Masakra në Buzëmadhe, e kryer nga Shefqet Peçi, më 26 shtator 1944. Rrëfimi i Halim Sali Lalës: “Gjithato katundarë t’Buzmadhes t’pushkatuem. T’lidhun nja me nja. Me to i pushkatuem edhe vllai em, Ramizi."
"I morën njerëzit me zor, n’fillim u thanë për nji mbledhje n’Krue t’Bardhë e ma mbrapa i mashtruen e i pushkatuen. Asht nji e preme n’besë bukur e madhe. Robi i Zotit s’e ban at lloj poshtërsije, po Shqefqet Peçi kish qenë lloji i robit të keq. E ai e ka ba at gja me i futë tutën katundit tonë e krejt Lumës tejpërtej. Ai me shokët e vet kah anët tona ka ba terror shum t’madh. Kah anët tona s’pat gjermanë. At’here çfarë dreqin deshi me ardhë te katundet tona? E puna e vet, si punë bash e keqe u mbulue prej komunistave për gjithato vjet rresht.
17 vjet qeshë at’herë. Më duket se i pata kalue 17 vjetët.
Krejt gjanat e tjera t’i paskan kallëzue. E ato janë përnjimend se kam qenë vetë kur ndodhi hataja. Po ne s’na e mirrke mendja se kish me krisë puna n’at farë feje se s’kishna me ra t’gjallë në duert e atyne katilave. Mos e dhantë Zoti, se na shkoi krejt katundi!
Qemë nise me shkue n’mbledhje, po pa mbërrijtë në Krue të Bardhë partizanët na kanë lidhë. E mëtova menjiherë se punët tona po shkojshin keq. N’Krue t’Bardhë, mbas do fjalëve tjera, kur njani prej partizanve na pyeti se cili prej nesh kish me dalë partizan, Dan Rexhepi si e pata ma ngat, m’preku e m’tha se duhej të dilsha unë. Nuk e di po mue m’u dha me thanë “po”. E kështu u bamë katër vetë. Përveç meje, edhe Iljaz Avdyli, Mersin Qazimi e Hatip Jemini. Ne, të t’katërve na kanë zgjidhë e na kanë qitë veç tjerëve.
Ma mbrapa i kanë thirrë njerëzit me emna. Zgjidh menjianë e lidh në tjetrënanë. Plot njizet e sa vetë. Kur Imer Etemi, vllai i Sul Etemit ia ka kthye fjalën nji oficeri, e kanë pushkatue n’vend. Imerzeza qe i fejuem e martohej mbas dy jave.
E pamë se e kishim punën fort keq, po me ikë qe e zorshme. S’kishna se kah dreqin me ikë!
Nji pjesë t’burrave t’katundit i lanë të lirë e u thanë me e marrë trupin e pajetë t’Imer Etemit me e çue n’katund, ndërsa atyne tjerëve si ishin t’lidhun, u thanë se kishin me i çue’ n’Bice. E mbaj mend fort mirë se Dan Rexhepi e kuptoi se kishin me i pushkatue e u tha se ai bahej kurban i tyne e t’mos e dëmtojshin krejt katundin. Dani qe trim e me mend. Po njani prej partizanëve iu përmblodh Danit mos me folë ma.
Mbas asaj rrëmuje u ndamë.
Unë shkova me nji grup partizanësh. Jemi sjellë si andej-këndej; nja dy orë para se me u terrue kemi shkue te Kodra e Ballnave. U afruem te nji lehrë gurësh, po u trishtuem. Gjithato katundarë t’Buzmadhes t’pushkatuem. T’lidhun nja me nja. Me to i pushkatuem edhe vllai em, Ramizi. U trishtuesh sa s’kallzohet. U bana krejt vner. A m’paska shkue vllai? M’paska shkue. A paskan shku gjithato vetë? Paskan shkue. Nuk po më duhej ma shpirti. Po shpirti i njeriut nuk po dilke kollaj. M’u mbushën sytë me lot. Vuna re se edhe do partizanë u prekën fort. Mbaj mend se u thashë: “S’po rri ma me ju se ma paskan vra vllain”. Hala se kuptoj edhe n’ditë t’sodit si kam mbetë i lirë. E ndava mendjen dhe u nisa, po mbasi bana bukur do hapa m’erdhën do pushkë mbrapa. S’kishëm kohë me e kthye kryet me pa kush po qitke me pushkë. Pushkët s’ndaleshin. S’po ndigjojsha ma. M’u veshën veshët. Ec e rrëzohu, ec e rrëzohu. Plumbat për nafakën teme s’më kapën…
Ma s’fundi mbërrijta te oborri i shpisë. Nanëzeza kish qenë përjashta, ngat derës.
