“Një ditë më erdhi në takim një zotëri i huaj, i cili, në emër të humanizmit, lirive e të drejtave të njeriut, më kërkoi që t'i jepja hua Ramiz Alinë sa për të bërë një operacion të zemrës në Zvicër. "Kjo do t'jua shtonte kredinë në sytë e botës”, shtoi ai. “Sa për të hollat, mos u bëni merak, se i merr përsipër një organizatë shqiptare në Zvicër". Unë i thashë zotërisë së nderuar se pa i pyetur fare kolegët e mi, jam gati t'jua jap Ramiz Alinë me kusht që të merrni me vete edhe 20 ish-të burgosur apo të përndjekur politikë, që janë shumë më të sëmurë se ai. Le të dërgojmë për kurim jashtë shtetit bashkë me Ramizin edhe Urim Elezin, shokun tim që ka bërë afër 30 vjet burg dhe nga rrahjet e goditjet në shtyllën kurrizore ka humbur krejtësisht dritën e syve. Merrni me vete edhe nënën e çmendur të një djali të ri 18-vjeçar, të cilin e kapën në kufi, e lidhën, pastaj e vranë pa gjyq..."
Ndërtimi i themeleve të demokracisë mbi plagët e së shkuarës së afërt, ishte sfida kryesore në fillimet e pluralizimit politik. Një përplasje e ashpër midis kujtesës historike dhe përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë. Padyshim që rrugëtimi nuk do të ishte i lehtë, sepse individët që zunë vend në elitën e re ishin produkt i një procesi të negociuar më shumë se sa e një përmbysjeje reale të sistemit diktatorial. Pas 45 vitesh diktaturë, ishin shumë të pakta shenjat e mbetura nga një proces asgjësimi i elitës intelektuale të Shqipërisë. Kështu, në elitën politike të vitit 1990, ishin mjaft të pakët personazhet që vinin nga shtresa e të dënuarve politikë në sistemin diktatorial. Një prej tyre dhe ndër më të rëndësishmit ishte Pjetër Arbnori. Lexojeni këtë pjesë të fjalimit të Pjetër Arbnorit për të kuptuar dhe do të shihni se si përballet ai me xhelatët e tij të 28 viteve burg në diktaturë, i gjen ata në poste drejtuese në çdo dikaster, madje edhe në ambasada të Shqipërisë jashtë vendit, personazhe që gjetën strehë të ngrohtë në shtetin që po drejtohej nga Sali Berisha.
Një prej tyre është përballja me Fatos Nanon në një debat të civilizuar që sot vështirë shumë të gjenden mes të dy palëve.
Pjetër Arbnori, seancë parlamentare 1993
Të gjithë diskutantët e majtë thanë se janë për liritë e njeriut, por thanë se s'do të votojnë pro tyre, me pretekstin qesharak se qëkur ra komunizmi po u shkelkan liritë e njeriut me të dyja këmbët. Le t'i shikojmë konkretisht gjërat. Çdo ditë, kur shkoj në Parlament, në zyrë apo gjetiu shoh herë një fytyrë të nxirë e herë një tjetër. Vjet shihja në një radhë me mua një deputet komunist që ka shqyrtuar dosjen time të të dënuarit me vdekje dhe kurrë nuk i fola një fjalë të keqe, vetëm e përçmova duke kthyer kokën anash. Shkova në burg për të parë kushtet e Nexhmije Hoxhës dhe drejtor burgu pashë po atë drejtor që më kishte futur sa e sa herë në birucë zhveshur, në të ftohtët minus 15 gradë. Nuk