Krijimi i gjykatave ushatarke/“E panevojshme që dëshmitari të ketë parë me sytë e tij”

0
162
blank

U ngritën me shpejtësi për të dënuar krimet e luftës dhe zbatuan dënime politike. Sipas urdhrave, për arrestimet nuk ishte e nevojshme që dëshmitarët t’i kishin parë me sytë e tyre ato që dëshmonin. Ndërsa dëshmitë e atyre që provonin pafajësinë e “kriminelëve”, nuk do të pranoheshin

 

Me vendosjen e qeverisë në Tiranë, Partia Komuniste formoi me urgencë Komisionin Qendror për Krimet dhe Kriminelët e Luftës, me në krye ministrin e Drejtësisë (Në atë kohë, ministër Drejtësie ishte Manol Konomi, i cili e mbajti këtë detyrë nga 23 tetor 1944-5 mars 1951-shënim i kujto.al).

Më 22 dhjetor 1944, komisioni u drejtoi një qarkore këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefektruave, të cilat i udhëronte: “të krijohen me urgjencën më të madhe komisionet hetuese për zbulimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës, qofshin këta shqiptarë apo të huaj”.

Komisioni Qendror përcaktoi kriteret, se cilët do të konsideroheshin kriminelë lufte. Për dënimin e tyre u krijua gjykata speciale dhe në çdo qark u formuan gjykatat ushtarake. Komisionet e prefekturave dhe nënprefekturave u urdhëruan të fillonin menjëherë nga detyra “duke vënë në lëvizje gjithë Frontin Nacionalçlirimtar, gjithë organizatat që marrin pjesë në këtë front, për të grumbulluar faktet e nevojshme për provën e fajësisë të kriminelëve të luftës”.

Nëse nuk do të gjendeshin faktet kundër atyre që do të arrestoheshin, “për zbulimin e këtyre personave ka për të qenë edhe opinioni i përgjithshëm i popullit”. Kur edhe opinioni i përgjithshëm i popullit ishte pozitiv për ta, "do të mjaftohet me deponimet e disa personave të ndershëm për të bërë të besueshëm fajet që u ngarkohen të pandehurve”. “Nuk është asapk e nevojshme që dëshmitari të ketë parë me sytë e tij faktin e raportuar, urdhëronte ministri, por mjafton që të ketë dëgjuar të flitet mbi të në popull”.

Gjykatat u urdhëruan që në proceset gjyqësore të mos pranoheshin dëshmitarë dhe dëshmitë që do të provonin pafajësinë e “kriminelëve”, madje u paralajmërua se do të merreshin masa kundër çdo personi “që në të ardhmen do të japë firmën e tij”.

Dëshmitarët duhet t’i jepnin dëshmitë e tyre në Ministrinë e Drejtësisë, e cila, pasi i manipulonte, plotësonte dosjen gjyqësore të “kriminelëve të luftës” dhe ua kalonte gjykatave.

Marrë nga “Skenarë të Përgjakur (Përmeti 1943-1990)”, Xhafer Sadiku, ISKK. Autori ka përdorur të dhënat e Arkivit Qendror të Shqipërisë.

Fotoja kryesore: Pamje nga Gjyqi Special, 1945

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here