Kujdes: Pamje të rënda
Milaim Zyber Pira, i vitlindjes 1959, lindur e banues në Kishavec, me origjinë fshatar i mesëm, bujk në kooperativën bujqësore të Hoçishtit, tentoi të arratisej, por u arrestua më 1.5.1986. Kushëriri i tij vdiq. U akuzua në bazë të neneve 47/gj e 11/2 e 13 të Kodit Penal.
Në arsyetimin e gjykatës, thuhej se ishte me origjinë të keqe familjare, pasi babi i tij ishte dënuar në vitin 1961 “për tradhti ndaj atdheut” me 18 vjet heqje lirie. Cilësohej se ishin me Ballin Kombëtar, në lidhje me fisin e Kaloshëve dhe njiheshin si “bajraktarë e shfrytëzues”.
Midis të tjerash, në vendim thuhej: “Në caktimin e llojit e të masës së dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës së kryer, e cila drejtohet kundër raporteve të rëndësishme shoqërore që sigurojnë shtetin e diktaturës së proletariatit, Partinë e Punës së Shqipërisë, fuqinë mbrojtëse dhe sigurimin e Republikës Popullore të Shqipërisë”. As nuk e dinin që ishte Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Për t’u arratisur ishte nisur së bashku me kushëririn e tij Osman Pira. Janë nisur nga fshati Kastriot për të shkuar në fshatin Vrejt, rreth 1.5 kilometra larg kufirit. Në mëngjesin e 1 majit 1986 janë pikasur nga njësiti kufitar i postës kufitare Cerjan, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Nga kjo situatë, janë ndarë dhe kanë ikur në drejtime të ndryshme. Duke qenë terren me borë, Osman Pira bie në një humnerë dhe vdes. Në të njëjtën kohë ishte dhënë alarmi dhe fshatarët e Cerjanit dhe Bellovës iu ishin bashkëlidhur forcave kufitare.
Gjykata e Rrethit Dibër, me vendimin nr.70, datë 26.8.1986, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, nga 13 vjet, si dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.321 Burrel, në bazë të dekretit nr.7444, datë 5.1.1991 i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në foto kufoma e Osman Pirës
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.