ia kujtova ato tortura që më kishte bërë, se e dija që vetë ai ishte vetëm një shërbëtor dhe jo autor i diktaturës. Shkova në një qytet dhe pashë ish-gjykatësin tim, që pas 18 vjetëve burg më shtoi kot së koti edhe 12 vjet të tjerë, sepse kisha shkruar një roman tepër human. Ai m'u fsheh, se pandehu që jam aq zemërvogël sa të hakmerrem ndaj tij. Një ditë tjetër, erdhi të më qahej në zyrë se i kishin hequr telefonin një burrë që ma kishte çuar motrën e sëmurë në një punë deri në brez me ujë, ku motra u bë sakate për gjithë jetën dhe nuk e pështyva këtë njeri në fytyrë. Takova para shumë kohësh në një ambasadë tonën një funksionar që më parë e kisha pasur kryetar dege në Burrel dhe që ishte përpjekur të gjente dëshmitarë të rremë për të më dënuar me vdekje për të dytën herë. Nuk ia përmenda torturat që kishte urdhëruar të më bënin, madje e dëgjova me vëmendje për sëmundjen e zemrës që kishte vajza e tij e vogël. Në hetuesi, njoh të tjerë që më kanë torturuar, si Kopi Niko, kryetar i degës së punëve të brendshme në Durrës. Ai nuk u mjaftua me mua, por më arrestoi edhe hallën plakë, më arrestoi edhe nënën plakë, më arrestoi edhe motrën time, që ka qenë tri herë e burgosur politike dhe që sot është duke më dëgjuar atje lart në lozhë.
Unë i përmenda emrin Kopi Nikos, se kam dëgjuar që ka vdekur. Në qoftë e vërtetë, le të japë llogari në ferr. Në qoftë gjallë, të jetë i sigurt që nga unë veç përbuzjes nuk do t'i vijë ndonjë e keqe as atij, as gruas së tij, as bijave të tij në i pastë. Mos duhet të pendohem që e përmenda e t'i kërkoj edhe këtij ndjesë, sikurse na sugjeroi i nderuari kryetar i Partisë Socialiste? Do të dëshiroja të dija se në çfarë mënyre duhet të pendohemi e t'ua kërkojmë ndjesën këtyre zotërinjve.
Kësi shembujsh ka me qindra e me mijëra në Shqipërinë demokratike.
Ne nuk i falim këta njerëz pa u penduar, por nuk jemi për hakmarrje dhe e kemi provuar qëndrimin tonë human. E keqja është gjetiu, që humanizmin tonë nostalgjikët komunistë e kanë marrë si dobësi. Ne s'jemi të dobët, jemi zemërmëdhenj, cilësi që ju s'keni si ta njihni. E shumta ju mund të jeni mendjemëdhenj. Pjesa më e madhe juaja merr mbi vete përgjegjësi, faje, krime që nuk i keni kryer kurrë, vetëm për hatër të ndonjërit që i ka vajtur mendja të bëhet kryeministër, mbase edhe president. Unë bisedoj çdo ditë me shumicën prej jush dhe jeni njerëz normalë, me humor, me ndjenja, me mendime. E keqja juaj është kur viheni në radhë dhe ju japin komandën për sulm. (Duartrokitje.) Atëherë jeni të detyruar të kërkoni armët e ndryshkura revolucionare, marksiste, leniniste, staliniste, titiste, maoiste, të demagogjisë, hipokrizisë, sofizmat për të mbrojtur të padrejtën. Dikur i jepte udhëzimet drejtoresha e institutit të studimit të veprave të burrit të saj, Nexhmije Hoxha, sot i jep nxënësi i saj besnik. (Duartrokitje.) Por këtë radhë ngecët keq.
