Nga 22 në 42 vjeç në burg, me akuza agjenturore

0
127
blank

Historia e shtetasit Jani Qehaja, i cili u dënua fillimisht me pushkatim, por më pas dënimi iu kthye në 25 vite burg, nga të cilat kreu 20

 

 

Shtetasi shqiptar me kombësi greke, Jani Stefan Qehaja, lindur më 19.3.1938 në Hllomo të Gjirokastrës u arratis kur ishte 21 vjeç, u dënua 22 vjeç dhe doli nga burgu 42 vjeç. Me profesion llogaritar, me një kurs të mbaruar në Shkodër në vitin 1957, ai punoi në kooperativën e konsumit të Poliçanit në Gjirokastër. Duke punuar këtu, ai dërgon disa të ardhura në shtëpi dhe arratiset më 7.5.1959 në Greqi.

 

Nga këtu, më 18.3.1960 u largua për në Bullgari, prej së cilës, në bazë të amnistisë, më 9.5.1960 riatdhesohet në Shqipëri. Me të mbërritur, fillon punë sportelist në arkën e kursimeve Gjirokastër. Fillimisht, më 22.3.1960 u arrestua mamaja e tij, Sevastia dhe tezja Eleni, të akuzuara për moskallëzim krimi, duke u dënuar me 4 dhe 2 vjet heqje lirie me vendimin nr.5, datë 18.4.1960 të Gjykatës Popullore Gjirokastër. Këto bëheshin fajtore për mosdenoncimin e Janit kur kish qenë shef llogarie dhe arkëtar në kooperativën bujqësore të Poliçanit, për rreth 33.000 lekë që kishin pasur në shtëpi të lëna nga Jani. Pra, gjithë mekanizmi i vënë në lëvizje pas riatdhesimit të Janit. Më pas, çështja vijoi për Janin në një gjykim politik me karakter të theksuar agjenturor.

 

U arrestua më 30.7.1960. U akuzua në bazë të neneve 64 dhe 80/1 të Kodit Penal, duke nisur kohë më parë se qysh kur kishte kryer kursin e llogaritarëve në Shkodër në vitin 1957, kishte dëgjuar radiot amerikane, jugosllave e greke. Janit i visheshin akuza të rënda agjenturore sikur ky të kishte pasur detyra të larta shtetërore dhe të posedonte informacione të rëndësishme. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e drejtuar nga major Sami Abazi, me pjesëmarrjen e zëvendësprokurorit major Ziver Çamit, me vendimin nr.25, datë 10.4.1961 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, me konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.39, datë 5.6.1961, të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Por me dekretin nr.3292, datë 20.6.1961 Presidiumi i Kuvendit Popullor, i fali jetën dhe ia kthen dënimin me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 21.1.1980 nga Reparti nr.309 Ballsh.

Në foto: Jani Qehaja

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here