Ndërsa Zef Oroshi luante rolin e një udhëheqësi shpirtëror të shqiptarëve në diasporë e SHBA, familja e tij përjetonte përndjekjen më të ashpër nën regjimin komunist.
Të largoheshe nga Shqipëria komuniste, kur shumë nuk ia dilnin pasi vriteshin në kufi ose ktheheshin mbrapsht nga forcat jugosllave, ishte një sukses. Por nuk ishte lumturi. Të arratisurit linin pas familjen dhe jetonin me brengën e vuajtjeve të saj nën regjimin komunist. Kështu do të vuante familja e Zef Oroshit dhe ky do të ishte pengu i madh i klerikut katolik.
Zef Oroshi u fsheh në mal më 1951 dhe duke kaluar nga Beogradi dhe Roma, përfundoi në New York. Atje, themeloi kishën e parë katolike shqiptare të cilën e drejtoi për vite me radhë. U shua në vitin 1989, në moshën 74-vjeçare, pa mundur t’i takonte familjarët e mbetur në Shqipëri, të cilët për 40 vjet provuan vuajtjet dhe torturat e regjimit komunist.
Ndoi, i vëllai i dom Zefit, u arrestua dhe ndërroi jetë pas 11 muajve hetuesi. Edhe vëllai tjetër Prendi u burgos.
Anëtarët e tjerë të familjes, nëna, motra Luke dhe gruaja e Prendit me fëmijët, u internuan në Tiranë, Berat, Tepelenë dhe në fund, e mbyllën kalvarin e tyre në Plug të Lushnjës. Gjatë gjithë kësaj kohe, familja mbahej në survejim, ndërsa Zef Oroshi etiketohej si kriminel.
Arratisja e mrekullueshme
“Më 1951, ndërsa po kremtonte Meshën e Shenjtë në Kishën e Ungrejt të Lezhës, njerëz të regjimit komunist, hyjnë në Kishë për ta arrestuar, por me ndihmën e besimtarëve kaloi nga dera e pasme e Kishës dhe u arratis në mal, ku qëndroi tetë muaj në një dimër të egër”, shkruan Vatican News për Zef Oroshin. Më pas, ai shkoi në Jugosllavi nga kaloi në Itali, ku mbaroi doktoraturën në teologji e histori. “Gjatë veprimtarisë së tij meshtarake në Romë dom Zef Oroshi punoi me emigracionin shqiptar që largohej nga vendlindja për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit komunist, e ndihmoi ata që të pajiseshin me dokumente dhe leje për ato shtete ku dëshironin të shkonin, sipas rregulloreve e ligjeve të kohës”, vazhdon Vatican News. Më 1962, ai arrin në SHBA dhe më 1969 hap atje kishën katolike shqiptare duke u bërë një ndër liderët e rëndsishëm të komunitetit shqiptaro-amerikan e duke mos e ndalur denoncimin e diktaturës shqiptare. Por ndërkohë në Shqipëri, familja jetote nën përndjekjen e regjimit komunist që nuk u ndal deri në rrëzimin e këtij regjimit.
Përndjekja komuniste
Sipas Leonora Laçit që ka studiuar dokumentet e kohës dhe ka mbledhur dëshmi të familjarëve, fill pas arratisjes së Zef Oroshit, familja u internua ndërsa dy vëllezër u burgosën.
Ndue Gjok Prendi, vëllai i vogël i mons. dr. Zef Oroshit, arrestohet në vitin 1952 dhe qëndron 1 vit në hetuesi në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës. Këtu ai vdes në moshën 32 vjeçare, duke mos pasur mundësi që t’u mbijetojë turturave shtazarake…Sipas dëshmive që të afërmit kanë dëgjuar, torturat që u bënë në trupin e tij ishin nga më të egrat. Ai është rrahur me dru, deri në shkaktimin e plagëve dhe humbjen e ndjenjave. Më vonë ndaj tij janë përdorur tortura psikologjike dhe fizike që përmbahen në listën e torturave mesjetare, makabre e antihumane që hetuesit komunistë urdhëronin të përdoreshin nëpër burgje ndaj kundërshtarëve politikë.
Prend Gjok Prendi, vëllai i madh i mons. Oroshit, arrestohet në vitin 1952, dënohet me 5 vite burg pastaj në internim duke mos pasur të drejtë civile, që të kthehet në shtëpinë e tij në Mirditë.
Dila Gjokë Prendi, e ëma e monsinjorit, internohet në vitin 1952 në Tepelenë, Tiranë, Lushnjë, ku dhe vdes në internim. Bashkë me të, internohen edhe e motra e Zef Oroshit, Luke, bashkëshortja e të vëllait dhe djemtë e vëllait, Pjetri dhe Gjoni. Madje, Gjoni, vite më vonë, më 12 maj 1966 arrestohet për tentativë arratisjeje dhe dënohet me 11 vjet burg duke vuajtur në kampin me punë të detyruar të Spaçit.
