Kujtimet e një nxënësi përballë një dokumenti të diktaturës
Pak ditë më parë, kujto.al, publikoi një dokument dhe të dhëna të tjera që flisnin për akuzat dhe dënimin me 15 vjet burg të një shqiptari të Kosovës, me profesion arsimtar, Ibish Kelmendi. Kujto.al ka sjellë disa herë histori të dënimit të shqiptarëve të Kosovës në Shqipërinë komuniste, por për Ibish Kelmendin nuk kishte publikuar më parë ndonjë histori. Megjithatë ky nuk ishte shkrimi i vetëm që i ishte dedikuar ndonjëherë mësuesit nga Kosova. Para pesë vitesh, në gazetën Dita ishte publikuar një shkrim nga Sefer Pasha, ish-oficer madhor gjatë viteve të diktaturës, njëkohësisht publicist e skenarist, kushtuar Ibish Kelmendit.
Seferi ia kishte bërë këtë kushtim mësuesit të tij të klasës së parë, pa e ditur si i kishte vazhduar jeta më pas, pa e ditur që ai ishte dënuar me 15 vjet burg dhe pse merakun e kishte. “Pasi iku nga Fratari i Mallakastrës a i mbijetoi regjimit të Enver Hoxhës apo e persekutuan?”, pyet ai bashkë me disa pyetje të tjera, për të cilat nuk kishte marrë përgjigje nga të njohurit e përbashkët dhe ndoshta shpresonte të merrte nga të tjerë, me t’i hedhur këto pyetje në publikun e gjerë. Megjithëse, Seferi e ka njohur mësues Ibishin 65 vjet më parë dhe Ibishi është dënuar rreth 45 vjet më parë, të duket sikur kjo përgjigje do lëndojë një fëmijë…
Vendimi i dënimit:
"Ibish Sadri Kelmendi lindur në vitin 1931 në Pejë, arrestuar më 19.11.1973, me 15 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë".
E vetmja gjë që mund ta qetësonte disi tronditjen e një fëmije të rritur tashmë, është që mësuesi i ruajtur në kujtesë rrethuar me gjithë respektin e dashurinë e mundshme, si brenda një aureole shenjtërie, nuk kishte kryer ndonjë faj, veç atyre që regjimi komunist i quante të tilla e që kur i lexojmë sot, duken qesharake: thënie të tipit “Ne kosovarët këtu në Shqipëri na trajtojnë keq...ishalla nuk mbushen as 15 orë këtu, sepse këtu nuk jetohet” e të tjera të kësaj natyre dhe “kontrabandimin” e 5 orëve dore, që do e dënonin me 15 vjet burg atë dhe me 5, të kunatin.
Ky ishte Idish Kelmendi në sytë e regjimit komunist: një element mosmirënjohës ndaj shtetit që e kishte pritur dhe arsimuar, duke kryer vazhdimisht "biseda armiqësore".
Ja kush ishte ai në sytë e nxënësit Sefer Pasha.
Mësuesi Ibish nga Kosova dhe historia e një fotoje
Fotografia që kam në duar është shkrepur rreth 60 vjet më parë. Ajo ka për autor mësuesin tim të kalasës së parë në fshatin Kremenar të Mallakstrës. Ai quhej Ibish Kelmendi. Kur u paraqit para nesh e tha vetë se ishte nga Kosova.
Unë nuk kam asnjë fotografi të fëminisë time dhe as më vonë në shkollen fillore e atë shtatë vjeçare në Fratar. Prindërit ishin të varfër dhe mësuesit vendallinj gjithashtu. Për fat kjo foto e vetme ka shpëtuar. As vetë nuk e di se si. Historinë e kësaj fotoje e kam shumë të qartë. Tek shega e kuqe përpara shkollës mësuesi Ibish Kelmendi na mbështeti tek drurët e saj mua dhe shokun tim Guri Avdiaj, që është në krahun tim të majtë dhe që është ndarë nga jeta. Para se të na bënte fotografinë, mësuesi Ibish Kelmendi na vuri nga një libër të trashë në duar. Ato ishin librat e mësuesit. Unë dhe Guriu nuk kishim as lekë të blinim librat e klasës së parë. Para se Ibish Kelmendi të shkrepte aparatin fotografik, më pyeti mua se çfarë dëshiroja të bëhesha. Unë me librin në duar mes dy degëve të shegës ngrita supet. Nuk e dija se çfarë do të bëhesha. Kur pas meje mësuesi pyeti Guriun, ai i dha Ibish Kelmendit një përgjigje befasuese. Guri Avdija i tha mësuesit se ai dëshironte që të bëhej “komandant”.
Ibish Kelmendi qeshi dhe u emocionua. Mësuesi ishte i gjatë si një lis, i shëndetshëm dhe mbante mustaqe të zeza. Kur dëgjoj përgjigjen e nxënësit Guri Avdiaj, mësuesi Ibish e mori atë për qafe. Pa e shkrepur aparatin i tha se i vinte mirë që ai kishte dëshirë të bëhej komandant. Tek sytë e tu, i tha mësues Ibishi Guriut, unë shoh çika stërralli. Besoj në ëndrrën tënde. Ti Guri Avdiaj me të vërtetë do të bëhesh komandant. Do të vijë një ditë dhe do të thuash se i doli fjala mësuesit nga Kosova.
