Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare, Tomor Dosti, ish-i dënuar politik i diktaturës dhe aktivist politik dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, pas rënies së saj.
Si emri dhe mbiemri i Tomor Dostit flasin për kontributin, por edhe për përndjekjen e gjatë që ai dhe gjithë familja përjetoi në diktaturë. Tomor Dosti u lind në Gjirokastër në vitin 1930. Ai u përball me vështirësi të jashtëzakonshme që në moshë të njomë, kur në moshën 14-vjeçare, i humbi të dy prindërit brenda pak ditësh. Të ëmën ia pushkatuan gjermanët gjatë tërheqjes nga Tirana, pasditen e 16 nëntorit 1944. Vetëm pak ditë më parë, i ati, ish-ministri dhe eksponenti i Ballit Kombëtar, Hasan Dosti ishte larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar hakmarrjes komuniste. Ai mori me vete djalin 17-vjeçar, Luanin, ndërsa me fëmijët e tjerë që mbetën në Shqipëri nuk do të takohej më. Ata të shtatë provuan mbi shpinë përndjekjen e diktaturës. Të gjithë u internuan, ndërsa katër, Shanishaja, Viktori, Tomori dhe Leka, edhe u burgosën.
Tomori u dënua në vitin 1953 me 25 vjet heqje lirie "për tentativë arratisjeje". Vuajti në burgun e Burrelit, aty ku mbaheshin ata që konsideroheshin armiq të rrezikshëm të regjimit. Pas lirimit nga burgu, iu bashkua familjes në internim. Vetëm rënia e diktaturës do të sillte ndalimin e përndjekjes së tij dhe të familjes.
Në vitin 1991, Tomor Dosti iu bashkua Partisë Demokratike duke qenë edhe nënkryetar i saj gjatë viteve të para. Ai krijoi me Pjetër Arbnorin, Leka Totën, Uran Butkën, Ajet Rusin dhe të vëllanë, Lekën, një profil të djathtë të partisë së re, me moralitet kombëtar. U zgjodh deputet në dy legjislatura 1991-1996, ndërsa më 1998 u tërhoq nga politika aktive.
Me shumë vite dënimi personal dhe familjar, ai mbetet një emër i njohur në listat e dhimbshme të të përndjekurve të diktaturës, por edhe një figurë që u angazhua pas rënies së saj, në ndërtimin e një shoqërie demokratike në vend.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
