“Sekret” 1958/  Të ngremë barraka me baltë  për 156 familje të internuara  në Savër

0
880
blank

Dokumenti zyrtar që dëshmon ngritjen e kampeve të internimit në Lushnje. Sa të internuar kishte  në Savër në vitin 1958 dhe si jetonin ata në mjerim të plotë? “Në një barangë në sektorin e Savrës jetojnë 8 familje me 14 fëmijë edhe 9 beqarë që nuk kanë asnjë lidhje gjinije apo familjare me të parët”….

 

156 familje ishin grumbulluar në  Savër të Lushnjes në vitin 1958. Mes tyre ishin 124 fëmijë të vegjël, të cilët jetonin në kushte të mjerueshme. Edhe pse i kishte mbledhur aty, si "një vend i sigurt" sipas Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu, shteti shqiptarë nuk kishte marrë masa për ti strehuar as në barraka.

Një pjesë e madhe e tyre të ndarë në grupe të mëdha ishin futur në kasolle të gjithë bashkë edhe pse nuk kishin asnjë lidhje familjare me njëri-tjetrin e për më tepër mungonin kushtet më minimale për jetesë e higjenë.

Të dhënat zbulohen në dy dokumente zyrtare, njëri i strukturave partiake në Lushnje, të cilat e ngrenë si problem strehimin e këtyre të internuarve që ishin izoluar në Savër të Lushnjes dhe dokumenti tjetër me siglën “sekret”  i firmosur nga Kadri Hasbiu, i cili përveç problemit të të internuarve ngre edhe problemin e largimit të emigrantëve jugosllavë (kryesisht shqiptarë nga Kosova) nga llakatundi i Vlorë po në këtë periudhë dhe strehimin e tyre.

Në të dyja shkresat zyrtare ngrihet problem i sistemimit të këtyre të internuarve dhe emigrantëve, në barraka me baltë,dërrasë e kallam, të cilat për shtetin shqiptar kushtonin para dhe duheshin kaluar disa procedura burokratike deri në miratimin e planit dhe ndërtimti të këtyre barakave për banim.

Të dy këto dokumente “Kujto.al- Arkiva e Viktimave të Komunizmit” i sjell të plota, më poshtë, si një dëshmi zyrtare e ngritjes së kampeve të internimit në Shqipëri dhe kushteve në të cilat jetuan gjatë gjithë viteve të diktaturëstë gjithë kundërshtarët e regjimit komunist .

***

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRIS

KOMITETI EKZ. KËSH. POPULLOR RRETHIT

Kryesija

Prot. Nr. 217 sek.

Lushnjë, më 11.XII.1958

L a n d a: Mbi gjendjen e strehimit t’internuarëve.

KRYEMINISTRIS

T I R A N Ë

Sikundër dihet në këtë rreth është caktuar qëndrimi i një numri të math familjesh dhe individash t’internuar nga rrethet e tjera të Republikës, numri i të cilëve arrin në 459 persona nga këta 156 familje me 124 fëmijë të vegjël.

Të gjitha këto familje banojnë në sektorin e Fermës të këtij rrethi dhe nga 156 familje janë strehuar vetëm 110; ndërsa 46 të tjera jetojnë në disa baranga të përziera, kështu p.sh. në një barangë në sektorin e Savrës jetojnë 8 familje me 14 fëmijë edhe 9 beqarë që nuk kanë asnjë lidhje gjinije apo familjare me të parët. Raste të tilla ka mjaft të tjera dhe që vijnë për arsye të mungesës së banesave për ti strehuar.

Për të mundur që të plotësojmë nevojat e domosdoshme për strehimin e këtyre personave dhe të tjerëve që mundë të vijnë; propozojmë që të na jepet një fondë prej 6.000.000 Lek duke akorduar edhe materialet e nevojshme: drrasë 162 metrokub, lëndë të treshë 144 metrokub, gozhdë 9 KV., çimento 648 KV.; ndërsa materialet e tjera janë mundësit të sigurohen në vend.

Me këtë fond ne mendojmë të ngrejm rreth 100 dhoma tip i thjesht, me kallam edhe drrasa.

Lutemi merni në shqyrtim këtë problem dhe brenda mundësive na epni aprovimin.

  1. KRYETARI

(Uani Hila)

(firma, vula)

  1. Pushtetit lokal

Të njoftohet me telefon se plani edhe buxheti u miratuan. T’a kenë parasysh e ta propozojnë vitin e ardhëm kur të bëhet projekt plani si të njëftohen a/a 5.1.59 (firma)

U njoftua Uan Hila (firma)

 

***

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIJA E P. TË BRENDËSHME

“S E K R E T A R I A T I”

“S E K R E T”

Nr. 01-782, ex.

Tiranë, në 12/I/1959

 

K R Y E M I N I S T R I S Ë

T I R A N Ë

Sikundër dihet, në Savër të rrethit Lushnje (si vend më i përshtatshëm) janë vendosur rreth 459 të internuar. Veç këtyre kohët e fundit kemi filluar të përqendrojmë edhe emigrantët jugosllavë që kanë qenë vendosur në Llakatund të Vlorës – gjë kjo që ka vështirësuar së tepërmi konditat e jetesës.

Ne do tu lutemi t’aprovonit kërkesën e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit Lushnje, - paraqitur me shkresën e saj Nr. 217 datë 11/XII/1958, - dhe mendojmë se Komiteti Ekzekutiv i Lushnjes s’ka përgjegjësi pse nuk i ka parashikuar me kohë fondet që kërkohen, sepse tani vonë është vendosur për largimin e emigrantëve jugosllavë nga Vlora.

MINISTRI P. TË BRENDËSHME

GJENERAL LEITENANT

(KADRI HAZBIU)

(firma, vula)

Shënim:

U njoftua sh. Kadri se propozimi i Lushnjës nuk  mund të shqyrtohet se: a) ka fare pak kohë që u  aprovua pllani; b) kërkesa nuk ësht e studjuar  (e argumentuar). Mbetëm d’akord që M.P.Br. të dërgojë teknikë të saj ta shohin çështjen në hollësi për ndërtime me qerpiç dhe të paraqesin studimin përkatës. a/a (firma) 16.1.

BURIMI: Fondi i Këshillit të Ministrave, Viti 1959, dosja 1155

 

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here