Kur dolëm në jetë dhe Guri Avdiaj arriti të bëhej Komandant Brigade, sa herë që takoheshim Guriut ja kujtoja atë që i tha mësuesi nga Kosova, Ibish Kelmendi. Para se të bëhej ajo foto mësuesi e sqaroi Guriun dhe të gjithë klasën, që ishte rrotull shegës së kuqe, se për t’u bërë komandant duheshin mbaruar shkolla ushtarake. E mbaj mend mirë kur ai përmendi Isa Boletinin, i cili kishte qënë një komandant i madh dhe me 400 kalorës nga Kosova kishte shkuar në Vlorë, ku kishte marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë me Ismail Qemalin. Ne për herë të parë e dëgjonim fjalën “Kosovë” si dhe emrin e Isa Boletinit. Nuk dinim asnjë hollësi. Në odat e prindërve tanë këndoheshin këngë për Ismail Qemalin.
Mësuesi Ibish Kelmendi e shkrepi aparatin fotografik dhe na premtoi se pas një jave kur ai do të kthehej nga Fieri do të na i sillte fotografitë. Dhe ashtu ndodhi. Kur shkuam për të marrë fotografinë, unë dhe Guriu i çuam mësuesit vezë të zjera dhe nga një shportë me rrush dhe fiq. Ishte vjeshtë. Ibish Kelmendi nuk na bëri vërejtje për dhuratat. Unë dhe Guriu ishim shumë të emocionuar. Në ato mote mësuesi në fshat ishte si shënjtor. Ne i morëm fotografitë dhe u gëzuam shumë. Për herë të parë e shikonim veten në fotografi (Guriu nuk e ruajti këtë fotografi). Mësuesi Ibish Kelmendi në dhomën ku flinte kishte disa rafte me libra. Aty ishin dhe dy librat të cilat ai na i vuri në duar para se të na bënte fotografinë. Siç qe i ulur në karrike na foli përsëri për Isa Boletinin. E kishte nga anët e tija. Guriu më vonë mbante mend dhe një varg nga ato që na recitoi Ibish Kelmendi: /Karadaku me Serbinë/ /Na vranë Isa Boletinë/.
Ibish Kelmendi qëndroi disa vite në Mallakstër. Më vonë nuk di hollësira për jetën e tij. As kur u rrita nuk mësova ndonjë detaj për fatin e mësuesit, që na la dhuratë një fotografi të paharrueshme. Megjithatë emrin Ibish Kelmendi nuk e harrova kurrë. Kur kam shkuar në luftën e Kosovës, në Koshare i pyeta luftëtarët e UÇK-së e ata më thanë se me mbiemrin Kelmendi ka në disa zona të Kosovës. Jeta bëri të sajën. Guri Avdiaj që i tha Ibish Kelmendit se kur të rritej do të bëhej “komandant”, mbaroi të gjitha shkollat ushtarake dhe kur doli në jetë ai mori gradën e kolonelit dhe mundi të bëhej Komandant Brigade dhe drejtues i lartë në Koorpusin e Fierit.
Ka kaluar një jetë. Asgjë nuk di për fatin e mësuesit tim të klasës së parë Ibish Kelmendi. A mundet të jetë gjallë? Kosovarët jetojnë mbi 100 vjet. Pasi iku nga Fratari i Mallakastrës a i mbijetoi regjimit të Enver Hoxhës apo e persekutuan? Po sido që t’i ketë ecur jeta Ibish Kelmendi, në Mallakastër la mbresa të shkëlqyera. Mësuesi i nderuar Selman Ameti nga Çërrila e Mallakastrës e që tani i ka kaluar të nëntëdhjetë vjetët, e kujton me respekt mësuesin e nderuar nga Kosova për të cilin edhe sot këndohet një këngë labe. Jeta e njeriut të mirë është e lidhur me veprën që ai lë pas.
Ibish Kelmendi na bëri mua dhe Guriut një fotografi të thjeshtë. Por për mua ajo është një monument. Flet shumë. Në fshatin tim në ato mote fluturonin vetëm skifterët. Dhe një mësues me origjinë nga Kosova na fliste për Naim Frashërin, Migjenin e Gjergj Fishtën. Unë po shkruaj një libër, ku personazh kam dhe mësuesin tim të klasës së parë Ibish Kelmendin. Disa kolegë të tij që janë gjallë si Selman Ameti, Qemal Veliu, Nuredin Jaupaj, Teki Hodaj, Syrja Ahmeti, Ylli Pajaj e të tjerë e kujtojnë me nderim e sjellin shumë mbresa nga puna e tij si mësues dhe agronom. Po a ka marrë ndonjë medalje mësuesi i talentuar nga Kosova Ibish Kelmendi, që dikur përhapte dritë në Mallakstër…. Askush nuk më jep përgjigje.
Shënim:
Shkrimi i Sefer Pashës dhe fotoja janë publikuar në gazetën Dita.
Shkrimin për dënimin e Ibish Kelmendit, mund ta lexoni në kujto.al.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.