1989/Shkoi vizitore në Greqi; kur u kthye u dënua për agjitacion e propagandë

0
335
blank

Arrestimi dhe burgosja e një 50-vjeçareje pse kishte sjellë letra, fotografi dhe kaseta audio të të arratisurve që përshëndesnin familjarët e tyre

 

Andronika Janaq Çaçrazi, e vitlindjes 1939, lindur në Dishnicë e banuese në Korçë, nënë e katër fëmijëve, e pajisur me pasaportë të rregullt, më 25.12.1988 shkoi vizitore në Greqi (Kostur) te kushërira e saj e parë. E shoqëruar nga njerëzit e saj, ka shkuar në Korfuz te daja Kristo Kapurani, tezet Dhimitrulla Theodhori, Eleni Berati e te kushërinjtë e parë.

Në shtëpinë e kushëririt të parë të nënës, ajo kish takuar të arratisurin Kristo Zharkalliu, me të cilin ka zhvilluar bisedë dhe ka dalë në foto. Nga Kristoja ka marrë dy libra dhe foto, të cilat duhet t’ia dorëzonte motrës së Kristos, Lule Beta.

Kristoja kishte shkruar: “Me dashuri të pakufishme për çdo gjë që është bërë për mua, megjithëse dhimbja e madhe, vuajtjet, adhurimet nuk shpërblehen as edhe shlyhen me disa fjalë. Një gjë dua të theksoj: asgjë nuk ka vuajtur, humbur, sepse dashuria mbetet përgjithmonë”.

Më poshtë, Kristoja jepte vlerësim për “kontribut të pashoq” për Faik Konicën e Lumo Skëndon, të cilët gjykata i vlerësonte si “pseudoshkrimtarë” me “rol reaksionar”.

Ndërsa në shtëpinë e Vangjeli Roços, Andronika ishte takuar me të arratisurit Artur e Vasilika Sheqerxhiu, prej të cilëve kish marrë 8 kaseta e një magnetofon, në të cilat ishin incizuar një mesazh për prindërit ku thoshte se ishte mirë. Po ashtu kish marrë edhe disa foto.

Të dyja këto takime e dërgesat për familjarët, të zëna (“në flagrancë”) në doganë, ishin konsideruar agjitacion e propagandë kundër diktaturës së proletariatit. U arrestua më 1.3.1989 dhe u akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Ngjarje e pazakontë kësisoj.

Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.145, datë 16.6.1989 e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.86, datë 24.7.1989 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 20.11.1989 nga Reparti nr.318 Kosovë me dekretin nr.7338, datë 13.11.1989, “Për faljen e gjerë me rastin e 45-vjetorit të Çlirimit të atdheut”.

 

 

Shënim: Si imazh kryesor i shkrimit është njëra nga fotot që solli Andronika dhe u përdor si provë hetimore.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here