28 janari 1990, demonstrata e heshtur e Tiranës

0
1
blank

Nga jehona e ngjarjeve në Lindjen komuniste, pas demonstratave të heshtura kundër bustit të Stalinit në Shkodër, më 11 e 14 janar 1990, një tjetër e ngjashme, e heshtur u zhvillua në Tiranë ora 18.00 të datës 28.1.1990. Nga organet e kohës, nisur nga karakteri masiv i demonstratës, (mësuar rastësisht pak orë para zhvillimit të saj) u morën masat e duhura. U miratua një plan mase i posaçëm, duke vendosur forca ushtarake dhe civile në të gjitha pikat e sheshit “Skënderbej”. Këto forca ishin shpërndarë në formën e darës. Në rast të përshpejtimit të ngjarjeve, ato mund të vepronin menjëherë.

Vatrat e mundshme nga buronte “veprimtaria armiqësore” ishin kryesisht individë të punësuar në këto institutcione: kombinati i autotraktorëve, spitali nr.2, universiteti dhe kinostudio. Një ditë përpara zhvillimit të demonstratës, u ndaluan nga organet e Sigurimit 110 persona. U çel dosja e problemit të centralizuar “Pseudodemokratët”.

Ndaj të ndaluarve u zhvillua një hetuesi intensive, 6 u rekrutuan me forcë si bashkëpunëtorë të Sigurimit. Të gjithëve iu morën deklarata me shkrim me qëllim për të krahasuar shkrimin me letrat e traktet që ishin gjetur ato ditë. Operacioni nuk arriti të gjente cili ishte organizatori i demonstratës. Shumica u lirua dhe çështja u përqendrua vetëm te tre persona. Ata ishin arrestuar në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal dhe vijuan të trajtoheshin nga i njëjti nen, pavarësisht se ai ndryshoi në formulim (por nuk u hoq) nga ndryshimet e Kodit Penal në maj 1990. Përfundimisht, u gjykuan ata që ishin arrestuar para zhvillimit të demonstratës.

Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të pandehurit duke i dënuar me heqje lirie si vijon:

-Vasil Qirjako Dhimitri, me 2 vjet

-Zeqir Isuf Gollbani, me 1 vit

-Faruk Ymer Pica, me 9 muaj

U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Për njërin nga të dënuarit, gjykata vërente: “I pandehuri Vasil e kishte humbur me kohë besimin në vijën politike të partisë e të shtetit, ndërsa ngjarjet e ndodhura në Europën Lindore e nxitën atë për t’u hedhur në veprime konkrete. Në mjedise të përshtatshme i pandehuri herë pas here edhe më përpara ka folur kundër shtetit tonë socialist, duke thënë se nuk veproi drejt që nuk i hapi kufijtë për të dalë jashtë kush të dojë, pasi këtu është e vështirë të jetohet, ose shteti duhet të lejojë fenë dhe shërbimin fetar që të falen njerëz sipas dëshirës, etj”.

Faruku u lirua më 18.10.1990. Vasili dhe Zeqiri u liruan më 10.1.1991.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here