Një pallto në qeli

0
107
blank

Historia e Alfons Dovanës, nga universiteti i Milanos në burgjet e diktaturës. Një poezi për pallton që dikur simbolizonte gëzimin dhe elegancën e jetës së tij dhe tani, ishte kthyer në dëshmitare të heshtur të viteve të mjerimit

Ishte veshja e tij e preferuar sepse e kishte mbajtur ditën e dasmës, një pallto elegante që i rrinte bukur. Ishte e vetmja gjë që mori me vete ditën që e arrestuan. Është historia e Alfons Dovanës, një ndër djemtë më të spikatur të Durrësit të viteve ‘30 që do të kishte një fat tragjik sepse do ta kalonte rininë e tij burgjeve të diktaturës. Në qelitë e akullta, palltoja do të ishte për të shumë më tepër se një veshje, një shoqëruese e heshtur. Ajo pallto që dikur simbolizonte gëzimin dhe elegancën e jetës së tij, tani ishte kthyer në dëshmitare të heshtur të viteve të tij të mjerimit. Atë kohë të errët të jetës së tij kur nuk hoqi dorë nga krijimtaria, një ndër poezitë do t'ia kushtonte palltos së tij. Në vargjet e tij, Alfonsi e përshkruan pallton sikur ajo të kishte shpirt, sikur të ishte një shoqe e gjallë, e cila kishte parë dhe përjetuar me të çdo vuajtje të fshehur nën zinxhirët e diktaturës:

blank

Palltoja u bë një simbol i pashlyeshëm i vuajtjeve të tij. Me secilën palë të saj të vjetruar, ajo mbante mbi supe peshën e ftohtësisë së qelive, ashtu si edhe peshën e mendimeve të rënduara të poetit. Ajo ishte mbyllur me të në ato bodrume të errëta, duke dëgjuar dridhjet e trupit të tij të pafuqishëm përballë dimrave të acartë. Ndërsa koha kalonte, palltoja e tij u shndërrua në një metaforë të fuqishme – jo vetëm një mburojë për trupin, por një strehë e fortë për shpirtin. Alfonsi i mbijetoi dimrit të egër të diktaturës me pallton e tij, i mbijetoi torturave të pamëshirshme, duke e mbajtur shpirtin gjallë me vargjet ku shprehej brenga e tij si një rrëfim, si çlirim.

Historia e Alfons Dovanës është tronditëse si dhjetëra, qindra apo mijëra histori të tjera jetë njerëzish rrënuar burgjeve të diktaturës. Një burrë i edukuar, i shkolluar në universitetin e Milanos, Alfonsi dikur shijonte elegancën dhe shkëlqimin e jetës borgjeze. I njohur për hijeshinë dhe sjelljen e tij fisnike, ai ishte një nga ata njerëz që përfaqësonte klasën e lartë, jo vetëm si trashëgimtar i një familjeje të pasur, por për kulturën dhe edukatën që e veçonte ndër të tjerë.

Si shumë të tjerë, jeta e tij mori një kthesë të errët kur komunistët morën pushtetin. Ato ditë ishin si një stuhi që përfshiu gjithçka në rrugën e saj, duke konfiskuar pronat, duke burgosur dhe torturuar njerëz si Alfonsi, të cilët dikur mbanin frenat e ekonomisë së vendit. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, më pas, do të përfitonte nga disa falje nga regjimi, por i kaloi vitet e rinisë në qelitë e ftohta të diktaturës.

Një krijues në heshtje, i mbyllur në një barakë

blank
Pas viteve të vështira të burgut, Alfons Dovanën nuk e poshtëroi vetëm puna fizike, por edhe izolimi shoqëror. Pasi u lirua, ai u dërgua të punonte në kanalizimet e qytetit, duke u përballur me mjerimin dhe poshtërimin e përditshëm. Por edhe në këto kushte çnjerëzore, ai refuzoi të nënshtrohej. Kur e larguan nga puna, ai e ktheu barakën e tij të vogël në një studio arti, një hapësirë ku fantazia e tij e pashtershme mori frymë.

E bija, Nirvana, kujton sesi babai i saj, një njeri me formim të lartë, tërë ditën krijonte zarfa dhe sumbulla me duar, ndërsa natën harrohej deri vonë në poezitë e tij. “Në dimër, mbante njërën dorë mbi një borsë të ngrohtë dhe shkruante me tjetrën”, - kujton e bija, Nirvana. Ishte një imazh i trishtë, por edhe mbresëlënës – një burrë që ndriçonte shtëpinë e tij të varfër me fjalët e tij të arta.

Megjithëse i harruar nga regjimi, puna e tij e heshtur në "Fjalorin e rimave" të gjuhës shqipe përbën një testament të qëndresës intelektuale. Alfonsi kaloi dhjetë vjet duke mbledhur fjalë, duke krijuar një thesar leksikor për poetët e së ardhmes. 36 vjet pas vdekjes së Alfons Dovanës, e bija, Nirvana, botoi poezitë e të atit në dy vëllime me titullin "Hallka të shkëputura". Poezitë e tij, të mbushura me lirika të ndjera dhe përkthime të mjeshtërve të letërsisë franceze si Alfred de Vigny dhe Alphonse de Lamartine, pasqyrojnë një shpirt të trazuar që nuk u dorëzua as përballë mjerimit më të madh. Një jetë që, ndonëse e ndaluar nga regjimi, nuk u shua kurrë në mendjen e tij krijuese dhe në dashurinë për fjalën.

Në mes të një dimri të egër dhe të ftohtë, në një barakë të rrënuar, e ndarë me katër familje të tjera, më 29 dhjetor 1967, Alfons Dovana i mbylli sytë përgjithmonë. Dha frymën e fundit i shtrirë në një divan të vjetër në kuzhinën e mbushur me lagështi, ku vetëm dy ditë më herët kishte festuar 49-vjetorin e lindjes me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të mitur. Kështu do të mbyllej rrugëtimi i një prej pinjollëve të një prej familjeve të njohura në Durrës, i një njeriu që kishte parë botën e madhe moderne përtej Adriatikut, që do të mbyllej në një hapësirë të ngushtë dhe të ftohtë, në qelitë e egra të regjimit komunist dhe do të shuhej në heshtje në një barakë të vjetër.

 

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here