Misteret e pusit-varr në qendër të Sarandës

0
1071
blank

Zoica Nini: Si ma vranë babanë dhe eshtrat ia hodhën në pusin para degës së brendshme

Nga Luljeta Progni

Është një vend në qendër të Sarandës, ku një grua e moshuar shkon çdo 6 maj e vendos një tufë me lule, qan e lutet. Për ata që nuk e njohin, duket sikur lulet, lotët e lutjet shkojnë drejt askujt e askundit.

Rreth 100 metra përtej godinës që dikur ishte dega e brendshme e Sarandës, ndodhet një bunker, i cili është kthyer në muze për krimet e komunizmit. Përballë tij gjendet një pus, që në Sarandë e quajnë pusi-varr. Nuk ka asnjë pllakatë apo shenjë që e dallon atë pus nga të tjera objekte që gjenden në atë territor.

blankZoica Nini është 73 vjeçe, ajo shkon çdo vit atje sepse janë aty eshtrat e babait të saj. Zoica ishte vetëm dy-muajshe kur regjimi komunist vendosi ta vrasë e ta gjymtojë babain e saj, Foto Nini. Ai ishte vëllai i dy dëshmorë të LANÇ, Kiço dhe Pavllo Nini. Eshtrat e dy vëllezërve dëshmorë të LANÇ janë në varrezat e dëshmorëve dhe emrat e tyre janë në lapidarin e fshatit Nivicë-Bubar. Ndërsa eshtrat e vëllait të tyre Foto Nini, janë në atë pus ku për fat të keq, janë hedhur kufomat e dhjetra të pushkatuarve si kundërshtarë të regjimit.

Zoica nuk e ka parë kurrë babanë e saj dhe kurrë nuk e mësoi arsyen pse regjimi e vrau dhe e hodhi në atë pus varr. Zoica ka mësuar nga gjyshja e saj Marta Nini, se babai Foto Nini u vra mizorisht nga regjimi komunist, kur Zoica ishte vetëm dy muajshe.

Ma ka rrëfyer gjyshja Martë

“Foto erdhi i lodhur nga stani në mal ku qe çoban me pak dhi, që të mbanim frymën gjallë. Të puthi ty që ishe 2-muajshe dhe përkëdheli vëllain tënd që ishte gjithashtu dy muajsh, i cili nuk pati jetë të gjatë, se u sëmur dhe vdiq pa mbushur vitin”, nis kështu rrëfimi i gjyshes që mban mend Zoica. E ka dëgjuar me mijëra herë këtë rrëfim, sepse është rritur nga gjyshja Marta. Ajo ishte një plakë me brengë të madhe në zemër, sepse i kishin vrarë tre djemtë. Vazhdon rrëfimi i Zoicës...

Pasi na kishte puthur ne fëmijët, babai ishte shtrirë të çlodhej pak. Papritur, u dëgjuan zëra të fortë që thërrisnin:

-O Foto Nini, o Foto Nini… Gjyshja kishte dalë tek porta dhe ata e kishin pyetur për babain se a ndodhej në shtëpi. Gjyshja u tha se ndodhej brenda dhe qe shtrirë për t’u çlodhur. Ata i kërkuan t’i thoshte tim eti që të dilte pak tek porta. Babai doli dhe ata i thonë të shkonte pas tyre. Babai diçka nuhati dhe u kërkon që të vishet, por ata i thanë të shkonte ashtu siç qe, se do të kthehej shpejt. Zëri i tyre nuk i pëlqeu gjyshes. Kish hakërrim, mëri, tërbim, pabesi, dukeshin si hungërima hienash dhe vampirësh gjakpirës. Zemra e nënës që ndjen shumë, parandjeu se diçka e keqe po i kurdisej të birit dhe zemra e saj qe e helmuar se dy djem i kish lënë në lutën Na Çl si dëshmorë e plaga e shpirtit nuk i qe mbyllur, megjithëse për nënën nuk mbyllet kurrë. Kështu që vendosi t’u shkonte nga pas. Pa kaluar as dy-tre metra nga porta ata shpërthyen në ulërima, e kapën babain nga krahët duke e zvarritur dhe goditur me shkelma, madje kishin mbledhur edhe shumë nga komuniteti egjiptian, që janë të shumtë në Sarandë, dhe e godisnin babanë me gurë e sende të tjera, me ç’të mundnin e ç’të gjenin, pa le më sharjet e fyerjet. Trupi i babait u mbulua me gjak. Gjyshja bërtiste nga pas se çfarë u kish bërë djali e ç’kishin me të. Kështu vazhdoi gjatë gjithë rrugës, derisa e futën në Degën e Punëve të Brendshme. Aty gjyshja nuk e ndoqi dot më se nuk e lejonin brenda”, rrëfen Zoica.

