U pushkatua në moshën 27-vjeçare, pa i pranuar akuzat dhe pa i urryer ekzekutorët
Dedë Maçaj është një nga 38 martirët e lumnuar të Shqipërisë nga Kisha Katolike. Ishte 27 vjeç kur u ekzekutua buzë një lumi që, në rastin e tij, nuk ishte Kiri, por Vjosa, sepse vetëm dy muaj më parë, e kishin thirrur ushtar në Përmet. Në dy muaj, i sajuan akuza false, i nxorën dëshmitarë të rremë, e gjykuan dhe në fund, e pushkatuan. Eshtrat e Dedës, pavarësisht përpjekjeve të nipit, nuk janë gjendur, por fjalët e tij të fundit nuk kanë humbur. “Po e them para Zotit, që shpejt ka me më pritë dhe para jush ushtarë të shtrenjtë, që po më vrasin për shkak se urrejnë fenë katolike. I them këto pa urrejtje për ata që do më pushkatojnë. Rrnoftë Krishti-mbreti ynë! Rrnoftë Shqipnia!”.
Deda ishte i biri i Gjeto Gjonit dhe i Tringë Lukës. Familja ishte me origjinë nga Kelmendi dhe ishte vendosur në Malin e Jushit, ku edhe u lind Deda, si fëmija i katërt, në vitin 1920. Për datën e saktë, ka disa variante. Diku shkruhet 5 shkurt, në burime të tjera 20 apo 21 tetor. Në një shkrim kushtuar martirit, të publikuar në blogun "Krimet e komunizmit", nga Gjeto Turmalaj, i cili ka shfrytëzuar dokumente të mbledhura nga nipi i Dedë Maçajt, Gjergj Nik Gjonaj, thuhet se sipas certifikatës së lindjes… “Ded Gjeto Gjoni i Maçaj…u lind në Malin e Jushit të Qarkut Shkodër më 21 tetor 1920”.
Sapo kishte mbushur 10 vjeç, në tetor 1930, Deda u dërgua në Seminarin Papnor në Shkodër, i cili kishte edhe konviktin Malet Tona. Në bazë të aftësive, i jepet e drejta për të vazhduar studimet për teologji dhe filozofi në Romë. Edhe në "Propaganda Fide", ai shquhet për përgatitjen akademike dhe për vlerat morale, intelektuale dhe njerëzore. Shugurohet meshtar më 19 mars 1944 dhe një ditë më pas, celebron meshën e parë. Më 17 korrik 1945, kur komunistët kishin marrë pushtetin në Shqipëri dhe kishin nisur të persekutonin klerin, veçanërisht atë katolik, Dom Dedë Macaj bashkë me dy shokët e tij, Dom Anton Muzaj dhe Dom Luigj Kolaj, me kërkesë të tyre, marrin rrugën e kthimit drejt atdheut.
Me të mbërritur në Shkodër, Dom Deda u caktua ndihmës famullitar në Katedralen e qytetit. Ndërkohë kolegët e tij, vriteshin një nga një nga pumbat e komunistëve. Për këtë arsye, famullia e Sheldisë kishte mbetur pa famullitar, pasi dy famullitarët e saj të mëparshëm, Dom Lazër Shantoja dhe Dom Ndre Zadeja, ishin pushkatuar, me 20 ditë diferencë nga njëri-tjetri, që në mars 1945. Kështu, më 26 janar 1946, Dom Deda shkoi në Sheldi si administrator i famullisë së atjeshme. Pas 14 muajsh, do martirizohej edhe ai.
Shërbeu vetëm një vit, pasi më 13 janar 1947, u thirr nga Dega Ushtarake Shkodër dhe u dërgua ushtar në Përmet. Ishte një kërkesë e papritur për faktin se Dom Deda ishte klerik, ishte 26 vjeç tashmë dhe ishte me shëndet të brishtë. Megjithatë, ai vendosi jo vetëm të bindej, sepse nuk kishte mundësi zgjedhjeje, por edhe të zbatonte me përpikmëri detyrat që i jepeshin, siç ia impononte kultura dhe fryma. E caktuan në detyra të ndryshme në sekretari, në zyrë të propagandës, në sport, shofer autoambulance. Më në fund, makinës që drejtonte i ndodh një defekt çfarë shkakton vonesë dhe në këtë mënyrë, sigurohet “prova” për veprimtarinë armiqësore të Dedë Maçajt, të cilën e mbështesin në dëshmitë e rreme të disa ushtarëve. Dedë Maçajn e arrestojnë më 10 mars 1947, kur ishte i shtruar në infermierinë e repartit, me grip, pavarësisht që u thotë se ishte i sëmurë dhe e mbyllin në bodrumet e errëta ku nisin ta torturojnë. E megjithatë ai nuk pranon asgjë nga akuzat e rreme që i parashtruan. Më 15 mars, e nxjerrin para një gjyqi ushtarak të sajuar ku thanë se para tyre kishin një armik të betuar të popullit, një agjent të Vatikanit, një armik të komunizmit, të dërguar të posaçëm të Papës së Romës për të përhapur panik e disfatizëm në popull dhe në Shqipëri dhe një agjent të anglo-amerikanëve.
