Në fillimvitin 1991, lëvizja antikomuniste ishte në kulmet e zhvillimit të vet. Etja për demokraci dhe për një kthesë të menjëhershme dhe sidomos lëvizjet e fuqishme në qytetet e mëdha, kërkonin patjetër të sfidonin dhe të hiqnin tej trashëgiminë komuniste. Pikërisht në këtë kohë, monumentet e Enver Hoxhës të përhapura në mbarë Shqipërinë në të gjitha format ishin edhe më të sulmuarat. Lëvizja antikomuniste kishte në mbështetje edhe lëvizjen sindikale. Më 15 janar 1991, në minierën e Valiasit, punonjësit u hodhën në grevë për arsye ekonomike. Një ditë më pas, partitë dhe organizatat politike, në një takim ku merrte pjesë edhe Ramiz Alia, arritën një marrëveshje, sipas së cilës grevat në vend shtyheshin deri në 1 maj 1991, për të shkuar në zgjedhjet e shtyra për më 31 mars 1991, në një atmosferë sa më të qetë.
Ndërkohë që Partia Demokratike kishte filluar mitingjet e saj, në të cilat figura e Enver Hoxhës ishte më e kritikuara, PPSH reagoi me organizimin e antimitingjeve “spontane”, si në Bajram Curri, Peshkopi, etj., në përfundim të të cilave i dërgohej nga një telegram Ramiz Alisë.
Duke ndier rrezikun e cenimit të shtatoreve e busteve të Enver Hoxhës, kryetari Ramiz Alia dhe sekretari Sihat Tozaj, nënshkruan dekretin nr.7459, datë 22.1.1991, “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe të simboleve shtetërore”, në të cilin shtoheshin edhe ato Skënderbeut, vëllezërve Frashëri, Ismail Qemalit dhe Fan Nolit. Enver Hoxha cilësohej “udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare dhe themelues i shtetit të ri shqiptar”. Këto u shpallën “monumente të paprekshme dhe mbrohen me ligj nga shteti”. Dekreti jepte ndëshkime nga 6 muaj deri në 3 vjet heqje lirie, por kur kryheshin nga një grup i organizuar personash, masa e dënimit dyfishohej.
Por reagimi ishte i madh. Fillimisht, studentët bënë një peticion të përbashkët në të cilin kërkonin çështje të prapavijës, duke i lidhur ato me një çështje të fortë politike si heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti. Peticioni i parë do ishte pikënisja kryesore e përshpejtimit të ngjarjeve në dhjetëditëshin e dytë të shkurtit. Studentët e Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, të mbledhur në një miting të organizuar në ora 9.00. datë 7.2.1991 në sheshin “Demokracia”, vendosën të përkrahnin kërkesat e Institutit të Lartë Bujqësor Kamëz, të bëhej heqja e ideologjisë në shkolla, të hiqej emri i Enver Hoxhës nga universiteti, të shfuqizohej dekreti i monumenteve.
Nga data 7 e deri më 18 shkurt 1991, në ballafaqime të ndryshme, Partia e Punës që shfaqej tashmë nëpërmjet organeve shtetërore si Këshilli i Ministrave, Presidiumi i Kuvendit Popullor, etj., nuk dha shenja kompromisi. Kjo edhe për faktin se nuk donte ta bënte të dyshonte elektoratin e vet më bindje enveristo-staliniste.
Si kundërpërgjigje, më 12 shkurt 1991 enveristët u mblodhën në Berat në një mbledhje në mbrojtje të diktaturës. Letra e tyre dërguar Ramiz Alisë u bë e njohur vetëm më 19 shkurt 1991 në “Zërin e Popullit”. Ajo ishte nënshkruar nga kryetari i Bashkimit të Veprimtarëve “Enver Hoxha”, Hysni Milloshi. Enveristët ishin mbledhur në Berat, në sallën ku ishte mbajtur mbledhja e dytë e Beratit më 23 tetor 1944, prej ku kish dalë “qeveria demokratike” e Enver Hoxhës.
Në këto kushte, 723 studentë iu drejtuan grevës së urisë. U formua një komision nismëtar i përbërë nga: Blendi Gonxhe, 20 vjeç, student i pikturës, Ritvan Peshkëpia, 26 vjeç, student i arkitekturës, Arben Lika, 24 vjeç, student i elektroteknikës, Mesila Doda, 20 vjeçe, studente e ekonomisë, Ndue Lugja, 28 vjeç, student i inxhinierisë gjeologjike, Arian Manahasa, 22 vjeç, student i arkitekturës, Ilir Dizdari, 23 vjeç, student i inxhinierisë elektrike.
