"Kam dy vjet rresht që jam duke vuajtur së tepërmi ke shtëpia ime mbasi kam 4 fëmijë të mitur, i madhi 7 vjeç, përpos se nuk kam mashkull në shtëpi, përpos që kam te shtëpia një plakë 70-vjeçare, pra jam në shtëpi në gjendje të keqe ekonomike. Keq mundet të imagjinohet sepse duke pasur fëmijë të vegjël në shtëpi, nuk ka kush t’i bjerë prapa atij pak aktiviteti bujqësor që kemi është i vetmi burim jetese modeste për ne"
Më 26.1.1952, duke besuar se me shkrimin e një letre, të cilën e nënshkruan me gisht, do të mund të bënte diçka, një grua me burrë të internuar në Tepelenë, i shkruan Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Familja ishte lënë e vetme e pa asnjë përkrahje, me 4 fëmijë të vegjël, ku më i madhi ishte 7 vjeç dhe një plakë. Asnjë burim jetese dhe askush nuk mund të punonte dot. Gjashtë persona në pikë të hallit. Pra, nuk mjaftonte vetëm internimi, por hallet nuk kishin të sosur. Më poshtë një pjesë e letrës.
Komitetit Qendror të Partisë së Punëve së Shqipërisë (seksioni i ankesave)
Unë e nënshkruara Mrikë Ndrec Prenga, shtëpiake dhe banues në katundin Xhuxhë, Lokalitetit të Fanit, Rrethi Kukës, kam nderin me ju lut dhe parashtruar sa vijon:
Bashkëshorti im Ndrec Shkurt Prenga është arrestuar prej organeve të Sigurimit në datën 10.3.1950 dhe mbasi ka ndenjur në Sigurim nën vërejtje 3 muaj rresht është dërguar në Shkodër ku mbas 9 muajve që ka qenë i arrestuar në Shkodër ka marrë pafajësinë dhe është rikthyer prapë në Sigurimin e Kukësit. Në Sigurimin e Kukësit, në vend që të lirohej, u internua dhe tash ndodhet i internuar në Tepelenë nga ku rezulton se bashkëshorti im ka 2 vjet që është internuar.
Unë më datën 24.8.1951 kam dërguar lutje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Seksioni i Internimeve, ku kërkoj lirimin e bashkëshortit tim nga internimi, po për ato motive që po shprehem në këtë kërkesë si vijon:
Unë nuk di që bashkëshorti im të ketë bërë faj me karakter të tillë sa të internohet, sepse nga një anë neve nuk kemi asnjë nga shtëpia jonë të arratisur dhe sa nga farefisi im.
Kam dy vjet rresht që jam duke vuajtur së tepërmi ke shtëpia ime mbasi kam 4 fëmijë të mitur, i madhi 7 vjeç, përpos se nuk kam mashkull në shtëpi, përpos që kam te shtëpia një plakë 70-vjeçare, pra jam në shtëpi në gjendje të keqe ekonomike. Keq mundet të imagjinohet sepse duke pasur fëmijë të vegjël në shtëpi, nuk ka kush t’i bjerë prapa atij pak aktiviteti bujqësor që kemi është i vetmi burim jetese modeste për ne.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.