Gjeto Turmalaj, sjell në shkrimin e vitit 2015, përmbajtjen e dokumenteve rreth atij vendimi, të nxjerra nga arkivat, nga nipi i Dedë Maçajt, i cili iu kushtua për vite me radhë zbardhjes së të vërtetës për dajën e vet, që kujto.al, po i sjell më poshtë:
PROÇES - VERBAL
Sot me date…… diten e caktuar per Gjykim trupi Gjykues formuar prej:
Kapiten i II-te Shaban Idrizi zv Kryetar.
Kapiten i II-te Jorgo Gumeni Antar.
Aspirant Loni Gusho Antar.
Tu qen present Prokurori i Gjykimit Kapiten i II-te Vangjel Kocani.
Me asistencen e Sekretarit Kapter i II-te Ziver Çamit.
V E ND O S I
Ne çeshtjen penale, te rregjistrit me numer themeltar 199
te vitit 1947;
i pandehuri Dede Gjeto Maçaj,
i biri i Gjetos dhe i Tringes vjeç 27 nga Mali Jushit dhe banues ne Sheldi prefektur e Shkodres ka mbarua 18 vjet shkolle per Prifte, duke studiua ne Teologji dhe shkolle te Larte ne Rom. Eshte me gjendje ekonomike te varfer. …Ne baze te ligjit nr. 382 mbi dispozitat e pergjitheshme Ded Gjeto Maçaj denohet me v d e k j e me pushkatim
Dëshmi
Per te quajturin Ded Gjonaj. I biri i Gjetos dhe i Tringes.
I lindur me 20 Tetor 1920 Qarku Shkoder.
I arrestuar me date 10.3.1947
Ne baze te vendimit nr.55 dat.15.3.1947 Gjykata Ushtarake Gjirokaster e ka deklaruar fajtor per krimin ..Agjitacion e propogande..dhe ne baze…te nenit 17 paragrafi 13 te ligjit Nr.41 date 14 .1. te vitit 1945, te ligjit 382 i miratuar ne vitin 1946… Denohet me vdekje dhe konfiskim te pasurise te luajtshme e te pa luajtshme persa i takon pjeses së tij.
Eshte ekzekutuar me date 28.3.1947
Kjo deshmi u leshua nga Ministria e Brendshme me Nr. protokolli 3159 me date 14.12.1995
Një vendim pa të drejtë apelimi. Një proces gjyqësor pa prova. Një krim i pastër shtetëror.
Pavarësisht datës që përmendet në dokument, Gjeto Turmalaj shkruan se Dedë Maçaj është ekzekutuar po atë ditë kur u gjykua, më 15 mars 1947, ndërsa burimet e tjera përmendin datën 28 mars, përfshirë edhe Kishën Katolike që e përkujton martirin e saj në këtë datë.
Pavarësisht ndonjë dyshimi për datën e saktë, nga pushkatimi, vjen një dëshmi e sigurt. Të pranishmit në çastin e ekzekutimit, Aleksandër Nokaj dhe Nikollë Koleci, kanë treguar se, i vendosur pranë një muri, në breg të Vjosës, ku do të pushkatohej, Dedë Maçaj nuk u rrëzua nga breshëria e parë e plumbave. Në këto rrethana të pabesueshme, disa nga ushtarët thirrën: “Është i pafaj, faleni!”. Por shumë shpejt, zërat e tyre u mbytën nga thirrjet e komunistëve: “Plumbin ballit…plumbin ballit!”. Një breshëri e dytë ose plumbat e pistoletës së komisarit të regjimentit u nisën drejt tij dhe Dom Deda ra i larë në gjak. Mbeti aty përgjithmonë. Nipi, Gjergji udhëtoi 13 herë nga Velipoja në Përmet, pas vitit 1990, për të gjetur eshtrat e dajës, por nuk pati rezultat. Vendi i repartit ushtarak, pranë të cilit ishte ekzekutuar, kishte pësuar shkatërrime dhe më vonë, aty u bënë ndërtime.
Askush nga njerëzit e përfshirë në këtë proces dhe në këtë vrasje, nuk dha llogari. A ndjenë ndonjëherë ata që fakti që Deda i falte, nuk i bënte të pafaj?!
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.