Në njoftimin e bërë më 18 shkurt 1991, me rastin e fillimit të grevës së urisë, studentët theksonin se heqja e emrit ishte “kusht bazë për këtë demokraci”.
Por edhe Këshilli i Ministrave me anë të një deklarate, mbrojti figurën e Enver Hoxhës, sikurse edhe Plenumi i KQ të PPSH-së shprehu të njëjtin qëndrim.
Më 20 shkurt 1991, u shembën me protestë masive popullore monumentet e Enver Hoxhës, në Tiranë dhe në Korçë, si dhe bustet në Fier, Durrës (port), Shijak, si dhe pati orvatje për të hequr monumentin e Gjirokastrës.
Qëndrimi i Ramiz Alisë këtë kohë ishte që monumenti në Tiranë duhej të mbrohej me gjak sepse ishte “veprim fashist” ai i rrëzimit të tij.
Grumbullimi në Tiranë filloi nga ora 10.00 duke marrë drejtimin nga qyteti Studenti te Presidiumi i Kuvendit Popullor, pastaj drejtimi shkoi në sheshin “Skënderbej”. Ora 13.00, Ramiz Alia mblodhi anëtarët e Komitetit Qendror që ishin në Tiranë. Ish-drejtuesi i Sigurimit, ish-zëvendësministri, Zylyftar Ramizi thirri në sallë “O sot o kurrë mbrohet pushteti”. Ramiz Alia urdhëroi të qëllohet për mbrojtjen e monumentit. “Ju lumtë”-ia kthyen të ekzaltuar pleqtë Spiro Koleka, Haxhi Lleshi dhe Haki Toska. Kjo porosi iu dërgua ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isait, i cili duke kuptuar përgjegjësinë personale që do kishte, e refuzoi ta zbatojë. Alia mbylli mbledhjen, ndërsa Nexhmije Hoxha mezi mbante lotët.
Hekuran Isai i deklaroi edhe publikisht urdhrat e pazbatuar kur dha një intervistë për shtypin, të vetmen të dhënë prej tij në gazetën “Zëri i rinisë”, më 3 korrik 1991.
Ora 14.05 monumenti i Enver Hoxhës ra dhe me makinë ai u tërhoq zvarrë nëpër Tiranë.
Në mbrëmje të datës 20.2.1991, Ramiz Alia iu drejtua popullit me një mesazh, duke u quajtur atë ditë “nga më dramatiket e më të rënda” të turmave që donin “shkatërrimin e Shqipërisë”.
Alia lajmëroi se nga situatat “do merrte vetë drejtimin e shtetit”, se “asnjë shqiptar nuk ishte i tepërt në këto troje” (krejt tjetër nga çfarë deklaroi në mbledhjen e KQ të PPSH-së), dhe të krijonte një këshill presidencial.
Njëkohësisht, R.Alia u takua me oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Në takimin e incizuar të datës 21.2.1991, ai thotë i zemëruar: “Akti më vandal që mund të bëhej. Gjëja më e ligë që mund të bëhej. Duke hequr monumentin në sheshin e Tiranës. Gaboi policia jonë që nuk qëlloi me armë. Unë e them kështu pa asnjë hezitim. Për mendimin tim duhet të qëllonte. Sepse ata nuk janë politikanë, janë fashistë, fashizmi duhet qëlluar. Po nuk bëmë këtë nuk ka demokraci, nuk ka jetë”.
Pas rrëzimit të shtatoreve të Enver Hoxhës, ky grup enveristësh, në bashkëpunim me komitetet e Partisë së Punës në rrethe, organizuan skena sa kriminale, aq edhe të turpshme. Me buste të vegjël nga Shkolla e Bashkuar e Ushtrisë, rrethet: Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Përmet, Skrapar, Gramsh, Librazhd, Fier, Mat, Dibër, Kukës, Mirditë, Tropojë këta zhvilluan tubime në mbrojtje të figurës së E.Hoxhës.
Shqipëria kaloi në një gjendje lufte civile. Në shesh ishin gjithsej 1200 forca policie. Pas ngjarjes, pati arrestime të disa personave.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