Survejimi i familjes
Në vitin 2020, Tomë Mrijaj publikoi librin “Një jetë i përgjuar, dosja e Sigurimit të mons.dr.Zef Oroshit”, ku sjell materiale nga dosja që Sigurimi kishte për prelatin e kishës katolike, pjesë nga e cila janë publikuar edhe online.
Në një material të datës 18 tetor 1960, me titull: “Mbi vëllezërit e kriminelit dom Zef Çokut (Oroshit)”, që ndodhet në këtë dosje, shkruhet: “Me të sipërmen kërkohen hollësira rreth familjes dom Zef Çokut (Oroshit).
Dy vëllezërit e dom Zefit të quajturit Pren Gjok Prendi dhe Ndue Gjok Prendi (ky i fundit i vdekur), janë internuar qysh në vitin 1953, së bashku me nanën Dilën dhe motrën e tyre Luken, në qytetin e Lushnjës, ku vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot.
Një pjesë e familjes tyre ka banuar në lagjen Varosh të këtij rrethi deri në vitin 1957-1958, kohë në të cilën babai i tyre Preni i ka tërhequr në Lushnje, ku me sa dimë neve ata vazhdojnë të punojnë në fermë.
Përsa i përket qëndrimit politik të familjes së dom Zefit si dhe korrespondencës, që mund të jetë zhvilluar në mes tyre, të kërkohet hollësira rrethit të Lushnjës dhe atij të Pukës, mbasi ashtu siç theksuam më sipër ata banojnë në këto dy rrethe”.
Në një tjetër dokument, me datë 19/5/1961 dhe titull: “Mbi pjestarët e e familjes së të arratisurit dom Zef Çokut” shkruhet: “Në katundin Kaftallë (Kërthpulë) të këtij rrethi, nga ku është dhe dom Zefi ka patur dhe ka aktualisht këta pjestarë të familjes:
1) Prend Gjok Prendin (Çoku), vëllai i Zefit, vjeç 50. Në vitin 1953, është internuar në Lushnje, mbas arratisjes së dom Zefit, ku ndodhet dhe sot. Me vete Prendi qysh në fillim ka marrë gruan e tij dhe dy fëmijë të vegjël, ku i ka dhe tani. Mbi qendrimin e Prendit atje nuk dijmë gjë.
2) Ndue Gjok Prendi (Çoku) vëllai i dom Zefit është arrestuar më 1953 dhe në vitin 1954 ka vdekur në burg.
3) Drande Ndue Gjoka, gruaja e Ndue Gjokës dhe kunata e dom Zefit, burri i ka vdekur në burg. Kjo vet banon në katundin Kaftall (Kërthpulë), me qendrim politik indiferent. Ka me vete edhe një vajzë të vogël, vjeç 12.
4) Gjok Prend Gjoka, djali i vëllait të dom Zefit (i Prendit), që është në internim, vjeç 25, me banim në katundin Kaftallë, punon puntorë në ndërmarrjen rruga Fushë-Arrësit. Me qendrim politik indiferent.
5) Pjeter Prend Gjoka (Çoku) djali i vëllait të dom Zefit, vëllai i Gjokës, vjeç 23, banon në katundin Kaftallë, punon punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga Puke. Me qëndrim politik indiferent.
Lidhur me këtë familje nuk kemi asgjë për të shënuar, mbasi nuk kanë ndonji aktivitet armiqësor, ndërsa për vëllain e dom Zefit që është i internuar në Lushnjë, nuk dijmë ndonjë gjë. Gruaja dhe dy fëmijët që Prendi i ka me vete, nuk janë të internuar.”
Pengu
Familja që vuante në Shqipëri ishte pengu i madh i jetës së Zef Oroshit, njeriut që udhëhoqi shpirtërisht shqiptarët në SHBA për shumë vjet duke u konsideruar madje pioner i bashkimit të tyre, pa dallim feje. Një nga ngjarjet e dhimbshme ishte dhe vdekja e vëllait të madh Prendit në mes të viteve ‘80, kur dom Zef Oroshi bëri pritje për ngushëllime për të në SHBA dhe ishte hera e parë, shkruan Laçi në misioni-aarau.ch, që ai po u tregonte miqve se ndihej borxhli ndaj të vëllait të madh pasi përpara arratisjes e kishte pyetur vëllanë a të ikte apo të rrinte, duke e ditur që do të ishte familja ajo që do vuante pasojat e arratisjes. I vëllai kishte këmbëngulur që ai të ikte, të mos merzitej për ta, veç ai të shpëtonte dhe ka marrë bekimin e tij.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.