërgohen në gjykatë për armëmbajtje pa leje.
Makina “Zuk” e parkut komunal me shofer Nail Nazen, natën e ngjarjes ka transportuar për në spital ushtarak dy të plagosur. Në karrocerinë e saj kanë qenë edhe 7 persona që i shoqëronin ata, në këtë makinë nuk ka pasur persona të armatosur me armë zjarri e armatim. Thëniet e përhapura nuk janë të vërteta. Në karrocerinë e makinës, nga policia janë gjetur vetëm dy thika. Hetuesia pyeti punonjësit e qarkullimit rrugor e të policisë që e kanë ndjekur makinën dhe që kanë ndaluar shoferin e personat e tjerë që ishin në karrocerinë e saj. Ata shpjegojnë se nuk kanë parë armë e nuk janë dëgjuar krisma armësh. Nuk janë kapur e kallëzuar në hetuesi personat që kanë përdorur armë në këtë ngjarje.
U sqarua edhe e dhëna për makinën autoveturë “Fiat” e Partisë Demokratike që ishte në dispozicion të Azem Hajdarit i cili u pyet si dëshmitar. Vërtetohet se kjo veturë dhe personat e ndodhur me të, nuk kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Ata kanë qenë me shërbim në Korçë dhe ktheheshin në Tiranë. Shoferi Edmond Kumbulla që ishte i ndaluar, u lirua dhe autovetura e bllokuar iu dorëzua.
Duart Duvalliu u kap me një aparat fotografik. U kontrollua filmi dhe doli se ishte film që përdoret për rikopjime dhe i papërshtatshëm për fotografitë në natyrë. Nuk kishte objektiv të filmuar. Shpjegoi se ishte vënë në shërbim të zbulimit çek e sllovak, kur ka qenë refugjat. Pasi është kthyer, ka marrë takim me punonjësit e ambasadës çeke e sllovake në Tiranë dhe ka marrë detyra për të mbledhur të dhëna të dokumentuara me fotografi, për objektet ushtarake dhe për ngjarjet e kohëve të fundit, kundrejt shpërblimit në valutë. Shpjegimet e tij po i verifikojmë me kujdes, pasi thuhet se është i sëmurë psikik.
Hetimet po thellohen për problemet e rëndësishme. Nga organet e punëve të brendshme kërkojmë të dhëna për zbulimin e personave kryesorë për organizimin e veprimeve për këtë ngjarje, si dhe për provat për të dhënat e mjaftuara për armë”.
Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme
Qemal Lame
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.