I rritur me babanë në burg dhe gjithë vështirësitë e një familjeje të internuar e pa mbështetje, Ylli Iljazi arriti të ëndërrojë dhe të shpresojë vetëm përmes futbollit, që ishte talenti dhe pasioni i tij i madh. “Ata që më njohin e dinë mirë se si e luaja futbollin”, shkruan ai. Por kjo ëndërr do të tretej dhe e ardhmja premtuese do të shkatërrohej, kur e vunë para kushtit për t’u bërë bashkëpunëtor i Sigurimit. Kujto.al sjell kujtimet e ish-futbollistit, ku ai përshkruan jetën e kaluar mes padrejtësish, presionesh dhe përndjekjesh
Nga Ylli Iljazi
Quhem Ylli Myslym Iljazi lindur më 31 janar 1952 në Leskovik. Po tregoj ngjarjet reale tragjike të jetës sime nga lindja dhe deri më sot… Ne vitin 1953, babai im Myslym Xhemal Iljazi dënohet për tentativë arratisjeje 8 vjet. Nga këto, kryen 4 vjet burg duke u liruar nga një amnisti në vitin 1956.

Më vonë, në janar të vitit 1959, babai arrestohet 25 vjet burg në tre nene:
1.Tradhti e lartë ndaj atdheut
2.Për diversion ndaj pushtetit popullor
3.Agjitacion dhe propogandë
Të tre këto nene bënin shumën 45 vjet. Në këtë kohë të arrestimit, ne ishin tre fëmijë, unë 7 vjeç, motra 5 vjeçe dhe vëllai 1 vjeç e gjysmë.
Ne, familjarisht, bashkë me dy xhaxhallarët internohemi në sektorin e Savrës, Lushnjë.
Deri në këtë kohë, unë, si më i madhi, i bie të kem jetuar me babanë një vit në burgun e parë dhe dy vjet në burgun e dytë.
Mbas vitit 1961, nëna duke qenë në kushte të këqija ekonomike dhe në moshë shumë të re, rreth 25 vjeçe, detyrohet të martohet me një person të internuar dhe me baba të pushkatuar. Kështu që ne tre fëmijët, jetuam me nënën dhe njerkun për të cilin kemi shumë respekt. Ai quhet Ahmet Hajredin Cane.
Gjatë kësaj periudhe, nëna na edukoi me ndjenjën e dashurisë edhe për babanë tonë që vuante në burg. Ne vazhduam t’i shkruanim letra dhe t’i shkonin në burg babait, së bashku me xhaxhanë që kishim në Savër. Rreth viteve 1967, unë fillova të aktivizohesha me futbollin lushnjar. Vazhdova deri sa shkova ushtar në vitin 1971 duke u aktivizuar edhe në ekipin e parë të Lushnjës. Ushtrinë e kreva në një repart N.B.U Vlorë.
U përpoqa për t’u aktivizuar edhe në futbollin vlonjat, por njolla e biografisë më ndiqte pas këmba-këmbës. Atëherë, meqë në Vlorë nuk mund të aktivizohesha, kërkova të aktivizohesha në Nartë, në ekipin e kategorisë së dytë. Pas shumë përpjekjesh, munda të rregullohesha me ndihmën e një shoku me origjinë greke duke më provuar më parë. Por nuk ishte e thënë që unë të realizoja dëshirën që kisha për topin. Unë nuk mund të gjuaja rrumbullakun sepse nuk më linte censura komuniste, nuk më linte hija e biografisë që kisha në kurriz. Por deshira ime e madhe per futbollin bëri që une të luaja çdo ditë dy orë futboll në një fushë të vogël afër fushës ku kryeja shërbimin ushtarak.
Lirohem nga ushtria në 25 nëntor 1973 dhe në 26 nëntor 1973 dal në stërvitje me ekipin e parë të Lushnjës me një shpresë jo të mirë për të vazhduar sepse frika e biografisë ishte e kudondodhur. Dëshira ime ishte shumë e madhe meqë kisha një kondicion të mirë fizik në atë kohë. Ata që më njohin e dinë mirë se si e luaja futbollin. Por përsëri më largojnë nga ekipi më 16 janar 1974. Arsyen e mora vesh nga një operativ sigurimi i quajtur Petro Nushi i cili më tha se ne të hoqëm, ne të vëmë prapë, por me nje kusht, që unë të bashkëpunoja me sigurimin. Unë këtë gjë nuk e pranova duke sakrifikuar ëndrrën më të madhe të jetës sime: futbollin. Gjatë kësaj kohe, ua tregoj këtë histori disa shokëve të ardhur nga ushtria. Këto biseda depërtuan në veshët e agjentëve të Sigurimit dhe më 10 janar 1976 internohem me apel për 5 vjet. Motivacioni ishte se nuk kisha bashkëpunuar me sigurimin dhe kisha nxjerrë sekretin e shtetit.

Në vitin 1978, babai lirohet nga burgu dhe unë gjendem i internuar duke jetuar në një barakë 1+1 vetë i 13. Atëherë, unë bëj kërkesë për një hyrje tjetër pasi duhet të merrja edhe babanë, por kjo nuk u realizua. Në këto kushte, babai shkon të jetojë në Gradishtë bashkë me vëllanë e vet. Në vitin 1981, prisja të lirohesha, por nuk ndodhi ajo që prisja. Më komunikojnë edhe 5 vjet të tjera duke më larguar nga Savra në N.B Remas, Bedat pa gruan e një fëmijë që kisha. Gjatë periudhës që ndejta në Bedat, babai më erdhi disa herë, ai tani ishte i lirë, ndërsa unë vazhdoja të isha i internuar. Në vitin 1984, lirohem nga internimi dhe kthehem përsëri pranë gjirit të familjes sime po në atë shtëpi të nënës ku gjeta të martuar edhe vëllanë të cilit më vonë i dhanë një dhomë barakë. Unë qëndrova aty me nënën derisa na dhanë një hyrje tjetër, kështu që në vitin 1988 unë e mora babanë në shtëpinë time, në atë barakë është edhe sot. Babai u sëmur dhe u shtrua në spital ku ndenja 15 ditë e net me të pas operacionit të vështirë.
E nxora nga spitali dhe e çova në shtëpi duke e hequr nga puna gruan time e cila i shërbeu disa muaj babait tim në mënyrë shembullore. Nuk qe e thënë që babai im të jetonte pas atij kalvari tragjik të jetës së tij që nuk gëzoi dhe ai një ditë të bardhë. Ndërroi jetë më 28 dhjetor 1988.
Shënim: Në foton kryesore, i ulur poshtë, mbështetur me bërryl mbi top, skuadra e Traktorit të Lushnjës, vitet 1969-1970.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.