Mbesa e Musine Kokalarit, Karolina Kokalari tregon si e mban mend hallën. Vajza brilante që vuajti dënimet më të rënda të sistemit komunist: Pushkatimet e dy vëllezërve, dënimi me 20 vite burg dhe më pas internimi bashkë me të ëmën.
Musinesë i morën gjithçka, megjithatë ajo qëndroi deri në fund dhe kurrë nuk u dha mundësinë persekutorëve ta shihnin me lot në sy.
Dëshmia e plotë e Karolina Kokalarit, dhënë për kujto.al, si më poshtë:
Ajo është lindur në Adana të Turqisë dhe ka ardhur më vonë kur ishte e vogël, ka ardhur në Gjirokastër. Gëzimi i familjes Kokalari që të lindte një vajzë në familje, pas 3 djemsh, ishte jashtëzakonisht i madh. Vëllezërit e mëdhenj, Muntazi, i pari, kishte lindur në 1896, kurse Vejsimi në vitin 1898. Musineja, që është e 1917-ës, ishte fëmija i vogël. I treti vëlla ishte Hamiti, ai ka lindur në 1909. Kur erdhi në jetë Musineja, ishte një gëzim shumë i madh... kush e kush më tepër ta gëzonte e ta admironte. Ajo kuptohet që u rrit në mes të një ambienti shumë dashamirës, ku pati jo vetëm dashurinë, por edhe përkushtimin e vëllezërve dhe të gjithë fisit. E shikonin me një admirim të jashtëzakonshëm. Ajo atje kaloi një pjesë të fëmijërisë, pastaj në 1920 erdhën në Tiranë. Ajo e përshkruan Gjirokastrën me një dashuri të jashtëzakonshme. Edhe në librin e saj që e shkruajti në ditët e fundit të saj, ajo e kujton Gjirokastrën me mall.
Që e vogël kishte zakon të dëgjonte përralla, edhe t’i stimulonte si të thuash. Sa herë vinin njerëz ajo do t’u kërkonte ndonjë ngjarje, ndonjë histori dhe i dëgjonte me admirim. Më vonë, filloi edhe t’i shkruante. Gjyshi më tregonte që krenohej me Musinenë, ashtu siç ishte e vërteta dmth, që duhej krenuar me të. Por aq sa e mirë që ishte, aq nuk i eci fati për shkak të vuajtjeve që iu shkaktuan. Kur erdhën në Tiranë, në fillim studioi te shkolla e motrave Qiriazi, por pastaj shkolla u mbyll dhe ajo vazhdoi të studionte në shkollën “Nëna Mbretëreshë”. Gjithmonë spikaste, gjithmonë tregohej e dashur dhe shkonte mirë me shoqet, kishte një kulturë të gjerë prej ambientit familjar. Babai im kishte një librari. Harrova t’ju them që në liceun e Gjirokastrës, Muntasi dhe Vesimi ishin profesorë, kurse i treti ishte akoma nxënës. Më pas, vëllai i vogël i vazhdoi studimet në Francë. Pra, ishte një familje shumë e ngritur nga ana kulturore dhe kjo ndikoi në kulturën e Musinesë, në dashurinë për librat, në dashurinë për leximin. Sigurisht, ishte aftësia e saj e jashtëzakonshme që të merrej edhe me shkrime. Ajo u vlerësua edhe nga shumë figura të ndritura letrare. Kur fillon të shkruajë, libri i parë që ka shkruar, "Siç më thotë nënua plakë", është një libër me tregime të ndryshme, shumë të bukura e shumë prekëse. Nëse i lexon ashtu siç duhet, në dialektin gjirokastrit, çuditesh me fjalorin që përdor dhe me mënyrën se si e përdor aq bukur, si kur i thotë nëna e saj: “Kur do të marrësh vesh nga zakonet tona, biro, u rrite, bëj pajën, s´është nevoja të shkruash nga këto”, por ajo donte të shkruante dhe ka krijuar ato tregimet e shkurtra, por fantastike.
Kur e mban mend se ishte takimi me të për herë të parë?
