Në librin e saj, “Dhimbje” 5, Fatbardha Saraçi Mulleti ka publikuar historinë e persekutimit të Kolë Verrit dhe familjes së tij, e cila strehoi Patër Anton Harapin. Pas arrestimit të klerikut të lartë katolik, nëna e Kolës, një grua e ve, si dhe vëllezërit dhe motra e tij, megjithëse tre prej tyre minorenë, u arrestuan. Kullën ua plaçkitën dhe ua dogjën. Kolë Verri (Pepa) 12 vjeçar, arriti t’i shpëtonte arrestimit ato ditë, duke mbetur i vetëm e duke u endur sa në një vend në tjetrin. Disa vite më vonë, edhe ai do të arrestohej dhe dënohej me burg. Është madje një nga të burgosurit që u dënuan për hapjen e tunelit për t'u arratisur nga kampin nr.4 në Tiranë. Kujto.al sjell kalvarin e vuajtjeve të familjes së Kolë Verrit, siç i ka treguar ai vetë.
Unë, Kolë Marash Verri shumë net kam fjetur nëpër çufa ferrash se kisha frikë, isha tmerruar nga xhelatët që bënin shumë ndëshkime. Gjatë kësaj periudhe njerëzit më jepnin bukë apo ndonjë copë djathë dhe më porositnin që të largohesha sa më shpejt që të ishte e mundur sepse kishin frikë se mos i shihte njeri e i quanin strehues. Kur bastisën shtëpinë tonë që na morën gjënë e gjallë, një lopë bashkë me viçin dhe një ka nuk ndodheshin në vathë me të tjerët, pra ata i shpëtuan konfiskimit. Unë ato i çova në një shtëpi të pabanuar dhe aty shkoja në orët e vona të natës, këtë e dinte dhe i zoti i shtëpisë z. Martin Gjek Bleta (dritë i bëftë shpirti!). Vendi ku i kullosja bagëtitë ishte pak i shmangur nga Gurrabajt. Pas ca ditësh i mora lopën, kaun, viçin dhe dola në Bjeshkë tek një fisi ynë. Unë kullosja delet e tyne, ndërsa lopën e lëshoja me bjeshktarët e tjerë. Aty u strehova tek z. Pllumb Mirasha, më pranuan si të isha anëtar i familjes me fjetë dhe me hangër ushqim bashkë me ta.
Pas ca ditësh, që ishin bërë arrestime, forcat e ndjekjes që unë i quaja xhelatë, sepse s'u kishte mbetur moral, donin me e çue poshtërsinë deri në fund. Dhe dita erdhi. Unë në Tallas me dele të z. Pllumb Mirasha, pasi nxora delet në mrizat m'u dha me kthye kokën nga Plavra. Ç'të shoh! Shtëpisë i kishin vu flakën, pasi kanë marrë çfarë iu ka pëlqyer. Lashë delet në mal, zbrita tek miqtë që më strehuan, i lajmërova që po shkoj në Plavra. Fluturova, sikur isha zog mali dhe për njëzet-tridhjet minuta u ndodha para nji zjarmi që të përvëlonte nga të nxehtit, se shtëpia ishte e mbuluar me lëndë gështenje, ndërsa tavanët ishin punuar me dru pishe. U dogj gjithë mundimi i atyre viteve, i babait, nënës, xhaxhallarëve dhe i vëllezërve. Mbetëm pa asgja. U dogjën shkallët bashkë me krevet (dmth ballkonet ishin të dala jashtë mureve dhe e rrethonin shtëpinë nga të katër anët). Ishin kujdesur mos me i harru shkallët dhe ballkonet, sepse kishte patur raste që shtëpijat ishin djegur, por kishin shpëtuar krevetët (ballkonet), që ishin të dala jashtë mureve, sa gjatësia e shtëpisë. U dogjën dhe shkallët të ndërtuara me dërrasa gështenjte, që shërbenin për katin e dytë. Pas djegies së shtëpisë, nuk shkova më për çoban tek Pllumi për të ruajt delet. Gjatë kësaj kohe lopa më ngordhi, ndërsa kaun e dërgova në Shenepremte, në Kir, tek kushëriri i babait Luc Marku në Glac, ku qendrova ca kohë, pastaj u ktheva e jetova tek Shytan Lulashi, i cili më trajtoi si të isha i familjes së tij.
