“Kjo parti zëvendësoi punën e një kali me të disa gomarëve”

0
0
blank

Kozma Gaqo Dadolli, lindur në Hoçisht të Korçës në vitin 1937, me banim në Pogradec, është njëri nga të dënuarit politikë të regjimit komunist. Në vitin 1961 kish mbaruar Universitetin e Tiranës si inxhinier mekanik. Punoi në ndërmarrje të ndryshme të Pogradecit, por vitet e fundit (1979-1982) ish goditur dhe emëruar punëtor e kryebrigadier në sektorin e minierës së qymyrgurit Dardhas. U arrestua më 15.1.1982. U akuzua në bazë të neneve 55/1, 53 dhe 63 të Kodit Penal. Vihej re se veprimtaria e tij ishte e përfshirë në agjitacion e propagandë. Këto i fillonte nga vetja kur ishte ulur nga inxhinier të punonte si punëtor. Këtë e vlerësonte se Partia e Punës, punën e një kali e zëvendësonte me disa gomarë. Po ashtu ishte shprehur për nivelin e ulët të jetesës dhe se një ditë ky regjim do të binte. Citohet se fliste për historinë e atij emigrantit, i cili erdhi nga jashtë në Shqipëri me premtimin se do dërgonte një foto për gjendjen këtu. Po të ishte gjendja e mirë do sillte një fotografi në këmbë. Po të ishte e keqe do sillte një fotografi ulur në karrige. E në fund kish dërguar një foto ku pozonte i shtrirë barkas. Kozmai ishte shprehur për rrogat e vogla në Shqipëri, për kotësinë e votimeve, etj.. Për ta bërë dënimin më të plotë, iu vunë edhe disa vepra penale që kishin të bënin me veglat e punës (kaçavida, çelësa, etj.) që mbante me vete dhe dëmin e sjellë nga 4 elektromotorë.

Po ashtu në dosje janë fotografitë e disa veprave të Enver Hoxhës, të cilave iu hoqën fotografitë, por në akuzë nuk iu shtuan.

Çështja vijoi më pas për përdorim të brendshëm në informacionin nr.2363, datë 26.4.1983 të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit të MPB-së, për zbulimin e “sabotatorit Kozma Dadolli”, i cili u nënshkrua nga zëvendësministri Zylyftar Ramizi. I jepej theksi në një veprimtari sabotuese të Dadollit, kur në fakt bëhej fjalë vetëm për prishjen nga vjetërsia të 4 elektromotorëve, ndërsa të tjerat ishin vegla pune të personit në fjalë.

Gjykata e Rrethit Pogradec, me vendimin nr.33, datë 22.6.1983, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet dhe heqjen e një dekorate që mbante; zhdëmtimin e minierës së qymyrgurit Alarupi, sektori Dardhas në vlerën e 2468 lekëve dhe disa vegla pune të vogla minierës së Gurit të Kuq e parkut të mallrave. Të gjitha këto që i viheshin në ngarkim me vlera sabotazhi ishin sendet personale të punës.

U lirua më 17.3.1991 në bazë të dekretit nr.7471, datë 12.3.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kozmai ka vdekur para disa vitesh në qytetin e Pogradecit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here