Është një gjë që unë nuk e mbaj mend, por Musineja e tregon në librin “Jeta ime universitare”, kur mbaroi të mesmen këtu dhe vajti në Sapienza në Romë. Tërë familja ishte mbledhur atë mëngjes kur do nisej Musineja. Ajo shkruan ”Kur po përgatisja plaçkat, duart e mbesës sime nuk më shqiteshin nga qafa. Karolina qante me të madhe sepse do ikja unë”. Isha vetëm dy vjeç, kuptohet që nuk mbaj mend. Jeta e saj ishte e vuajtshme. Mbaroi mësimet shkëlqyer, u kthye në Shqipëri. Tragjedia e madhe i ndodhi në 1944, në 12 nëntor. Ne i thonim rruga e Shkodrës atëherë ose rruga e burgut të vjetër. Nuk di tani si t’ua shpjegoj, diku rruga Mine Peza më duket se është. Lagjja përpara, nuk dilnim dot, se ishte e bllokuar nga gjermanët. Ishte lufta për çlirimin e Tiranës. Rruga ishte e bllokuar, partizanët hynin nga muret, që na i morën baballarët neve. Të gjithë ishim zhvendosur te shtëpia e Veli bej Jubës që quhej atëherë, u bë një Komiteti i Shkencave. U vendosëm në bodrum nga rreziku i luftimeve. Atje erdhi dikush nga ora 12.00, që kërkonte për vëllezërit Kokalari.
Im atë tha: ”Gjersa më kërkojnë, do të dal”, kurse mamaja rrinte si e ngrirë. Ndërkohë vëllanë e madh, Muntazin, e kishin gjetur diku në koridor, ai erdhi tek dhoma për të marrë kapelen. Kurse vëllai i tretë ishte me tifo, me temperaturë 39-40, në luftë me vdekjen. Sapo ishte fejuar në atë kohë dhe e fejuara i qëndronte te koka. Do t´i merrnin të tre vëllezërit, nuk mjaftonte vetëm njëri. Dërguan edhe një doktor italian për ta parë nëse ishte me të vërtetë i sëmurë a jo. I morën dy vëllezërit e parë. I morën për t´i pyetur menduam ne. Kjo ishte data 12, më 17 u çlirua Tirana. Pritëm se do të vinin, një ditë, dy, tri, kuptohet shqetësimi që kishim ishte i madh. U endëm duke i kërkuar dhe pas 20 e ca ditësh, në kafen e hotel Bristol, u gjendën kufomat e tyre. Gjatë kësaj kohe, Musineja ishte arrestuar ca ditë, dhe kur doli nga aty, mori vesh për pushkatimin e dy vëllezërve. Goditja qe shumë e madhe, vajtimi qe i madh. Të mendosh dhimbjen e gjyshes që i ikën dy djemtë... Ndërkohë, harrova t’ju them se gjyshi ishte në Itali, ishte i sëmurë me tuberkuloz, por edhe me diabet, kishte shkuar për kurim atje.
Unë e vogël dëgjoja muhabetet që bëheshin në shtëpi, që thonin se ”Kur të vijë Efendiu, do t´i themi që ishin djemtë atje tek dera, ra një bombë dhe i goditi të dy”. Mbaj mend kur kishte ardhur gjyshi dhe ishte atje tek dhoma e zjarrit, se ai ishte dhe pak nervoz nga natyra, në krahasim me gjyshen.
Filloi të thoshte: ”Ç'do të thotë kjo, si mund të të vijnë të t´i marrin djemtë në shtëpi dhe të t´i vrasin, por si mund të bëhet kjo punë?!”.
Por çfarë mund t´i thoshim, nuk dinim si t´i jepnim përgjigje. Musineja arrestohet në janar të 1946. Gjyshi ishte në shtratin e vdekjes, i sëmurë. E mbaj mend si tani, që gatuanin mamaja ime dhe xhaxhesha, se bashkë jetuan... Musineja me një tabaka në dorë, që i çonte ushqimin gjyshit. Kur u arrestua, Musineja ishte e sëmurë. Venin njerëzit e shikonin.
Gjyshi vazhdonte të ishte i sëmurë dhe kur zhvillohej gjyqi, mamaja ime i thoshte: ”Efendi thonë se do ta lirojnë Musinenë”.
