“Gjyshja ime e udhëhoqi familjen me qetësinë e një kapiteni anije në shtrengatë”
"Odette jetoi prej 1951 deri në 1979 në Lushnje dhe besoj edhe sot e kësaj dite shumë lushnjarë e mbjanë mend francezen që nuk e uli kokën kurrë. Njerëz të thjeshtë, në lagje e në qytet e ndihmuan, me atë pak ndihmë që mund të jepnin, mbase edhe vetëm me dy fjalë të thëna shpesh me nxitim me zë të ulët e fshehurazi".
Në vijiim të artikullit të publikuar një ditë më parë, publikojmë vazhdimin e rrëfimit të Daniel Lezos për historinë tragjike të gjyshit të tij të pushkatuar Niko Lezo dhe kalvarin që vuajti bashkëshortja e tij Odette(gjyshja e Danielit) dhe i biri Vanko(babai i Danielit).
***
Një rrëfim nga Daniel Lezo
Pas pushkatimit të Niko Lezos, Odette bashkë me Vankon, u dënuan të jetojnë në një kasolle në periferi të Lushnjes. Madje as kasolle nuk kishte kur ata u shkarkuan nga kamioni në të cilin kishin disa plaçka. Sigurimit i Shtetit i kishte përzënë me dhunë nga shtëpia e tyre në mes të Tiranës duke i dënuar me intrenim në Lushnje. Kur i hodhën ato pak plaçka për tokë, xhelatët i thanë Odetës, ” tani ndërto një kasolle me baltë…ndërtojeni vetë”…Kështu Odette dhe Vanko nisën nga puna për të ndërtuar kasollen. Disa banorë të lagjes në periferi të Lushnjes, me keqardhje dhe kuriozitet, ndihmuan këtë grua të ardhur nga Franca nëpërmjet Tiranës, për të përfunduar në periferinë e Lushnjes.
Vanko ishte djalë i ri. Sapo kishte përfunduar studimet për matematikë dhe përgatitej për të shkuar për të vazhduar studimet jashtë Shqipërisë. Por gjithçka ndodhi me të atin e përmbysi edhe jetën e tij. Vanko filloi punë në ndërmarrjen komunale në sektorin e dekorit ku pas 35 vjetësh pune doli në pension.
Kur e pyesja se si e kishte përballuar ajo franceze e brishte atë periudhe e atë jetesë krejt të ndryshme nga sa ishte mësuar, me shikonte në sy e me thoshte: “Gjithnjë në momentet me të vështira, atëherë kur me linin fuqitë dhe mendoja të hiqja dore e të lëshohesha, i kërkoja ndihme nevojës dhe ajo me është gjendur gjithnjë pranë!”
Odette jetoi prej 1951 deri në 1979 në Lushnje dhe besoj edhe sot e kësaj dite shumë lushnjarë e mbjanë mënd francezen që nuk e uli kokën kurrë. Njerëz të thjeshtë, në lagje e në qytet e ndihmuan, me atë pak ndihmë që mund të jepnin, mbase edhe vetëm me dy fjalë të thëna shpesh me nxitim me zë të ulët e fshehurazi. Gjatë gjithë atyre viteve e kanë parë me ndjenja të përziera, me respekt, kuriozitet, dhimshuri e pse jo shumë shpesh edhe me frikë, se për shkak të respektit ndaj saj mund të ndëshkoheshin nga regjimi. Ai fat i çuditshëm që nëse partia vendoste që do duhej të të takonte edhe ty, jeta merrte një drejtim krejt tjetër e shpesh tejet të padëshëruar.
****
Në vitin 1959, Odette së bashku me Vanko-n, ndihmuar edhe nga e bija Elena, arritëen të marrin një kredi e të ndërtojnë një shtëpi në po atë vend ku ishte kasollja ku hyri nuse Flutra Velmishi, kur u martua me Vanko-n. Flutra që rridhte nga një familje bejlerësh pronarë të pasur tokash që kishin kontribuar më shumë pjestarë e të mira materiale në luftën Nacional-çlirimtare por që me rregjimin komunist përfunduan nëpër burgje si tradhëtarë, sepse ai regjim kërkonte me doemos të kalonte ideja se vendin e kishin shpëtuar e çliruar klasat e varfra ndërsa të pasurit ishin të gjithë armiq.
