Ajet Rahman Cami, lindur e banues në Viçisht, ishte vetëm 19 vjeç kur vendosi të arratisej në Jugosllavi. I vetëm e pa i thënë askujt, as familjes, më 17.2.1989 arrin të arratiset nga Trebishti në Jugosllavi. Por si edhe në shumë raste të tjera, regjimi jugosllav e ktheu në Shqipëri më 15.3.1989, ditë kur edhe u arrestua. Historia e tij është e njëllojtë si e qindra shqiptarëve të tjerë, të cilët regjimi jugosllav i kthente në mënyrë të pabesë në Shqipëri.
Në të gjitha rastet e këtij lloji, proceseve gjyqësore u jepej ngjyrë agjenturore, për t’i bërë sa më ndikuese në frenimin e tendencës së arratisjes. Edhe ndaj të riut Ajet, skema ishte e gatshme. Gjykimi i tij u bë me dyer të mbyllura. Pjesa e arsyetimit është vërtet qesharake, duke e akuzuar në bazë të nenit 47/gj, f, g, por si i vënë në shërbim të UDB-së, të asaj UDB-je që e kish rikthyer për të marrë një dënim të rëndë.
Fillimisht jepet arsyetimi se ishte nisur nga propaganda e televizioneve jugosllave, por më pas kalohet në një skenar qesharak, duke thënë se ishte nisur në Jugosllavi për arsye spiunazhi pasi kishte grumbulluar të dhëna sekrete për vendndodhjen e reparteve të ushtrisë, anëtarëve të Partisë së Punës në fshat dhe pushkatarët e po këtij fshati.
Pavarësisht se nuk posedonte asnjë sekret, i vihej akuza se kish siguruar të dhëna për 17 reparte e njësi ushtarake nga brezi kufitar, nga Bulqiza e deri në Peshkopi, si Brigada e Bulqizës, repartet e artilerisë, Valikardhës, Sopotit, Tuçepit, Tërbaçit, Cerenecit, Shupenzës, Homeshit, Burimit, Pesjakës, Melanit, një repart teknik në Zerqan, një bateri artilerie në Ramnagore, repartin e punimeve xheniere në Tërbaç, Batalionin e Tankeve në Dovolan dhe vendndodhjen e divizionit të Peshkopisë.
Këto “të dhëna” pretendohej se i kish mbledhur “nëpërmjet verifikimeve që ka bërë vetë, nëpërmjet bisedave që ka bërë me persona të ndryshëm që kanë mbaruar shërbimin ushtarak në këto reparte, siç kanë qenë vëllezërit e vet dhe disa bashkëfshatarë të tij”. Ky quhej shërbim ndaj jugosllavëve dhe po jugosllavët e kishin kthyer në Shqipëri. Pjesa më qesharake e arsyetimit të gjykatës ishte se i pandehuri nuk e kishte kryer ushtrinë, me synim për të grumbulluar të dhëna sekrete.
Gjykata Popullore e Rrethit Dibër, me vendimin nr.87, datë 11.7.1989, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 17 vjet heqje lirie, nga 20 vjet që kërkoi prokurori i çështjes. U lirua më 25.3.1991 nga Reparti nr.321 Burrel, me kusht. Cilësohej i burgosur i rrezikshëm.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.