Ai i tha: ”Të lumtë goja moj vajzë!” Dalëngadalë, ai vdiq pa e parë vajzën. Kur u dha dënimi, gjyshja, Aneja e shkretë priste të vinte vajza në shtëpi se do ta lirojnë, por ne të tjerët kishim frikë se mos do ta pushkatojnë.
Edhe kur thanë se u dënua me 30 vjet, pastaj ia bënë 20, kuptohet që e ëma Aneja u mërzit shumë, por kur vinin shumë njerëz që e uronin shyqyr që shpëtoi, atëherë i thirri mendjes e tha: ”Po s'e dija që vajza paska qenë në rrezik, që mund edhe ta pushkatonin”.
Filloi kalvari i vuajtjeve për Musinenë, nga njëri burg në tjetrin, për vite e vite me radhë. Për ta arrestuar, e kanë arrestuar te shtëpia këtu, ishte drekë, unë do shkoja në shkollë nga mbasditja. Kur po ikja, erdhën disa njerëz që do të kontrollonin tek tavolina ku punonte Musineja, hapën sirtarët, nuk lanë vend pa kontrolluar. Unë ndalova, nuk po nisesha për në shkollë se po shikoja hallën, Musinenë.
Më thotë mamaja: Përqafoje Musinenë se do ta marrin.
Akoma nuk e merrja vesh se çfarë po ndodhte, se isha 10 vjeçe.
Më puthi ajo, më tha: ”Mos u mërzit”, edhe ika. Kur u ktheva, nuk e mbaj mend veten. Por këtë moment, po. Unë bëja luftë që të flija me të, se gjithmonë e kisha të preferuarën time, kurse ata e morën. Pastaj, ajo qëndroi në hetuesi disa muaj deri në korrik, kur ndërkohë gjyshi kishte vdekur. Në korrik pastaj, u dha vendimi. Do takoheshim me Musinenë si familje pas vendimit. E kishim takuar vetëm dy herë më përpara.
Se mbaj mend një herë kur takoheshim, ishte një si korridor i madh, edhe këtë herë po mendonim: Si do t´i themi Musinesë për babanë? Do t´i themi se është sëmurë shumë.
Kurse kur vajtëm për takim, Musinenë e nxorën nga porta e hekurt, si një rrugicë qorre dhe e rrethuam, në një krah gjyshja, mamaja, xhaxhesha, unë për dore me ato dhe im vëlla. Musineja na tha: Unë nuk kisha bërë ndonjë gjë për t´u dënuar 20 vjet, maksimumi mund të dënohesha 5 vjet. Unë, nxënëse e Sami Frashërit, unë kam kërkuar gjëra me të drejtë, të krijoheshin disa parti, etj.
Ajo na pyeti për babin, ishte Aneja ajo që iu përgjigj: ”Babai iku e të la të keqen”.
Musineja thoshte: ”Po si nuk më thatë, të merrja leje të vija”, se mendonte se mund t’i jepej leje për të parë të atin.
Erdhëm në shtëpi pastaj. Ajo vuajti nga njëri burg në tjetrin. Ka bërë burg deri në vitin 1961. Në 1961, u internua dhe Aneja dhe shkoi së bashku me Musinenë në internim. Ajo vajzë që shkëlqeu në mes të Romës, ajo duhej të vinte të bënte punë të lodhshme fizike. Kur u kthye Aneja në Tiranë, ajo ishte tretur e kishte marrë ''hijen e vdekjes'' dhe këtu vdiq, në duart e mamasë sime. Në një bodrum rrinim, në rrugën ''4 Dëshmorët'', në fund.
Dikush i tha mamasë që mos i thuaj Musinesë të vijë për arsye politike. Mamaja i tha: I vdiqën vëllezërit, nuk i varrosi se qe në burg, i vdiq babai, nuk e varrosi… unë do ta lajmëroj për nënën.
Erdhi Musineja, as shtëpinë nuk e dinte se ne kishim ndërruar shumë herë shtëpinë. E gjeti im vëlla me biçikletë, edhe një grua që e pa rrugës. Erdhi Musineja në shtëpi, qëndroi 3-4 ditë. I tha nënës Xhenaze ”Moj Ane, ti dhe baltën do ta hidhërosh... kaq e hidhur ishte jeta jote”.