Në këtë kohë (ose në këtë periudhë) u hap një shkollë me konvikt për fëmijët e Dukagjinit në Qelën e Arqipeshkvisë në fshatin Xhan, që ishte një orë larg nga Plani. Shytani më dërgoi në shkollë e më tha:-"Kemi në plan me dërgu tre fëmijë prej Planit". Unë pranova me konditë që të vintetë më takonte, një herë në javë. Ai u kujdes për mua gjatë gjithë periudhës që qëndrova në konvikt në Xhan. Pastaj na transferuan në Theth, sepse në Xhan të gjithë ushqimet si edhe mielli vinin nga Shkodra me mushka për njëqind persona, bashkë me arsimtarët. (Udhëtimi ishte dhjetë deri në dymbëdhjetë orë rrugë). Gjatë kohës që ishin në burg vëllai im Preka, nana Pashkë, Gjoni, Lula e Prela, vëllai i vogël Gjergji ishte tek daja në Megull.
Çdo të diel, shkoja e takoja në Megull që ishte tridhjetë minuta larg nga Xhani dhe në mbrëmje kthehesha në Xhan.
Mbasi u liruan nga hetuesia (mbas tetëmbëdhjetë muajsh)-Gjoni, Prela dhe Lula shkuan në Plan, se nuk kishin asnjë mundësi jetese se shtëpia ishte e djegur me të gjitha pajisjet për jetesë. Në këtë kohë na erdhi në ndihmë po ky Shytan Lulashi, deri sa rregulluam një dhomë (një konak) që kishte qenë për bagëti, e kthyem në dhomë banimi. Na ndihmoi i gjithë fshati me ushqime e rroba fjetje. Dhomën e ndërtuam me mure guri, pa llaç, e mbuluem me rrasa guri, pa tavan, dhe si dysheme (si shtresë) kishte vetëm tokën.
Në periudhën që ishin në burg nana Pashkë dhe Preka, nuk kanë pasur asnjë ndihmë, me përjashtim të dy tezeve tona që ishin të martuara në Rrenc. Nana Pashkë dhe Preka u kthyen në shtëpi me 14 janar 1948. Një vit më vonë filluam me rimëkëmbë shtëpinë (që na e dogjën në vitin 1946, sa ta mbulonim me çati, sa me shti kryet) pa pasur asnjë të ardhur, veç punës së krahut.
Ne fund të vitit 1948, Prekën e morën ushtar. Në provokacionet e gushtit 1949 ai u plagos. E arrestuan për agjitacion e propagandë, duke e keqtrajtuar, duke e lënë pa mjekim dhe për të gjithë jetën mbeti me një krah të atrofizuar (sakat). Gjatë regjimit komunist të gjithë familjarisht jemi përndjekë. Kemi shtegtuar herë në Tropojë, në Bushnesh e së fundi në Shkodër duke punuar përherë punë krahu dhe na u privuan dhe fëmijët tanë nga shkollat e vendit.
Prek Ndoun në gjyqin e parë e dënuan me vdekje, pastaj iu fal jeta dhe u la dënimi 101 vjet burg, e dërguan në Burgun e Burrelit dhe e liruan në vitin 1949. Ndërsa xhaxhain Vatë Gjeloshi e dënuan një herë 15 vjet, por më vonë iu prish gjyqi, pasi nuk kishte fakte për strehimin e Patër Anton Harapit. Ai ishte larguar nga Dukagjini që në moshë të re dhe vendosur në qytetin e Shkodrës, ku jetoi dhe formoi familje, i shkolloi fëmijët, me punën e tij dhe me ndihmën e bashkëshortës Tringa.
**
Unë, Kolë Verri (Pepa) kështu e kam pasur mbiemrin deri në vitin 1972 që jam liruar nga burgu.
Në vitin 1951 isha ushtar dhe me 31 korrik 1953 më arrestuan dhe më dënuan 25 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake Tiranë për agjitacion e propagandë, ndërsa një vit më vonë më dënuan për tentativë arratisjeje nga Kampi numër 4 Tiranë, me grupin prej njëzet vetësh dhe më dënuan njëzet vjet burg.
Shënim: Marrë nga libri "Dhimbje 5-Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit komunist", i autores Fatbardha Saraçi Mulleti, Fiorentia, Shkodër 2023.
Imazhi kryesor: Foto ilustruese, Matheus Bertelli, pexels.com
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
