Një ideologji e ligë antinjerëzore

0
0
blank

Një deklaratë zyrtare presidenciale nga Donald Trump që sqaron natyrën shkatërrimtare të komunizmit në të gjitha format e tij

 

Nga: Eric Patterson*

 

Presidenti Trump e shpalli javën e parë të nëntorit “Javën e Antikomunizmit”. Deklarata e tij zyrtare presidenciale, në frymën e Ronald Reagan-it, bënte thirrje për “nderimin e viktimave të shtypjes duke mbajtur gjallë kauzën e tyre dhe duke siguruar që komunizmi … [të përfundojë] një herë e përgjithmonë në grumbullin e plehrave të historisë”.

Deklarata e Presidentit Trump u publikua më 7 nëntor, datë që shumë shtete të SHBA-së dhe vende të tjera e njohin si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit. Ajo me të drejtë vëren se “komunizmi nuk sjell gjë tjetër veçse rrënim. … Është një histori e shkruar me gjak dhe hidhërim, një kujtesë e zymtë se komunizmi nuk është gjë tjetër veçse një fjalë tjetër për skllavëri”.

Historia flet qartë. Sipas studimeve akademike si "Libri i zi i komunizmit", botuar nga Harvard University Press, më shumë se 100 milionë burra dhe gra janë vrarë nga regjimet komuniste. Njëzet milionë rusë, ukrainas dhe të tjerë në ish-Bashkimin Sovjetik. Gjashtëdhjetë milionë kinezë të torturuar, të ekzekutuar ose të lënë të vdesin nga uria nga udhëheqësit e tyre në Kinën komuniste. Edhe 20 milionë të tjerë nën regjime komuniste si ai i Pol Potit në Kamboxhia dhe i Kastros në Kubë. Jetë njerëzore të shuara nga Afganistani në Nikaragua, nga Etiopia në Vietnam dhe nga Gjermania Lindore në Laos e në Angola.

Fatkeqësisht, siç përshkruhet në deklaratën presidenciale, plagët e komunizmit vijojnë edhe sot në dy forma. E para, është fakti se ende ekzistojnë regjime komuniste dhe regjime të trashëgimisë komuniste që terrorizojnë popullin e tyre dhe, në shumë raste, kërcënojnë fqinjët. Kina, Koreja e Veriut dhe Kuba janë shembuj të qartë. Ndërkohë, ka sundimtarë dhe autokratë që trashëguan mjetet e totalitarizmit dhe i përdorin ato edhe sot, përfshirë ata që u formësuan nga aparati i vjetër sovjetik i sigurisë: ish-operativi i KGB-së Vladimir Putin është një shembull tipik, ashtu si regjimet represive në Eritre, Venezuelë dhe gjetkë.

Mënyra e dytë përmes së cilës komunizmi mbetet i pranishëm sot, është ajo kur ai “maskohet me gjuhën e drejtësisë sociale dhe socializmit demokratik”. Por, siç thekson deklarata presidenciale, “mesazhi i këtyre zërave të rinj që përsërisin gënjeshtra të vjetra mbetet i njëjtë: ‘Hiqni dorë nga liria, vendosni besimin tuaj te fuqia e qeverisë dhe shkëmbeni premtimin e mirëqenies me ngushëllimin e zbrazët të kontrollit.’”

Presidenti Trump ka të drejtë kur deklaron: “Ne, si amerikanë, e refuzojmë këtë doktrinë të ligë.” Deklarata zyrtare vazhdon: “Ne mbetemi një komb i themeluar mbi të vërtetën e përjetshme se liria dhe mundësia janë të drejta të lindura për çdo person”.

Kjo është arsyeja pse Amerika ka qenë një dritë mbi kodër, sepse ajo “e vërtetë e përjetshme e lirisë dhe mundësisë” u përket burrave dhe grave kudo në botë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm në Perëndim. Kjo shpjegon edhe pse, pavarësisht shtypjes dhe dhunës, kanë lindur pa reshtur lëvizje pro-demokratike që kanë kërkuar liri. Kjo ndodhi në Sheshin Tiananmen dhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Vazhdon edhe sot me sfidën e njerëzve që duan lirinë dhe të lëvizjeve disidente në Hong Kong, mes budistëve tibetianë dhe ujgurëve myslimanë, si edhe mes komuniteteve të besimit në të gjithë Azinë Lindore.

Është një fakt i padiskutueshëm i shpirtit njerëzor se “asnjë ideologji nuk mund të shuajë kërkimin për të vërtetën dhe për mundësinë.” Është e natyrshme që burrat dhe gratë të kërkojnë të vërtetën. Është po aq e natyrshme që prindërit të kërkojnë mundësi për fëmijët e tyre. Komunizmi është gjithmonë antinjerëzor sepse synon t’i shtypë këto impulse të natyrshme.

Kjo deklaratë është një shërbim ndaj miliona njerëzve që ende mbahen rob nga regjime që përqafojnë një formë të marksizmit ose që praktikojnë çfarëdo forme të totalitarizmit. Le të lutemi që të arrijmë të shohim ditën kur këto regjime që “shkelin të drejtat e dhëna nga Zoti dhe dinjitetin e të shtypurve” të marrin fund.

*Patterson është president dhe CEO i Fondacionit Memorial të Viktimave të Komunizmit në Washington, D.C., dhe ish-dekan i Shkollës së Qeverisjes në Regent University. Ai është autor ose redaktor i më shumë se 20 librave, përfshirë Just American Wars, Politics in a Religious World dhe Ending Wars Well.

Marrë nga: wng.org

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here