Ndenji ca ditë... unë mbaj mend, kisha një kostum që më pëlqente. Ishte bërë me copë të mirë edhe i rrinte tamam Musinesë. Ishte ngjyrë gri. Do ta marrësh, i thashë.
Sa mbaroi internimin, prapë në Rrëshen duhet të rrinte sepse nuk e lejonin të vinte as në Durrës, e as në Tiranë jo e jo. Përfundimisht, ajo qëndroi në Rrëshen. Gjatë kohës punonte atje, në llaç, në baltë. Megjithatë, ajo mbeti e papërkulur, mbeti krenare tërë jetën. Nga të gjitha anët që ta shikoje... ajo ishte një studiuese shumë e mirë, letrare shumë e mirë, shkrimtare, politikane shumë e mirë. Megjithatë, ajo që e bëri më madhështore, është qëndresa e saj. Ajo nuk u përkul asnjëherë. Ajo nuk ua dha kurrë kënaqësinë që ta shikonin me lot në sy.
Biles, vajza e vëllait, Linda, kur vajti në spital që ishte e sëmurë dhe e shikonte, si duket u përlot dhe Musineja i tha: ”Një porosi do të të jap, nuk duhet të të shohë njeri me lot në sy, asnjëherë!” Ajo vuajti shumë me vrasjen e vëllezërve, me gjyqin e saj që iu bë, vdekja e babait po në atë kohë, burgu, internimi e megjithatë, kokën nuk e uli. Prandaj, i tha këto fjalë mbesës, që asnjë të të mos shohë me lot në sy.
Edhe unë mendoj se Musineja është një figurë, qëndresa e saj është një shembull unikal i një figure që nderon çdo komb. Prandaj, kombi shqiptar duhet të krenohet me figurën e Musinesë.
Më përmende pak... gjatë vitit 1946, kur ajo ishte në hetuesi e vizitonit ju të shtëpisë, i shkonit atje te biruca, kishit mundësi?
Ndoshta në hetuesi, nuk e mbaj mend, por kur ajo qe në burg këtu, vazhdimisht shkonim. Përgatiteshin pakot. Kur më tha një e njohur, se vinte na shikonte, atë që rrinim bashkë në shtëpi, e kishte vajzë xhaxhai: ''Harroj unë... unë e shikoja se ç’keni hequr ju, zonja Fejzie si ja bënte pakot dhe vëllai ja çonte me biçikletë.'' Gjyshja qe akoma në gjendje qe mund te ecte, pakot i çonte Hektori dhe vizitohej vazhdimisht nga ne.
Vështirësi për takim më vonë, eshte bere në periudhën e ikjes së saj, që edhe u shtrënguan gjërat. Por ajo kur merrte leje dhe vinte për 15 ditë. Vinte nga Rrësheni për në Tiranë, se kishte edhe vëllain e vogël, Hamitin në Tiranë, por vinte edhe tek ne. Unë, kur isha në Kavajë, se kur isha në Delvinë larg, nuk arrihej. Më thoshin: është nëna sëmurë. E kuptoja unë, ka ardhur Musineja e vija. Disa herë kisha qëlluar në Tiranë. Prapë kur ishim në një bodrum më përpara, shoh ca këmbë që vinin, edhe ulja kokën, e dalloja Musinenë. Por ajo nuk fliste për ato që kishte hequr në burg.
Ndonjëherë thotë njeriu: Do të donim të bënim diçka me shumë për të, sepse ajo meritonte çdo gjë. Edhe fakti që doli nga hija që e kishte lënë regjimi komunist, të kënaq. Të kënaq fakti që jo vetëm flitet për të, por edhe që po vendoset në vendin e merituar. Ajo duke qenë një shembull unikal i qëndresës që krenon çdo komb, e arriti vlerësimin, por ka akoma shumë për të bërë për të. Fillimisht, ajo u shpall Martire e Demokracisë, pastaj Gjirokastra e shpalli Qytetare Nderi, u bë Nder i Kombit në ’90 dhe së fundmi në 8 dhjetor të 2016, mori dekoratën me Urdhër të Flamurit, nga Bujar Nishani. Dmth, po ngrihet sa më lart ajo. Fakti që po futen në tetëvjecare, por edhe në shkollën e mesme këto libra që flasin për Musinenë të mbush me gëzim, por akoma duhet shkruar për të, që të mbërrijë atje ku duhet, se ishte dhe mbetet e jashtëzakonshme.