Fundi fatal i birit të vetëm

blankMëngjesin e ditës tjetër, Marta do të merrte lajmin e tmerrshëm për birin e saj. Foto Nini kishte ndërruar jetë në kushte mizore, i lidhur këmbë e duar dhe i kthyer me kokëposhtë i varur në një litar. Martës ia kishte rrëfyer një pasturuese e Degës së brendëshme kohë më vonë. Dudija ishte pastruesja, se ashtu i thërrisnin në Sarandë. Ajo i kishte kërkuar mijëra herë që mos të tregonte se kështu mund të përfundonte në burg. “Në mëngjes Dudia kish parë rrobat e tim eti në oborr të hedhura e të mbuluara nga gjaku. Gardiani K.V. i bërtiste me të madhe t’i merrte e t’i digjte diku në një cep rrobat e atij qeni. Po ç’kish ndodhur atë natë të zezë? Pasi i kishin torturuar çnjerëzisht babain dhe tre të arrestuar të tjerë, i varën kokëposhtë dhe roje i vunë gardianin K. V. Rojën e zuri gjumi dhe të katërt të arrestuarit e varur kokëposhtë, ca nga torturat e ca nga qarkullimi i gjakut që u ra në tru, vdiqën. Mëngjesi i një korrikut i gjeti të vdekur babain dhe tre të arrestuarit e tjerë Ilia Gogoni, Spiro Marangoi nga Delvina dhe Gaqe Muzina. Babait i masakruan kufomën duke i thyer këmbët dhe duart, lanë një kufomë pa gjymtyrë. Por histeria e gjakpirësve të pamëshirshëm që vërsuleshin si hienat e uritura mbi gjahun e pafajshëm , nuk kish mbaruar këtu. Të katër viktimat e masakruara i hodhën në pusin e degës së punëve të brendshme, pus që italianët e kishin bërë për të pasur ujë të pijshëm, por pushteti komunist e mbushi me gjak , eshtra dhe fate të njerëzve të pafajshëm”, i rrëfen kështu fjalët  gjyshes, Zoica Nini.

Pusi i kuq

“Tek ai pus qenë hedhur dhe më para e më pas babait edhe të tjerë viktima dhe nuk dihet numri i tyre. Këto tregonte Duduja e mirë duke e porositur gjyshen dhe nënën të mos bënin zë. Por këto i tregon më pas në vitet e demokracisë nga interesimi i të afërmve edhe vet ish gardiani K.V. Ky ishte 24-orëshi i fundit i babait tim që iu pre jeta në mes në mënyrë kriminale dhe u zhduk në mënyrë misterioze trupi i tij i vdekur nga pushteti komunist i sapovendosur i Enver Hoxhës. Zoica thotë se jeta e tyre kaloi nën një kalvar të dhimbshëm e të mundimshëm mes një trajtimi të keq si reaksionar. Gjyshja deri sa vdiq e mbushte pjatën e gjellës me lot. Qante të tre djemtë e sajë, dy dëshmorët dhe armikun e pafaj e të pavarur. Por ama i trajtonin si reaksionar, por kurrë nuk u thanë një fjalë për babain.

blankZoica dhe kushërira e saj Vasillo,  thonë se nuk kanë reshtur së kërkuari; së pari, arsyen e arrestimit dhe pastaj vrasjen dhe zhdukjen misterioze të Foto Ninit. Por askush nuk u jep një përgjigje të saktë, përveçse: Nuk kemi dokumente, kjo edhe nga arkivi i Ministrisë së Brendëshme.  Kjo odise kërkimi nis zyrtarisht që nga viti 1977 e deri sot, por ka vtëm heshtje”, .

Foto Nini u arrestua dhe u vra brenda natës, pa asnjë akuzë dhe pa poçes gjyqësor, në atë godinë të ndërtuar nga italianët dhe në vitet e para të çlirimit u kthye në degën e punëve të brendshme të Sarandës. U hodh në atë pus ku thotë se janë hedhur shtra e shumë të tjerëve. Dhë piëkrisht për këtë  Zoica e ka një pytje që i drejtohet pushtetarëve e ish-pushtetarëve të dy kohëve: Pse heshtet për këtë pus-varr, cilat janë viktimat dhe pse u hidhen në atë pus kufomat e tyre?

Rrëfimi i Zoica Ninit bashkë me fotografitë, janë marrë në atikullin me titull: Pse heshtet për varrin masiv të viktimave të ish-degës së punëve të brendshme të Sarandës?!, botuar në gazeta Telegraf, me autor Agron Mema.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here