Një grup tjetër u çua në gjyq për pjesëmarrjen në kryengritjen e 9 shtatorit 1946. U akuzuan në bazë të neneve 2, 3 (1, 2, 7, 14), 7, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Prej këtij grupi një person u dënua me vdekje. Në proces thuhej se ishin përfshirë në një komitet qendror të lidhur me të arratisur. Nga analizimi i emrave, shihet se të pandehurit kishin edhe të afërt të dënuar ose ekzekutuar. Pjesa më e madhe e tyre kanë shënimin “di vetëm firmën e tij”. Procesi është zhvilluar i shkurtër, me një të dënuar me pushkatim, por që iu fal jeta se ishte dorëzuar vetë.
Gjykata Ushtarake Shkodër, e drejtuar nga kapiten I Misto Bllaci, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Namik Qemali, me vendimin nr.532, datë 16.12.1947, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:
1-Abdulla Sait Duli, lindur në vitin 1907 në Kullaj, arrestuar më 13.9.1946. Babanë dhe 3 kushërinj të tjerë të ekzekutuar; me vdekje dhe humbjen përgjithmonë të të drejtave politike e civile.
2-Mehmet Sali Ymeri, lindur në vitin 1900 në Kullaj, arrestuar më 15.9.1946; me 3 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
3-Osman Sulejman Ymeri, lindur në vitin 1902 në Kullaj, arrestuar më 15.9.1946; me 3 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
4-Taip Isa Nuzi, lindur në vitin 1918 në Kullaj, arrestuar më 22.9.1946; me 2 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
5-Dervish Mustafa Nuzi, lindur në vitin 1917 në Kullaj, arrestuar më 10.9.1946; me 2 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
6-Hajdar Dan Alija, lindur në vitin 1907 në Boks, arrestuar më 15.9.1946. Kishte në burg vëllanë dhe të ekzekutuar djalin xhaxhait; me 1 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
7-Haxhi Sali Ymeri, lindur në vitin 1882 në Kullaj, arrestuar më 15.9.1946; me 1 vit privim lirie dhe punë të detyruar.
8-Hamza Zejnun Mustafa, lindur në vitin 1902 në Kullaj, arrestuar më 10.9.1946; me 1 vit privim lirie dhe punë të detyruar.
9-Fetah Çel Mustafa, lindur në vitin 1910 në Kullaj, arrestuar më 13.9.1946; me 1 vit privim lirie dhe punë të detyruar.
Abdulla Dulit dënimi iu kthye në dënim me burg të përjetshëm e punë të detyruar.
Të dënuarve iu ngarkoheshin shpenzimet e gjyqit me 54 lekë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.