Gjatë kohës që ishte në burg ose në internim, patët ndonjë shans që të shkonit ta takoje?
Posi, kam shkruar vazhdimisht në burg.
Sa kohë ju linin të bisedonit me të? Ju i çonit pak ushqime, ndonjë gjë nga shtëpia. Sa kohë ju linin gardianët me njëra tjetrën?
Para se t'ju them këtë, do t'ju tregoj një rast kur kishte vajtur daja te burgu, për ta parë Musinenë. Gardiania i kishte hedhur dorën, ai kishte kujtuar se ishte ndonjë shoqe edhe kishte filluar ta pyeste si je këtu, si të mbajnë, se iu duk shumë dashamirëse. Musineja e pa në sy e i tha: “Shumë mirë më mbajnë” duke ia bërë me shenjë, ai e kapi situatën dhe nuk e zgjati më që të dilte nga situata. Por më tepër shkonte im vëlla.
Ju sa herë patët rastin ta takonit në burg?
Nuk i kam numëruar. Por gjatë kohës që ishte në burgun e Tiranës, shkonim shpesh.
Çfarë mbani mend nga ajo, si ju dukej?
Ajo nuk e jepte veten fare. ''Mos u mërzit'', thoshte. Na jepte kurajo, pyeste: ''Aneja si është? Shikoni Anenë. Fejza si është?''
Më vonë, kur mori vesh që vëllait tim i lindi një djalë, që mori emrin e babait, Vesim, kur e kishte takuar, i kishte thënë: ''Të nderosh emrin që ke, prandaj të bëhesh i mirë ashtu si Vesimi.''
Kur ndërroi jetë, kush ishte pranë Musinesë?
Askush!
Ju si e përjetuat në familje, meqenëse ajo u varros nga punonjësit e bashkisë, pra nuk patët mundësi të ishit aty?
Në fakt, ishin dy kushërinj që kishin vajtur qysh më parë. Ata kishin vajtur te njerëzit e gruas për pushime, e vajtën pasi ishte varrosur Musineja. Kurse kur erdhi Aneja këtu, para se te vdiste Musineja, që linda unë djalin, i kishte thënë vëllait tim: ''Hektor se mos na lësh atje, kur të vdesim''. Aneja pati fatin që vdiq këtu, në Tiranë.
Edhe këtë do të them... Më ka thënë një e internuar që ishte më e madhe se Musineja, Prena e quanin atë. E takova më pas, edhe kur bëmë mbledhjet e para, e kisha thirrur dhe qe në presidium atje.
Duke punuar atje, sapo ishin njohur me njëra-tjetrën, ajo e kishte pyetur për emrin.
Dhe kur i kishte thënë ajo: ''Unë jam Musineja'', ajo iu përgjigj, ''Pse ti je ajo Musineja, që kanë dënuar e që kanë folur radiot duke të sharë?!''
''Po unë jam'', i tha Musineja dhe që atëherë u bënë mikesha. Edhe më tregon më vonë, kur Musineja mori telegramin që kishte vdekur Aneja, ne u mërzitëm se si do t'i themi Musinesë, se si do ta ngushëllojmë tani që do të vijë, se ngeli pa nënën e pa asnjë njeri.
Unë u habita, -më tha kjo shoqja-, se kur erdhi tha: “Pati një Zot edhe për mua që më vdiq nëna në mes të njerëzve, kishte të gjithë njerëzit pranë”.
Dua të them... çfarë gruaje kurajoze ishte! Ne po mendoheshim si t’i themi, tha...
Ndërkohë ishte dëgjuar që eshtrat e Gjergj Fishtës u hodhën në lumë. Edhe si të thuash, iu ngrit mendja vëllait tim dhe vendosi, që së bashku me djalin e tij, Vesimin, të venin atje dhe t’i sillnin eshtrat e saj në Tiranë. Varri i Musinesë është këtu, së bashku me të dy prindërit e saj dhe me dy vëllezërit e pushkatuar./kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.