1990/Demonstrata e heshtur e Tiranës

0
243
blank

Pas demonstratës së heshtur të Shkodrës, së datës 14 janar 1990, brenda muajit u zhvillua një demonstratë tjetër e heshtur, më 28 janar 1990, por këtë herë në kryeqytet. Ishte protesta e parë kundër diktaturës komuniste, shenja e parë se edhe Shqipëria nuk mund të mos i bashkohej ngjarjeve në Lindje. Më 22.1.1990, në plenumin e 9-të, Ramiz Alia teksa diskutoi për çështjet e lidhjes së partisë me masat, përsosjen e përzgjedhjen e kuadrove, luftë kundër burokratizmit, revolucionarizmin e jetës së vendit e “përsosja e demokracisë socialiste”, deklaronte se në vendet e Lindjes, në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, RDGJ, blankBullgari e Rumani, “kanë ndodhur ndryshime të mëdha”, ato po “zgjeronin lidhjet me Perëndimin, sidomos në marrëdhëniet ekonomike”. Sipas tij vendet perëndimore po nxisnin ndryshimet politike në Europën Lindore, për zgjedhje të lira, pluralizëm politik, duke kërkuar “të shkatërrohet çdo gjë që mund të kujtojë socializmin”. Për të folur kundër demonstratës së 14 janarit 1990 dhe ngjarjeve në Lindjen komuniste, Ramiz Alia zgjodhi Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha” në Tiranë, shumë punëtorë të të cilit do merrnin pjesë në demonstratë disa ditë më pas.

“Këto fushata gjithnjë kanë dështuar me turp. Shqipëria jonë, për të cilën kanë luftuar e vdekur breza të tërë patriotësh, ka qëndruar kurdoherë kala e pamposhtur. Kështu do të jetë e do qëndrojë sa të jetë jeta. Le të lehin sa të duan armiqtë e Shqipërisë, karvani ynë ecën e do të ecë gjithnjë përpara”-deklaronte Alia.

Demonstrata u zhvillua ora 18.00 të datës 28 janar 1990 në sheshin “Skënderbej”. Regjimi ndërmori ndalime paraprake.

Prej ditësh në Tiranës kishte pasur fjalë për organizim demonstratash. Për këtë arsye, ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, miratoi një plan masash një ditë para zhvillimit të demonstratës, më 27 janar 1990, i cili quhej “Plan masash operativo – ushtarak për parandalimin e goditjen e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse të mundshme nga një grup personash të organizuar në qytetin e Tiranës”.

Raporti i Hetuesisë së Përgjithshme

Në raportin nr.199, datës 14.2.1990 të Hetuesisë së Përgjithshme, thuhej se më 26.1.1990 nga Sigurimi i Shtetit u ndaluan 15 persona nga Tirana (në fakt listohen 13 plus një) “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Të ndaluarit (më shumë se 24 orë) ishin:

1-Ardian Skëndo, 27 vjeç, ndihmësmjek në spitalin nr.2 (liruar më 10.2.1991)

2-Vasil Dhimitri, 36 vjeç, punëtor në kombinatin e autotraktorëve

3-Faruk Pica, 33 vjeç, punëtor

4-Zeqir Gollobani, 35 vjeç, elektricist

5-Shefki Glina, 33 vjeç, punëtor (liruar më 10.2.1991)

6-Aleksandër Budo, 35 vjeç, ndihmësmjek (liruar më 10.2.1991)

7-Nikolin Prifti, 35 vjeç, inxhinier mekanik (liruar më 10.2.1991)

8-Romir Papa, 31 vjeç, i papunë

9-Dorian Alla, 28 vjeç, infermier (liruar më 10.2.1991)

10-Ilir Duro, 29 vjeç, mekanik (liruar më 10.2.1991)

11-Enver Tomani, 38 vjeç, minator

12-Agron Llapi, 35 vjeç, punëtor (liruar më 10.2.1991)

13-Nezir Stërmasi, 53 vjeç, punëtor, tri herë i dënuar politik (liruar më 10.2.1991)

14-Bujar Gjondedaj (është harruar në pjesën e parë të raportit, liruar më 10.2.1991)

Emra të tjerë që nuk përmenden në këtë listim janë edhe:

-Eno Kapo (ndaluar vetëm më 30.1.1991)

-Agim Gora

-Agron Leka Muço, inxhinier mekanik (liruar më 10.2.1991).

Procedimi penal

blankNdonëse u ndaluan shumë persona, u procedua vetëm një numër i vogël i tyre dhe në fund u dënuan vetëm 3 veta. Më 27.1.1990 Hetuesia e Tiranës, nëpërmjet kryetarit të Hetuesisë së Tiranës, Petrit Serjani, me miratimin e prokurorit Sinan Baboçi, vendosi zgjatjen e hetimit deri më 19.5.1990, të procedimit penal kundër Vasil Dhimitrit, Zeqir Gollobanit dhe Faruk Picës, etj., si persona të dyshuar që do merrnin pjesë në demonstratën e heshtur që do zhvillohej në kryeqytet më 28 janar 1990. Përmendej fakti se hetimi kish nisur më 25.1.1990.

Aktakuza ndaj Vasil Dhimitrit, Zeqir Gollobanit dhe Faruk Picës u formulua më 19.5.1990 nga hetuesi Petrit Serjani. Pavarësisht se Vasili nuk i njihte dy të tjerët ata u akuzuan së bashku sepse pushteti nuk kishte kohë për gjyqe të posaçme.

Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar si vijon:

-Vasil Qirjako Dhimitri, lindur më 1954 në Tiranë, mekanik remonti, 2 vjet heqje lirie.

-Zeqir Isuf Gollbani, lindur më 1955 në Tiranë, mekanik, i papunë, 1 vit heqje lirie.

-Faruk Ymer Pica, lindur më 1958 në Tiranë, elektricist pranë uzinës “Dajti”, 9 muaj heqje lirie.

U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.