Gusht 1948/ 2 javë udhëtim me foshnjen e sëmurë në krah, arratisje e mundimshme nga kampi i internimit në Berat
Nga Pëllumb Dedndreaj
Ishte muaji Gusht i vitit 1948, kur u zbulua vendndodhja e grupit të rezistencës ndaj instalimit të komunizmit, në zonën e Nikaj – Mërturit dhe sigurimi i shtetit bëri rrethimin e shtëpisë së Bub Matosh Dedndreaj. Alternativat ishin sosur; ose do kishte gjakderdhje, që kurresesi nuk i shkonte për mbarë traditës së shqiptarit ose rrethimi do të çahej dhe do i drejtoheshin kufirit për të lënë atdheun e tyre. Ata morën vendim, ishte vendimi më i vështirë i jetës së tyre, i cili do të ndryshonte përgjithmonë fatin dhe drejtimin e jetës dhe familjeve të tyre. Duhet të largoheshin nga vendi i tyre, për të mbetur përjetësisht me kokën mbrapa, me mallin, dashurinë si dhe pikëllimin në të cilin po e linin vendin e tyre. Kalvari i vuajtjeve tashmë po merrte përmasa tragjike, pa marrë parasysh asgjë përmbi dhe.
Hakmarrja mbi familjen që kishte mbajtur dhe ushqyer kundërshtarët e partisë, nuk njihte kufi. Konfiskuan gjithë pasurinë, me preteksin se ishte e vendosur nga armiku i partisë dhe i popullit.
Ishte pikërisht e zonja e shtëpisë, Bute Dedndreaj, nënë me tre femijë të mitur, që u kishte gatuar bukë dhe ishte kujdesur për 9 muaj për këta burra atdhetarë antikomunistë, e cila duhet të paguante çmimin më të lartë.
Ajo merret nga sigurimi i degës së punëve të Brendëshme, së bashku me djalin Pjetër Dedndreaj vetëm 7-muajsh dhe i drejtohet kalvarit të vuajtjeve. Pasi i mbajtën disa ditë në Bajram Currë, e nisin drejt Beratit. Kalaja e Beratit ishte tashmë vendi ku armiqtë e partisë do përjetonin ferrin. Trajtimet shtazarake ishin normaliteti i një shoqërie anormale, që po instalohej me shpejtësi. Tortura, pa ushqim, pa rroba dhe pa kushtet minimale për çdo qenie, kishin favorizuar sëmundje dhe epidemi.
Ditët kalonin po njësoj si në ferr. Vdekja ishte e pranishme çdo ditë, aq sa dukej si bekim për ti shpëtuar ferrit që s`kishte të mbaruar. Fëmijët, “engjëjt, armiq të partisë” ishin të parët që përpinte shtrati i vdekjes dhe lumi Osum u bë shtrati i tyre i fundit, që nuk i dihet ku e ka fundin, deri në thellësi të detit Adriatik. Shtrati i lumit dhe rrjedha e tij tashmë ishin kthyer në shtratin e vdekjes dhe në dëshmitarin e fundit, që do të pastronte vendin e krimit. Ato që kurrë nuk ishin parë as dëgjuar ndër shqiptarë, sot po mbaheshin normale për një shoqëri që po dekantonte me shpejtësi drejt fundit të pusit të zi. Të lësh shqiptarin pa varr, do të thotë se ke injektuar një sëmundje që kurrë nuk do të shërohet, një plagë e hapur që përdite pikon gjak dhe lyp drejtësi.
Pjetra i vogël, një fëmijë që sapo kishte filluar të hedhë hapat e parë në një tokë që e kishte pushtuar djalli, nuk kishte si ta kuptonte se fati i tij do të ishte në dorën e xhelatëve. Ai sëmuret shumë rëndë. Nuk hante dhe as nuk kishte çfarë të hante, as të pinte, pasi gjiri i nënës nuk prodhonte më qumësht nga mosushqyerja. Nanë Butja ishte e pafuqishme perballë mizorisë, harbutërisë dhe arrogancës së gardianëve dhe drejtuesve të kampit. Ishte e bindur se Pjetra i vogël do vdiste dhe eshtrat e tij kurrë më nuk do të gjendeshin. Kjo i kalonte kufijtë e vdekjes, ishte vdekje mbi vdekje. Një nanë malsore nuk mund ta mbante mbi shpatulla e vetme mospasjen e një varri për djalin e vetë dhe merr një vendim: “Do të sfidoj regjimin dhe do të largohem nga kampi. Të gjallë ose të vdekur, djalin do ta çoj në shtëpi ose në varrezat e të parëve të vet.” Pas disa ditësh vuri në zbatim planin.
