Islam Sadik Zekthi ishte vetëm 23 vjeç kur u arrestua nga komunistët. Ishte tregtar dhe kishte një djalë. Kish mbaruar Shkollën Teknike të Tiranës, një shkollë kjo e themeluar nga amerikanët. Ai ishte një ndër personat me të cilët komunistët hapën burgjet. Data e arrestimit të tij është 10 nëntor 1944, pra një javë para se të “çlirohej” Tirana. Jo pak patriotë u arrestuan pikërisht ato ditë, sepse komunistët morën kontrollin e qytetit atje ku nuk kishte prani të forcave gjermane. Dihej se pushtuesi kishte një numër fare simbolik të forcave ushtarake në kryeqytet, aq sa i duheshin për një evakuim përfundimtar, i cili kish nisur javë më parë nga i gjithë Ballkani.
Akuzat ndaj Islamit ishin vetëm për arsye politike, cilësimi zogist, se kish “penguar luftën e popullit” (por se si mund të pengonte një njeri i vetëm luftën, kjo nuk sqarohej) dhe kish qenë “vegël e okupatorit”, por se si, as kjo nuk thuhej.
Proceset e kësaj kohe të dorës së Bilbil Klosit mbaronin shpejt, një ose pak më shumë se një faqe ishte vendimi i gjykatës.
Si arsyetim dënimi jepej shkresa e datës 7.11.1944 e këshillit nacionalçlirimtar të zonës së lirë, i cili theksonte se në lagje i pandehuri njihej botërisht si “reaksionar i tërbuar dhe sabotator i luftës së popullit”.
Akuza iu shkrua në emër të nenit 15 të ligjit “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të 1-rë Tiranë, e drejtuar nga Bilbil Klosi, me anëtarë komandantin e qarkut Ismail Çaushi, oficerin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit Argjir Lipivani, me pjesëmarrjen e prokurorit major Gjon Banushi, me vendimin nr.105 (regjistri i padive), datë 12.5.1945 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim.
U lirua nga burgu me një dekret të datës 28.4.1949, me të cilin u amnistuan shumë persona.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.