E kështu Flutra, që kishte përfunduar studimet në biokimi, pinjolle e një j familje “kulake” u njoh me Vanko-n, pinjoll i familjes të shpallur “armiq të popullit” dhe krijuan një familje. Unë linda në 1961 dhe shtatë vjet me vonë në 1968 im vella, dhe të dy patëm fatin të na rriste e edukonte Odette, me idetë, mendimet dhe mentalitetin e një francezeje të huazuar në Shqipëri.
Deri në moshën 5 vjecare, unë flisja vetëm frengjisht sepse ishte edhe e vetmja gjuhë që flitej në shtëpi. E vetmja kërkesë që iu bë mamasë time kur u martua, ishte që duhet të mësonte frengjisht! Dhe mamaja mësoi shume shpejt.
Odette fliste gati rrjedhshëm shqip, sidoqofte me intonacionin e një të huaje. Herë pas here i mungonin fjalet në shqip ose i lakonte në vetën dhe kohën e gabuar. Por të gjithë në qytet, kur kishin mundësinë, bisedonin me deshirë e kënaqësi me të. Ndërsa në shtëpi e brenda mureve, ishte gjithshka në frengjisht. Librat që kishte mundur të mblidhte nëpër miq gjatë viteve, përbënin pjesën kryesore të bisedave tona gjatë ditës. Une jam ushqyer me historinë frnaceze, dhe megjithëse nuk kisha shkuar kurrë në Francë, kur shumë vite me vonë pata mundësinë të shkoj, kam vizituar Parisin sikur të kisha jetuar prej vitesh aty, vetëm i udhehequr nga tregimet e gjyshes sime Odette.
Pastaj vijnë vite kur neve fëmijet rritemi e fillojmë të kuptojmë e për më tepër të ndejmë, se çdo të thotë lufta e klasave. Mamaja ime Flutur, pushohet nga puna si mësuese biokimie sepse konsiderohet e “padenjë të mesojë brezin e ri”. Ishte pinjolle e familjeve te “përmbysura nga rregjimi. Vështirësitë ekonomike, bllokojnë edhe mendimet dhe mentalitetet por jo të Odette-s. Ajo e udhehoqi familjen me qetesinë e nje kapiteni anije ne shtrengatë. Ajo pikturonte jasteqe me perendime ekzotike për dhomat e nuseve te reja, ndërsa mamaja ime Flutura u shnderrua në një rrobaqepëse që duhej ta përzgjidhte klientelën në mënyrë që të mos binte shume në sy e të bëhej akoma më tepër problem.
***
Kam miq të shumtë që e kanë ndjerë çizmen e atij regjimi në qafë e në gjoks dhe që shpesh janë gjendur edhe pa frymë. Miq, shoqe e shokë të mirë që kanë vuajtur edhe fizikisht shtypjen e egër të luftës së klasave, duke punuar në bujqësi në shi, breshër dëbore a diell deri në 40 grade Celsius. Këto vuajtje fizike deri diku nuk i kam vuajtur mbi kurriz sepse fatmiresisht, vërtetë fatmirësisht, Odette u internua ne Lushnje dhe jo në një fshat si mijëra të tjerë. Në Lushnje, nuk kemi ndjerë dhunën fizike, por të gjithë neve kemi ndjerë thellësisht një presion të pafund psikologjik, një dhunë të pafundme psiqike me sfida të pafundme. Kur mundoheshin e shpesh arrinin ta ndjeje vehten në rrezik të vazhdueshem, të pa dobishëm për shoqerinë dhe ndaj kujt të tjerët do duhej të ruheshin gjithmonë e vazhdimisht.