Në orët e vona, pas mesnate, me shumë mundime arriti të këpusë telat me gjemba dhe të dalë përtej rrethimit, së bashku me Pjetrën e përhumbur në gjumin e thellë. Mori rrugën pa rrugë për në vendin e vet. Kurrë më parë, nuk kishte qenë më poshtë se në Shkodër, nuk dinte as rrugë as vend që të orientohej. Ishte nje inisiativë e çmendur për një grua me një fëmijë të vogël, të ikte nga kampi i internimit, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta.
Busull orientuese ishte forca dhe besimi i saj për të kthyer të birin në shpi të vet. Rrugët kontrolloheshin, prandaj nuk mund të ecje. Pjesën më të madhe të ditës e kalonte poshtë urave, për të mos u pikasur nga sigurimi. Ecte buzë mbrëmjeve dhe mëngjeseve herët pa dalë drita mirë. Natën e kalonte nëpër varreza, shtrihej midis varreve, pasi aty ndihej më e sigurt, pasi edhe nëse kalonte dikush mendonin se po qëndronte te varri i ndonjë të afërmi. Ditët kalojnë, rruga s`kishte të sosur. Pas 12 ditësh, arriti në Shkodër dhe ju drejtua Dukagjinit, që ishte më afër shtëpisë e merrte forcë, por, e dinte se aty rrezikohej më shumë, pasi zona kontrollohej rreptësisht. Duke u ngjitur maleve përpjetë dhe duke kundruar mbi çdo kodër, njësoj si preja me gjahëtarin. Rruga sa vinte e bëhej më e vështirë, lodhja, stërmundimi, mosushqyerja po luftonin fort mbi rezistencën e një gruaje të pamposhtur.
Nuk mund të kërkonte ndihmë, as ushqim në asnjë shtëpi, nga frika se do e dorëzonin në organet e sigurimit, ndaj ushqimi i saj ishin vetëm frutat e egra që ofronin malet. Një avantazh që kishte, nuk mund ta linte të ikte, pasi duhej të mbante shpirtin e vet dhe te djali gjallë. Në përrej ishin mullit, që bluanin malësorët misrin. Ishin vitet e zisë së bukës, gjithë bisedat e malësorëve ato vite, vërtiteshin rreth gjetjes së bukës për familjen.
Nane Butja me djalin vrojtonte me kujdes mullirin, priste derisa të mbaronte bluarja dhe burri apo gruaja me miellin e bukës së familjes, që të nisej për në shtëpi. Hynte në mulli duke vrojtuar terrenin me shumë kujdes, mundohej të mblidhte atë miell që kishte mbetur në rrethin e mullirit dhe në shuplakën e dorës, e trazonte me ujë dhe ja jepte të birit sa me mujtë me mbajtë shpirtin gjallë.
Pas dy javësh rrugë, e lodhur, e dobësuar, e munduar përtej limiteve njerëzore të një gruaje, arriti në shtëpi së bashku me djalin e vet. Nuk vonoi dhe sigurimi erdhi në derë, siç tashmë ishte e përditshme. Njoftimi se kishim arrestuar diversanten më të rrezikshme të kohës, mori dhenë. Forca të shumta rrethuan shtëpinë dhe kërkonin të dinin me çdo kusht se kush ishte ideatori dhe ndihmësi i kësaj arratisje të padëgjuar më parë.
Nënë Butja, së bashku me djalin, niset sërish drejt ferrit. Arriti në Tropojë të vjetër dhe pritej urdhri nga lart, për ku do të nisej. Kësaj radhe, fati i nënës dhe fati i djalit të saj nuk ishin më njësoj. Rastësisht, si një ëngjëll mbrojtës, aty gjendet një mësues, bir i një dere shumë fisnike të zonës Nikaj – Mërturit. Ishte Ndue Gjelosh Progni, që insistonte me këmbëngulje, që djali të mos shkonte sërish në internim. Ai nuk u tërhoq përballë kundërshtimeve të sigurimit dhe hyri vetë garant për djalin. Dashamirësia, vullneti dhe shpirti i tij i kristaltë fitoi mbi të keqen dhe falë tij Pjetra jetoi.
Nanë Butja niset në rrugën e gjatë, kësaj radhe drejt Kalasë së Tepelenës. Aty ku qëndronin familjet më fisnike shqiptare, ajka e kombit, por që komunizmi famëkeq aty e shihte rrezikun. Ata ishin armiq të betuar ndaj njeri – tjetrit. Ajo vuajti aty vitet e dënimit me të padrejtë që njeh historia. Kur rrefehej për vuajtjet e saj, i dridhej buza, ngulte vështimin diku larg dhe qëndronte e heshtur, më pas vazhdonte, prap ndalonte dhe në fund thoshte: Nuk din goja me tregue çfarë është bërë në kampet e internimit. Asnjë mendje njerëzore nuk e çon as nëpër mend atë çka bani komunizmi ndër shqiptarë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.