Ukë Shaqir Idrizi, lindur më 6.3.1937 në Petkaj të Kukësit u arratis dy herë jashtë shtetit, në Jugosllavi. Por në të dyja rastet u kthye nga jugosllavët. Vuajti burgime të gjata në vitet 1966-1981 dhe 1987-1991, rreth 17 vjet, të cilat i ndërpreu vetëm se regjimi komunist u përmbys. Hyri për herë të parë në burg në moshën 29 vjeçare dhe doli për herë të fundit kur ishte 54 vjeç. Një ndër rastet tipike që tregon se midis dy regjimeve komuniste kishte marrëveshje për kthimin e atyre që arratiseshin.
Dënimi i parë
U arrestua më 25.7.1966. U akuzua në bazë të neneve 64 dhe 273/II (posedimi i një thike) të Kodit Penal. U arratis në Jugosllavi më 14.4.1966, por autoritetet jugosllave e kthyen në Shqipëri ditën kur u arrestua. Si dhe në rastet e tjera të këtij lloji, bëhej fajtor se “ishte dorëzuar te UDB-ja”, duke u dhënë “informata ekonomike, politike e ushtarake me karakter sekret”, pavarësisht se nuk ishte kurrfarë poseduesi i tyre. Madje gjykata e shkallës së dytë arrinte në përfundimin se pretendimi për një dënim më të butë nuk ishte i bazuar. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Si niveli i ulët kulturor, ashtu edhe qenia ushtar e vëllait të të gjykuarit, nuk e pakësojnë rrezikshmërinë shoqërore të tij. Veç kësaj, në kundërshtim me sa ka pretenduar i gjykuari, është vërtetuar se ai ka shkuar në Jugosllavi për gjithmonë. I gjykuari ka deklaruar se nuk ka dashur të kthehej në atdhe, gjë që tregon se ai nuk është penduar për veprën që ka kryer”.
Gjykata e Qarkut Shkodër, me veprim në Kukës, me vendimin nr.14, datë 10.10.1966, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet dhe konfiskimin e thikës. U la në fuqi me vendimin nr.196, datë 10.11.1966 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në lidhje me dënimin në bazë të nenit 64, ndërsa e deklaroi të pafajshëm për nenin 273/II të Kodit Penal, gjë e cila nuk ndikoi në uljen e dënimit. U lirua më 16.5.1981.
Dënimi i dytë
U arrestua më 29.8.1987. U akuzua në bazë të nenit 47/gj, por edhe të nenit 31/a të Kodit Penal. U arratis në Jugosllavi më 26.7.1987 nëpërmjet postës së Bardhocit, për shkak të njohjes së terrenit dhe punës si minator në Gjegjan. Por jugosllavët e kthyen ditën e arrestimit. Gjykata vlerësonte se i pandehuri kish vepruar kështu ngaqë kishte pasur “bindje të thellë armiqësore kundër shtetit tonë socialist, ka vepruar për t’i realizuar ato në jetë”. Midis të tjerave në vendim thuhej: “Pasi ka qëndruar për rreth 1 muaj në tokën jugosllave ku ka kërkuar edhe strehim politik, është kthyer prej autoriteteve jugosllave në tokën tonë, duke e çmuar ato për veten e tyre të papërshtatshëm”. Gjykata Popullore e rrethit Kukës, me vendimin nr.95, datë 20.11.1987, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.