Nisur nga strategjia e përmbysjes së çdo gjëje të mbarë, e përmbysjes së demokracisë, e përmbysjes së Qeverisë, e përmbysjes së Parlamentit, ju bëtë gabimin tragjik dhe u shprehët kundër miratimit të këtij projektligji të shkëlqyer, që është në themel përsëritja e Kartës së Helsinkit, të Kopenhagenit e të Parisit për të drejtat e njeriut, të cilat në fakt ju nuk i keni pranuar kurrë. E përse? Pretendoni se në këtë vit demokracie qenkan shkelur të drejtat e njeriut. Në qoftë se janë shkelur, ejani t'i sanksionojmë, që të mos shkelen. Kjo është, para së gjithash, në dobi të opozitës. Po a janë shkelur në të vërtetë këto liri? Ne u kemi hequr hafijeve të fshatit të drejtën për të përgjuar kush flet kundër pushtetit popullor dhe kjo është një shkelje e tmerrshme e lirive. Ne e pranojmë, por tash për tash nuk kemi ndërmend të pendohemi, siç na ftoi një parafolës. Ne u kemi hequr të drejtën pushkatarëve të fshatit që të kontrollojnë shtëpi më shtëpi dhe haur më haur se cili fshatar mban fshehtas një dele, një dhi apo një dem. Ne e pranojmë edhe këtë faj. Ne u kemi hequr 1200-lekëshin spiunëve të qytetit që përgjonin prapa dritareve se mos dëgjon njeri radio të huaja për t'i futur pastaj në burg. Ne u kemi hequr të drejtën operativëve të Sigurimit dhe sekretarëve të organizatave-bazë të Partisë që të fusnin njerëz në burg politik sepse e kishin gruan të bukur, shtëpinë e bukur apo punën e mirë dhe tani ne e pengojmë lirinë e këtyre monstrave për të marrë gruan e tjetrit apo punën e tjetrit. Kjo është shkelje e tmerrshme e lirive dhe të drejtave të ariut dhe jo të njeriut. (Duartrokitje.) Ne u kemi hequr telefonat veteranëve të nderuar të Sigurimit të Shtetit, të cilët mund ta bëjnë punën operative dhe në këmbë. Le të na falin se u kemi dhënë pak shqetësim, por na duhej t'ua jepnim telefonat mjekëve, inxhinierëve, nëpunësve dhe deputetëve të rinj, qofshin demokratë apo socialistë. Në rast se ka pasur ndonjë teprim, ejani ta rregullojmë! Në qoftë se kemi të drejtë të ankohemi për shkeljen e vërtetë të të drejtave të njeriut, jemi ne. Shëtisni nëpër Tiranë! Ka mjaft klube moderne ku nuk mund të hysh brenda, se të nderojnë me grusht. Eshtë e drejta e tyre për t'i rënë kokës së vet. Ka shumë dyqane sigurimsash, ku ish-komunistët e kastës së kuqe shesin me dollarë. Çdo dollar ka një pikë gjaku e djerse të klasës punëtore, thoshte Lenini. Më falni në qoftë se nuk e kam të plotë citatin me numër vepre dhe faqe. Ndërsa të persekutuarit nuk kanë asgjë dhe marrin vetëm ndihmë sociale.
Një ditë më erdhi në takim një zotëri i huaj, i cili, në emër të humanizmit, lirive e të drejtave të njeriut, më kërkoi që t'i jepja hua Ramiz Alinë sa për të bërë një operacion të zemrës në Zvicër. "Kjo do t'jua shtonte kredinë në sytë e botës”, shtoi ai. “Sa për të hollat, mos u bëni merak, se i merr përsipër një organizatë shqiptare në Zvicër". Unë i thashë zotërisë së nderuar se pa i pyetur fare kolegët e mi, jam gati t'jua jap Ramiz Alinë me kusht që të merrni me vete edhe 20 ish-të burgosur apo të përndjekur politikë, që janë shumë më të sëmurë se ai. Le të dërgojmë për kurim jashtë shtetit bashkë me Ramizin edhe Urim Elezin, shokun tim që ka bërë afër 30 vjet burg dhe nga rrahjet e goditjet në shtyllën kurrizore ka humbur krejtësisht dritën e syve. Le të çojmë Çlirim Bajrin, djalë i ri, pjesëmarrës në demonstratën e Shkodrës më 2 prill 1991, të cilin pushka “snajper” e sigurimsave e goditi në gjoks, plumbi i doli në krah dhe tani i gjithë krahu i është paralizuar dhe tharë për tmerr. Merrni me vete edhe nënën e çmendur të një djali të ri 18-vjeçar, të cilin e kapën në kufi, e lidhën, pastaj e vranë pa gjyq, në vend, e lidhën për së vdekuri, të përgjakur, në një kamion me sponde të hapura dhe e shëtitën nëpër gjithë qytetin dhe fshatrat e Shkodrës për të frikësuar popullin. Sa mirë do të ishte ta dërgonim edhe këtë nënë të çmendur bashkë me Ramizin, të dërgonim edhe 17 të tjerë njerëz të sakatosur në kohën e Ramizit dhe të disa zotërinjve të tjerë që po na qajnë tani me lot krokodili për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Sa për paratë që na afruaka kjo organizatë e Zvicrës, të jeni i sigurt, zotëri, se ato janë paratë e shqiptarëve që janë derdhur pa hesap nga Sigurimi i Shtetit dhe Komiteti Qendror i një partie që ndërron emër çdo stinë, pa ndërruar kurrë emrat e saj diktatorialë. Pas këtij propozimi humanisti nuk foli më.
