Dekreti me të cilin u internuan dhe dëbuan familjet antikomuniste në Shqipëri, dhe të gjithë të tjerët, të shpallur kohë pas kohe armiq të pushtetit, u hartua sipas modelit sovjetik. Një relacion i hartuar nga Ministria e Brendshme, më 22 prill 1954, zbulon se si dhe pse u hartua ky dekret si një masë administrative, e cila më vonë u zbatua mbi të gjithë familjet e kundërshtarëve të komunizmit, deri në rënien e regjimit komunist. Në këtë relacion shkruhet:
“Duke marrë parasysh nga njëra anë se dekret-ligja nr. 649, datë 10/1/1949 “Mbi zbatimin e dënimit të dëbimit dhe të konfiskimit si masë administrative” bie në kundërshtim me dekretligjën Nr. 1836, datë 22/III/1954, “Mbi konfiskimet”, simbas së cilës konfiskimet në përgjithësi kalojnë në kopetencën e Gjykatave dhe nga ana tjetër, duke u nisur nga fakti që në dekretligjën e mësipërme nuk janë të kjarta nocionet e dëbimit dhe internimit si dhe kuptimi i tyre, gjë që pengon organet tona në punën e tyre, propozojmë abrogimin e dekret-ligjës nr.649 datë 10/1/1949 “Mbi zbatimin e dënimit të dëbimit dhe të konfiskimit si masë administrative”, dhe nxjerrjen e një dekret ligje të re mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative, projekti i së cilës i bashkangjitet këtij relacioni.
Në përpilimin e projektit, u shfrytëzua legjislacioni sovjetik përsa i përket internimit dhe dëbimit si masë administrative si dhe u muarën parasysh dispozitat e neneve 21 dhe 22 të kodit penal t’onë.
Në projektin t’onë parashikohen në mënyrë të kjartë personat kundër të cilëve mund të aplikohet internimi dhe dëbimi si masë administrative si dhe jepet përkufizimi i kuptimit të pjesëtarit të familjes të personit që ndodhet i arratisur brenda ose jashtë vendit.
Vlen të theksohet, gjithashtu fakti që në këtë projekt paraqitet e nevojshme pjesëmarrja e prokurorit të përgjithshëm ose e zëvendësist të tij në mbledhjet e komisionit të veçantë të internimit dhe dëbimit si dhe ushtrimi i protestës nga ana e tij në këshillin e Ministrave në rastet kur nuk e gjen me vend vendimin e Komisionit të sipërm, gjë që siguron kontrollin nga ana e organeve të prokurorisë për mbrojtjen e ligjshmënisë.
Ministri i Punëve të Brendshme
Gjeneral Leitnant
p.(Mehmet Shehu)
(Kadri Hazbiu) d.v.
Dakt.D.XH.
22/4/1954
Relacionit të mësipërm, ju bashkëngjit edhe projekt-dekreti i mëposhtëm, mbi internimin dhe dëbimin si masa administrative dhe u dërguan për aprovimin në Këshillin e Ministrave.
Ja çfarë parashikonte ky projekt-dekret:
Projekt–dekret mbi Internimin dhe dëbimin si masë administrative
Neni 1.
Kundër personave që paraqesin rrezikshmëri shoqërore, mund të vendoset si masë administrative internimi ose dëbimi. Dëbimi kundër të huajve mund të vendoset edhe me nxjerrjen e tyre jashtë kufijve të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Neni 2.
Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjestarëve të familjes së të arratisurit Brenda ose jashtë shtetit.
Quhen pjestarë të familjes personat që bashkëjetojnë me të arrestuarin si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat si dhe persona të tjerë që bashkëjetojnë me të ose janë në ngarkim të tij.
Neni 3.
Internimi dhe dëbimi, si masë administrative vendoset nga një komision i veçantë. Po nga ky Komision kërkohet, kur është rasti, edhe marrja e masës së konfiskimit mbi pasurinë e t’arratisurit.
Neni 4.
Komisioni i veçantë i përmendur në nenin e më sipërm përbëhet nga 7 veta që caktohen me dekret të presidiumit të Kuvendit Popullor dhe kryesohet nga Ministri i P.Brendëshme. në mbledhjet e Komisionit merr pjesë edhe prokurori i Përgjithshëm ose zevëndësi i tij.
Neni 5.
Masa administrative e internimit ose e dëbimit mund të revokohet nga komisioni edhe para mbarimit të afatit të caktuar në vendimin e tij.
Neni 6.
Kundër vendimeve të Komisionit mund të bëhet protest në këshillin e Ministrave nga prokurori i përgjithshëm.
Neni 7.
Afatet e caktuara nga nenet 21 dhe 22 i kodit penal zbatohen edhe për internimin dhe dëbimin si masë administrative.
Neni 8.
Me zbatimin e këtij dekreti ngarkohet Ministrija e P.të Brendshme
Neni 9.
Dekret-ligja nr.649 datë 10/1/1949 “Mbi zbatimin e dënimit të dëbimit dhe të konfiskimit të pasurisë si masë administrative” mbetet pa fuqi.
Neni 10
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Dakt.D.XH.
22/VI/1954
Katër ditë më vonë, me 26 prill 1954, Këshilli i Minsitrave e aprovon projekt dekretin mbi Internimin dhe dëbimin si masë administrative, me disa korrigjime të vogla si fjala “I arrestuari në nenin 2” duhej shkruar “I arratisuri” apo në nenin 3 kur fjala “propozohet të zëvendësohej me fjalën “kërkohet”.
Siç shihet në praktikën e mëpasme të shkresave vihet re se, ky projekt–dekret i aprovuar nga Këshilli i Ministrave i dërgohet me 1 korrik 1954 Presidiumit të Kuvendit Popullor për shqyrtim dhe dekretim konform nenit 58 të Kushtetutës së RPSH, dhe me 4 Gusht me një shkresë përcjellëse, nga Presidiumi dërgohet në Këshillin e Ministrave i miratuar dekreti “Mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative”.
Prej kësaj kohe, bazuar mbi këtë dekret, për vite me radhë, një komision i përhershëm i ngritur në Ministrinë e Brendshme, lëshoi qindra vendime për familjet e të dënuarve politik në Shqipëri.
Më poshtë, Kujto.al sjell të gjithë shkresat që dëshmojnë hapat e hartimit deri në shalljen e dekretit mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative, i cili mbeti në fuqi deri në vitin 1991.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.