Para disa muajsh, më 1.11.2023, papritmas, ndërroi jetë në Tiranë në moshën 76 vjeçare, mjeku Pavli Pirro, ish i dënuar politik dhe ish kryetar i shoqatës së intelektualëve antikomunistë të Shqipërisë (shoqatë pak e njohur). Në vitet 1987-1989, guxoi në shkrimin e letrave anonime si dhe në hedhjen e trakteve, në një kohë kur kjo ishte shumë e vështirë. Duke qenë i vetëm, të gjitha këto i shkroi në emër të një shoqate të quajtur “organizata për çlirimin e popullit”. Ky fakt evidentohet nga gjykata në këtë përcaktim:
“Rezulton nga materialet e çështjes se i pandehuri...me detyrë mjek pediatër në qytetin e Tiranës, që nga viti 1987 e në vazhdim është vënë në pozita armiqësore kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shtetit tonë socialist, duke zhvilluar një agjitacion e propagandë me anën e fletushkave me përmbajtje të thellë armiqësore, të cilat i ka shkruar vetë dhe ua ka dërguar me zarf personave të ndryshëm apo i ka hedhur në vende të ndryshme”.
Letrat e evidentuara janë në këtë mënyrë:
-Më 23.2.1987 u dërgoi 23 letra familjarëve të Enver Hoxhës, në të cilat shfaq pikëpamjet e tij antikomuniste, duke kërkuar ndryshimin e gjendjes.
-Më 30.11.1988 dërgoi 9 letra të tjera “me përmbajtje armiqësore” për institucionet e qytetit të Tiranës dhe jashtë rrethit.
-Më 27.2.1989 hodhi 10 trakte në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Ismail Qemali”.
-Më 19.8.1989 i ka dërguar letër shoferit të Drejtorisë së Përgjithshme të Postë Telekomunikacionit.
Më 6.10.1989 i ka shitur një televizor me ngjyra një qytetari për 400 dollarë, duke u akuzua për shkelje të dispozitave të arit. Pikërisht këtë ditë u arrestua. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 77 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.34, datë 30.1.1990, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie për nenin 55/1 dhe 6 muaj për nenin 77. Televizori dhe 400 dollarët i kaluan shtetit. U la në fuqi me vendimin nr.25, datë 26.2.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
U lirua më 7.12.1990 nga Reparti nr.305 Përparim pas një dekreti amnistie.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.