Kur isha i vogël, me përçmim me emërtonin “francezi” pastaj sapo arrija një “fitore” të vogël personale, nuk mungonin të më godisnin thellë në shpirt, si atëherë kur 17-18 vjeçar, si futbollist i të rinjve të Lushnjes. Luajta 10 minutat e fundit me ekipin e të rriturve në një ndeshje miqësore. Po atë mbasdite tre persona nga seksioni i arsimit të komitetit ekzekutiv të Lushnjes, erdhën në shtëpinë time dhe si një komision dënimi, në mënyrë demonstrative edhe për të gjithë ata që jetonin rreth e rrotull nesh, kërkuan nga unë që të dorëzoja të gjithë bazen materiale, me të cilën isha pajisur si të gjithe pjestarët e tjerë të ekipit të të rinjve, tutat, fanellën, mbathjet, getat, këpucet si edhe çantën, me arsyetimin që nuk isha i denjë të luaja në një ekip sportiv sepse isha pjestar i asaj familjeje dhe përfaqesues i atyre ‘klasave të përmbysura”.
Jeta në Lushnje ishte kështu, edhe presioni që ndjehej mbi njerëz si unë ishte ndryshe nga qytetet e tjera, kur ballafaqohesha me miq e shokë të mi që jetonin në Durrës, Shkodër a Tiranë, shihja e ndjeja se sa ndryshe ishte jeta ime dhe e tyrja. Kështu edhe sot e kësaj dite unë sinqerisht, nuk arrij të kuptoj qartë e saktë se deri ku arrinin orientimet partiake e të rregjimit nga qendra e ku fillonin e vazhdonin implementimet partiake e të rregjimit lokale.
Tani që duke shkrojtur bej detyrimisht një retrospektive të jetës së familjes sime, më vijnë ndër mënd me qindra e mbase mijëra episode të dhimshme, të egra e disa edhe tragjikomike, si atëhere kur neve, të mbyllur në shtëpi, sepse na kishin ardhur fjale nga miq të familjes që një “njeri i fuqishëm” i kishte vënë syrin shtëpisë sonë. Po po dëshironin të na e merrinn atë shtepi në periferi që ishte shndërruar në një halë tjetër në syrin e regjimit. Neve të mbyllur në shtëpi, me dritaret e gozhduara nga jashtë me dërrasa, për të dhënë idenë e një shtëpie të pabanuar e që do mund të lihej më kollaj në harresë, shihja nga brenda dritares fëmijet e lagjes që kalonin gardhin për të “vjedhur” portokallet dhe limonat e baheçes e ndërkohë që këpusnin frutat ruheshin të mos i shihte njeri nga përjashta gardhit e ne ndërkohë nuk mendonin se duhej të ruheshin nga pronari dhe banorët e shtëpisë brenda dritareve. Më kujtohet për shembull babai im që kthehej çdo herë nga mbledhja e “keshillit të lagjes” ku natyrisht në çdo rast ishte shenjestër e gjithë goditjeve të sistemit. Mbledhjet zhvilloheshin në shtëpinë e pionierit që ishte thjesht ish xhamia e transformuar dhe nga dritarja e kuzhines tonë shihej gjithë rruga nga atje deri në shtëpi dhe babai, kishte biseduar një farë sistemi me shenja me Odette-n, që kur goditjet dhe lajmet e këqija ishin deri diku “të pranueshme” nxirrte nje shami të bardhe dhe fshinte ballin, kështu që e ëma mund të qetësohej disi disa minuta përpara se të mbërrinte në shtëpi dhe të arrinte të qetësohej sadopak më heret.
Më kujtohen perpjeket e halles sime Elena, që çdo vit vinte nga Argjentina ku jetonte me të shoqin dhe fëmijët, në Itali, vetëm për të kërkuar vizën në ambasadën shqiptare dhe nga ku largohej pas dy tre muajsh pa marrë përgjigje për vite të tëra e derisa Odette vdiq në 1979 pa arritur ta shihte për herë të fundit të bijën. Mbaj mend letrat e gjata që Elena shkruante dhe që Odette, i lexonte me zë të lartë e pastaj ato letra i gjeja shpesh të palosura mbi komodinën e saj, të konsumuara nga leximet e shpeshta. Ato letra ishin shndërruar në dialog të pazkontë të një nëne me bijën e saj, ku gjeje dhimbjen, trishtimin për kalvarin e jetës tonë, vuajtjen e pamundësisë për tu takuar, e mallin kurrë të shuar mes tyre./Kujto.al
Lexoni:
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.Daniel Lezo: Ju rrëfej gjyshen time franceze që vuajti internimin në Lushnje