Zotërinj socialistë të vërtetë, nuk kërkoj t'ju përçaj. Ndikoni te zotërinjtë tuaj drejtues që të paktën për faqe të botës të votojnë për projektligjin "Për liritë dhe të drejtat e njeriut". Megjithatë, prapë e keni të vështirë. Dikush jua ka mbushur mendjen se era e Lindjes fryn me erën e Perëndimit dhe ju duket se llogaritni që po e morët pushtetin, duke pasur ligjin e lirive të miratuar, ai do t'ju pengojë të bëni si doni vetë. Edhe po votuat kundër, është e drejta juaj. Me këtë ligj ose pa të ne përsëri do t'i përsosim këto liri dhe me gjithë ëndrrën e disave për të kthyer komunizmin në Shqipëri, djemtë e Tiranës, Kavajës, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ia kanë vënë vulën njëherë e mirë demokracisë.
Fatos Nano – Zoti Pjetër, respektoj arsyet që ju shtynë juve pas kaq kohësh të merrni fjalën për të njëjtën çështje në një kohë të shkurtër dy herë. Respektoj, ashtu si parafolësi im, vuajtjet tuaja 28-vjeçare në burg, siç respektoj edhe vuajtjet e bashkëvuajtësve tuaj, me të cilët ju keni ndarë koromanen për 28 vjet. Unë do të dëshiroja që asnjë forcë madhore, që gjatë 28 vjetëve ka tentuar t'ju nënshtrojë juve për t'ju vënë në shërbim të interesave më sublime se idealet që mbronit ju, të mos ju detyronte të merrnit fjalën përsëri në emër të një projektligji që tashmë është bërë publik. Do t'ju uroja që me pozicionin shumë tolerant dhe shumë të paanshëm që keni mbajtur deri tani si Kryetar i këtij Kuvendi, i zgjedhur nga ky Parlament, të mos ushtronit asnjë presion, të mos bënit diversion dhe të mos kërkonit pozicionime të ndryshme kundrejt të kaluarave të ndryshme të pjesëtarëve të këtij Parlamenti, të cilat, po të hapeshin dosjet përfundimisht, do të dilnin shumë më të ndryshme se ç'paraqiten publikisht. Prandaj, duke shfrytëzuar të drejtën e replikës prej një minute, unë ju uroj që të vazhdoni të jeni ai që keni qenë, i papërkulshëm ndaj presioneve të askujt, neutral ndaj pushteteve që synojnë t'i imponohen karakterit suprem të pushtetit legjislativ, Parlamentit, dhe po aq këmbëngulës për ruajtjen e barazisë së deputetëve të zgjedhur nga populli, si në të djathtë dhe në të majtë, në qoftë se e djathta dhe e majta juaj përkon me të djathtën dhe të majtën e sallës.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.