Prenga, djali që u arratis 3 herë nga kampi i Tepelenës

0
1489
blank

Prenga ishte një fëmijë i internuar në kampin e Tepelenës. Një fëmijë i uritur. Një fëmijë i rreckosur. Një fëmijë i mërdhirë. Një fëmijë që shihte çdo ditë pamje makabre. Një fëmijë që vendosi të luajë “një lojë” shumë të rrezikshme, sepse jeta në atë kamp ishte dhe më e rrezikshme për të 

Të internuarit në Tepelenë, ishin, me shumë pak përjashtime, fëmijë, gra dhe të moshuar, burrat e familjeve të të cilëve, në shumicën e rasteve ishin arratisur. Të parët që mbërritën në atë kamp, ishin të internuarit e familjeve veriore, që kishin qenë më parë në kamin e Beratit dhe që në prill të vitit 1949, i morën me kamionë dhe i çuan edhe më larg, në Jug, ku do të niste një nga periudhat më të errëta të jetës së tyre dhe të diktaturës shqiptare. Jo të gjithë dolën gjallë nga ai kamp, ku humbën jetën mbi 300 fëmijë dhe shumë të moshuar. Uria, sëmundjet, shpërthimi i minave, merrnin çdo ditë jetë të pafajshme dhe ata që mbeteshin gjallë, mbartnin dru në shpinë duke ecur për kilometra të tërë, shpesh të zbathur, në baltën e ngrirë dhe ujërat e akullt dhe hanin supë me ujë perimesh të kalbura. Nuk mund të kishin ëndërr tjetër veç që ky makth të mbaronte, por ai vazhdonte, me ditë, me muaj...

Preng Prenga, nga fshati Ugri i Lezhës, atë kohë 14 vjeç, nuk mundi të duronte më. Ndaj vendosi të ikte. Ishte ende i vogël, ishte i pangrënë dhe i paveshur, por megjithatë u nis. Nxitoi t’i largohej kampit për t’u kthyer ndoshta në fshatin e tij, te të afërm që mund ta mbanin ose kudoqoftë, mjaft të ishte larg atij kampi shfarosës. Por nuk ia doli. Siç tregojnë dokumentet, e publikuara nga Kastriot Dervishi në gazetën 55, ai, u kap dhe rikthye në kamp.

Megjithatë nuk u dorëzua. Pas një viti, më 1950, tenton të arratiset sërish, por përsëri kapet. Këtë herë, shteti vendos ta dënojë fëmijën që dukej se po e vinte në lojë duke u arratisur në mënyrë të përsëritur. E dënon me 10 muaj burg. Siç kuptohet nga dokumentet, ishte një dënim me burg brenda kampit të Tepelenës. Një dënim brenda dënimit. Një përshkallëzim i torturës. E megjithë shtimin e survejimit ndaj Prengës, ai sërish largohet më 3 shkurt 1951, duke gënjyer rojën. Ishte arratisja e tretë që kur kishte mbërritur aty. Mes të ftohtit të dimrit, Prenga arrin të përshkojë kilometra të tërë në drejtim të veriut, derisa kapet në Milot. Këtë herë dënimi ishte më i rëndë, sepse siç shprehet në pretencën e tij, ndihmësprokurori ushtarak i Gjirokastrës, toger Sali Çela, ky “element armik i Pushtetit”, “përsëri vazhdon rrugën e armiqësisë kondra Pushtetit”. Ai kërkoi dënimin me 3 vjet burg dhe punë të detyruar, ndërsa Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e uli kohën, në dy vjet. Dënimi niste më 12 shkurt të vitit 1951 dhe mbaronte në po atë datë, të vitit 1953.

blank

Pak kohë më vonë, në 1953, kampi i Tepelenës u mbyll dhe të internuarit e atjeshëm u shpërndanë nëpër kampe të tjera, përgjithësisht ferma ku punonin në bujqësi. Paraqiteshin dy herë në ditë në apel dhe nuk lejoheshin të dilnin nga zona e përcaktuar. Të internuara nëpër këto kampe, apo edhe të lira, familjet e armiqve vazhdonin të survejoheshin rreptësisht, në mënyrë që, në rastin më të parë, anëtarët e tyre, pasi fëmijët ishin rritur disi, të dënoheshin me burg.

Dhe kështu ndodhi edhe me Preng Prengën, djali, që pavarësisht rrethanave dhe ndëshkimeve, nuk hoqi dorë nga largimet e tij. Djali i arratisjeve, largohet nga reparti pa lejë, për tri ditë dhe kjo do t’i kushtonte pesë vjet heqje lirie, në vitin 1955. Ishte ende një djalosh i ri dhe ishte dënuar tri herë, sepse donte t’i ikte rrethimeve dhe kufizimeve, që diktatura i kishte kthyer në fatin e tij që kur ishte fëmijë.

Të dhënat dhe dokumenti janë marrë nga publikimi i studiuesit Kastriot Dervishi, në gazetën 55.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here