Minella Deli, arratisje e bujshme dhe vuajtje mbi 22 vjet burgim

0
216
blank

Një histori e pabesueshme e disa personave që vuajtën shumë vite burgim i takon viteve ’60. Njëri ndër ta, Minella Miltiadh Deli, lindur më 20.5.1939 në Korçë, qytetar i mesëm, me profesion axhustator e marangoz, vuajti shumë vite në burgjet e kampet e diktaturës komuniste. Një histori e pabesueshme burgimi e një grupi korçarësh, të cilët, pasi realizuan suksesshëm arratisjen, ranë pre e pabesisë jugosllave. Minella u burgos 29 vjeç dhe doli prej andej 51 vjeç.

Minella së bashku me shtetasit Vasil Treni dhe Jani Sterjo (ky i porsadalë nga burgu), arritën të realizojnë arratisjen në Greqi më 26.6.1966 midis piramidave 42 dhe 43 në Gjirokastër.

Në Greqi, ata u njohën me të arratisur të tjerë si: Pandi Sterjo, Petraq Papadhami, Thanas Papadhami, Vasil Sterjo, Todi Nako dhe Bujar Hysollari. Të gjithë u arratisën për qëllimet e tyre dhe aspak për spiunazh. Do akuzoheshin më pas se ishin vënë në shërbim të agjenturës greke, se kishin dhënë informata për tanket, artilerinë, kalibrin e topave, se kishin shpifur e errësuar “arritjet madhështore” të Shqipërisë. Ky grup, së bashku, u largua nga Greqia nëpërmjet kufirit greko-jugosllav për të shkuar atje ku kishte synimin, në vendet perëndimore.

Por pala jugosllave u tregua e pabesë dhe i përmbysi ëndrrat e tyre. Më 18.1.1968 ajo dorëzoi në Qafë Thanë: Minella Delin, Pandi Sterjon, Vasil Trenin, të cilët menjëherë u akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 14 të Kodit Penal.

Gjykata e Qarkut Korçë, e drejtuar nga Gaqo Floqi, me pjesëmarrjen e prokurorit Llazar Kamberi, me vendimin nr.10, datë 21.6.1968, i deklaroi fajtorë të gjithë. Dënoi Pandi Sterjon dhe Todi Nakon me vdekje, pushkatim, ndërsa Minella Delin dhe Vasil Trenin me 25 vjet heqje lirie e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.83, datë 8.7.1968 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, por të dënuarve me vdekje dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. U lirua më 12.10.1990 nga Reparti nr.305 Përparim. Endrrën e realizoi pas daljes nga burgu, teksa shkoi në SHBA. Atje edhe vdiq në Ilinois më 18.10.2021.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here