1988/I vdekuri ditën e lirimit nga burgu

0
264
blank

Baftjar Ibrahim Xheraj, lindur në Ishëm në vitin 1933, banues në Durrës, punonte mekanik me punë në parkun hekurudhor Durrës. U arrestua më 20.9.1981, kur ishte 48 vjeç. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë kundër shtetit. Sipas gjykatës, i pandehur ishte vendosur në Durrës në vitin 1949. Në vitet 1952-1954 ai kish qenë në një kurs specializimi në Poloni për riparimin e frenave të lokomotivave e vagonëve. Me kthimin në Shqipëri, deri kur u arrestua, punoi në ndërmarrjen e hekurudhave në Durrës. Gjykata i bënte karakteristikën si “njeri me personalitet negativ e shfaqje të huaja, si tendenca e rehatisë, mungesa e shpirtit të sakrificës, përbuzja e punës, vënia e interesit personal mbi atë të përgjithshëm, tërheqja para vështirësive e shkëputje nga shokët e jeta”.

 

Citoheshin se kish zhvilluar agjitacion në vitet 1964-1981, se kish thënë se Shqipëria ishte vend i prapambetur, tregu ishte bosh, vetëm me lakra e spinaq, rrogat ishin të vogla; në Poloni kishte fabrika të mëdha, jetohej mirë, se punëtori i hekurudhës shpërblehej mirë.

 

Gjykata vërente: “Si armik i betuar i partisë e shtetit tonë, ai është munduar që nëpërmjet agjitacionit gojor jo vetëm të errësojë të vërtetën socialiste, jetën e re që lulëzon përditë në vendin tonë, por edhe të ironizojë fjalën e partisë të shprehur nëpërmjet organit të saj, gazetës “Zëri i Popullit”, në mënyrë që të ndjellë mosbesim”.

 

Akuzohej edhe se “kish shfaqur dëshirën për terror ndaj udhëheqjes”, pavarësisht se kjo nuk u vendos me ndonjë nen të Kodit Penal. “Këta e duan me automatik të gjithë kur dalin në tribunë”-ishte shprehja që ishte interpretuar si terror. Ishte thjesht një mllef sepse personi nuk kishte asnjë mundësi për një veprim të tillë, as ndërmori ndonjë hap në këtë drejtim.

 

Gjykata e Rrethit Durrës, e vendosur në parkun e mjeteve hekurudhore në Shkozet, drejtuar nga kryetari Mirjan Kapo, me pjesëmarrjen e prokurorit Aristotel Koti, me vendimin nr.97, datë 3.4.1982, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.119, datë 24.4.1982 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

 

Baftjari vdiq më 28.1.1988 në Repartin nr.305 Përparim. Në shënimin e skedës së vdekjes thuhej se vdiq nga sëmundja në mëlçi. Ajo ishte përllogaritur edhe si dita e lirimit të tij nga burgu. Për këtë arsye, i vëllai që kish ardhur për ta marrë, mori vesh se bëhej fjalë vetëm për kufomën tashmë. Komanda nuk mund ta varroste aty sepse dënimi i kish mbaruar, për këtë arsye, i thotë të vëllait të blinte një arkivol në Sarandë. Sipas dëshmisë së ish-të dënuarit Bujar Bakalli, i vëllai i Baftjarit ashtu veproi, por komanda nuk ia dha kufomën ta merrte, pasi e intepretoi se kish vdekur kur i duheshin edhe disa orë të lirohej. Ajo ia mori arkivolin, por nuk e varrosi Baftjarin me arkivol. E varrosi "në vendin e caktuar", duke e hedhur në gropë me një shishe me emër, si gjithë të dënuarit e tjerë në varrezën e fshatit. Arkivolin e mbajti komanda, e përdori si mjet transporti për të gjithë të vdekurit që erdhën më pas, pasi kampi nga varreza ishin rreth 1 km larg.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here