Për çdo vit, në spitalin e të burgosurve, shtroheshin rreth 400-700 të dënuar, sigurisht ata që vlerësoheshin në gjendje më të rënduar, pasi sëmundshmëria ishte shumë e lartë, për dy grupe: të dënuarit që punonin dhe të dënuarit e moshuar. Kufomat e atyre që vdisnin varroseshin në Tufinë, por edhe dërgoheshin për eksperimente mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë, aty afër. Pavijoni nr.7, pranë spitalit nr.2 Tiranë, ishte vlerësuar në varësi të dyfishtë, të Repartit nr.313 Tiranë dhe të Degës së Shëndetësisë në Drejtorinë Ekonomike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithnjë raportet e kohës janë kritike për gjendjen e këtij pavijoni, për problemet që kishte dhe për mosndryshimin e gjendjes. Në vitin 1983 ishte nënshkruar edhe një urdhër i përbashkët i ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Shëndetësisë, por gjendja nuk kish ndryshuar. Për këtë arsye, për motive që ai i mendonte, në cilësinë e anëtarit të organizatës nr.35 të Partisë së Punës, kryetari i Degës së Shëndetësisë, Nevzat Vigani, përpiloi një raport për “zvarritje të punëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe e shërbimit mjekësor të Tiranës për ndihmën mjekësore për të burgosurit”.
Qysh në fillim të tekstit thuhej se me gjithë përpjekjet e bëra, shërbimi mjekësor për të burgosurit në Pavijonin nr.7, Drejtorinë e Mjekimit (poliklinika qendrore) dhe Drejtoria e Mjekimit të Dhëmbëve, nuk po sigurohej si duhej.
Duke filluar nga Pavijoni nr.7, konstatohej drejtimi i punës nuk i përgjigjej kërkesave dhe për këtë ishte kërkuar ndryshimi i përgjegjësit Stefan Jerazi dhe zëvendësimi i tij me një mjek ushtarak, por kjo nuk ishte realizuar. Dilte që funksiononte edhe Pavijoni nr.1 për të burgosurit (i Institutit të Pneumofiziastrisë), e për këtë propozohej që dy pavijonet të shkriheshin në një.
Midis të tjerash, në raport thuhej: “Disa mjekë specialistë të caktuar nga Poliklinika Qendrore (Drejtoria e Mjekimit) dhe Poliklinika e Dhëmbëve të gojës, nuk vijnë rregullisht, çka veç të tjerash ka sjellë qëndrim të gjatë në burgun e Tiranës të të dënuarve, me pasoja negative higjieno-sanitare dhe mosaktivizimin në punë të të dënuarve të aftë për të punuar në miniera”.

Edhe pas kësaj, gjendja në spitalin e të burgosurve nuk ndryshoi.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.