Nëse përmendet emri Javer Hurshiti, në mënyrë të natyrshme mendja të shkon në luftën kundër forcave paraushtarake greke, në luftën e Vlorës, apo të politikanit që në karrierën e tij kaloi në poste të rëndësishme si ministër Kulture, apo zëvendësministër i Drejtësisë. U lind në Kaukaz më 1880 dhe kur ai ishte në moshën 5-vjeçare, familja e tij kthehet në Shqipëri. Rritet dhe edukohet nga Maliq Pashë Libohova, i cili nuk u kursye aspak për djaloshin që ra në sy për formimin intelektual. Javer Hurshiti kryen studimet e larta në shkenca politike administrative në Stamboll dhe ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja.
Shumë shpejt iu desh që të përballet me vështirësi të mëdha për kohën që kalonte vendi dhe Hurshiti nuk u kursye në luftën kundër forcave paraushtarake greke të cilët nën ushtrimin e dhunës dhe masakrave mbi popullsinë civile në vitet 1911-1914, kërkonin të merrnin zonën e Gjirokastrës, Korçës apo Himarës. Për shkak të ndikimit të tij, internohet në fshatrat e Korfuzit. Gjatë luftës për pavarësi dhe çlirim ishte mik me Çerçiz Topullin, Muço Qullin apo edhe Atë Gjergj Fishtën. Gjithashtu kishte lidhje me nismëtarin e shpalljes së Pavarësisë dhe Kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavaruar Ismail Qemalin, pasi ishte krushku i tij.
Më 1920 - 1925 vijoi karrierën si kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Më 1924 dhe më 1925 qe zëvendësisht prefekt në Gjirokastër. Më 1925 deri më 1936 u zgjodh deputet i po kësaj prefekture. Më 1929 qe delegat në Kongresin e Bektashijve. Më 1936 - 1939 qe caktuar si prefekt (i klasit të parë) në Shkodër. Më 1940 - 1943 qe anëtar i Këshillit të Shtetit dhe më 1943 qe ministër sekretar shteti i Kulturës Popullore dhe zëvendësisht ministër sekretar shteti i Drejtësisë. Më 1943 - 1944 qe inspektor i përgjishëm i Këshillit të Ministrave. Ka qenë deputet i Gjirokastrës më 1925 dhe ka mbajtur më pas poste të larta shtetërore, dhe zëvendësministër i Drejtësisë dhe Ministër i Kulturës.
Fundi i karrierës dhe i jetës së tij do të përfundonte më 14 prill 1945. Arrestohet dhe emri i tij u përfshi në listën e të akuzuarve si kundërshtarë të regjimit komunist dhe është një prej të dënuarve nga i ashtëquajturi “Gjyqi Special”. Procesi i njohur nisi më 1 mars deri në 13 prill 1945. Në fund, 60 nacionalistë të akuzuar si kriminelë të luftës u dënuan rëndë; 17 vetë me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Trupi gjykues përbëhej nga kryetar gjeneral lejtnant Koçi Xoxe (teneqexhi, me 5 klasë shkollë) dhe anëtarët: kolonel Hysni Kapo, nënkolonel Beqir Balluku, kapiten i Parë Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla; Faik Shehu, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, gjykatës. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu, gjeneralmajor. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special për kriminelët e luftës edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska. Intelektuali dhe patrioti i njohur Javer Hurshiti u dënua me vdekje pushkatim dhe më 14 prill një togë pushkatimi i mori jetën një prej emrave të njohur dhe politikanit të karrierës në Shqipëri.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.