– A mbet kush gjallë? – pyeti nana.
– Jo, – moj nanë, – fola si rrëmisht. – S’ka shpëtue asnji për be. I kanë lanë si turrë drush n’Kodër t’Ballnave. Edhe Ramizi me tjerët.
Nana nisi tue britë e un mbeta n’vend i mpimë. S’kisha fuqi as me ecë, as me folë, mbeta si dru n’vend.”
(Në Buzëmadhe, 22. 09. 1994)
Rrëfimi i ish-partizanes: U njohëm e hëngrëm me ata njerëz
Nënoçe Osmani ishte partizane e brigadës së V-të dhe ndodhej e sëmurë në fshat, kur ndodhi masakra. Ajo, dhe pse nuk ishte pjesë e organizimit dhe vrasjes së 21 banorëve, ka pranuar më pas në një rrëfim të saj, pendesën për këtë masakër.
Ja si shprehet ajo:
“Të vret Perëndia t’i harrosh mikpritjet kuksiane. Si tashti e kujtoj drekën lumjane të Bajramit. Këtë ditë duhej të përurohej Brigada 24 S. Pse ishte caktuar ajo ditë, vonë e kuptova gabimin e vendimit të Brigadës 5 e të rrethit. Kjo preku ndjenjat fetare e shërbeu si pretekst në ndeshjet partizanë – nacionalistë. Dhe Brigada 24 nuk u formua atë datë. Përkrahës të Bajraktarit pati edhe nga Buzëmadhja, të cilët vala i përfshiu në dyluftime. Patëm humbje të mëdha, por edhe kuksianë u vranë. Në mbrëmjen e ftohtë zbritëm me shokun Shefqet në Buzëmadhe. Unë isha e sëmurë me të ftohtë dhe më shërbyen gratë e një hoxhe (shehu). Disi e mblodhëm veten, por të nesërmen shkuam në Kroin e Bardhë. Atje asistoi vetë komandanti i Brigadës. Ai i pyeti se kush ju udhëhoqi që na qëlluat? Po… pasi larguan shumicën, pjesa e mbetur u pushkatua. Siç mora vesh, komanda e Brigadës 5 s’ishte konsultuar me drejtuesit e LANÇ e të BP të Lumës. Duke qenë e pranishme në atë ngjarje, që s’më kishin zënë ndonjëherë sytë, shkoja me mendimin se lufta të revolton dhe, kur shikon shokun të vrarë nervat ngrihen. Mirëpo, me banorët a duhej kësisoj? Që nga ajo ditë, ndonëse partizane e thjeshtë, lindi ideja e mosndëshkimeve. Sepse më vinte rëndë nga ata njerëz që u njohëm e hëngrëm me ta. Aktin me Buzëmadhen nuk e pritën mirë shumë partizanë. Ato s’e përkrahnin gjaknxehtësinë e Shefqetit, edhe pse ushqenin dashuri e respekt për atë derisa ndërroi jetë. Një herë, kur pata rastin ta takoja, ia përmenda Buzëmadhen, por heshti si përpara një hidhërimi e nga goja nuk nxori fjalë.” (V. Kasapi, Mrekulli e natyrës, kështjellë e historisë, Deas 1998, f. 235-236)
Marrë nga libri "Masakër në Buzëmadhe" me autor Petrit Palushi /kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.