Më 3.4.1977, në Shqipëri zhvilloheshin zgjedhjet e radhës për këshillat popullore dhe gjykatat popullore. Në këto zgjedhje, votoheshin formalisht kandidatët e listës së Frontit Demokratik, lista të cilat ishin miratuar më parë nga Partia e Punës në forumet e saj. Zgjedhësi merrte fletën dhe e fuste në kuti pa bërë asnjë ndryshim. Pasi zgjedhjet përfundonin, nga këshilltarët e zgjedhur votohej komiteti ekzekutiv i rrethit apo qytetit, bashkë me kryetarët e tyre, një listë e gatshme që vinte nga partia. Po kështu quheshin të votuar gjykatësit e rretheve, me të njëjtën listë që vinte nga partia.
Zgjedhjet në komunizëm kishin karakter të theksuar formal, por shumë të fortë propagandistik e festiv. Regjimi mobilizonte gjithë aparatin e tij në mënyrë që ajo ditë e diel të ishte sa më festive, zgjedhjet të mbaronin shpejt dhe pjesëmarrja të ishte 100%. Nuk kishin të drejtë vote të burgosurit.
Në disa raste, ditët e zgjedhjeve shikoheshin si shenjë proteste nga persona të cilët ishin të pakënaqur. Këtë ata tentonin ta shprehnin kryesisht me mospjesëmarrje. Disa të tjerë, në gjaknxehtësi edhe me veprime të guximshme të cilat mund të trajtoheshin si agjitacion e propagandë, pavarësisht se nuk e formonin figurën e krimin sipas Kodit Penal.
Daut Kanan Aliaj, i vitlindjes 1937, lindur e banues në Gorisht të Vlorës, anëtar i kooperativës bujqësore, baba i 7 fëmijëve të mitur, ishte 40 vjeç kur u arrestua më 2.4.1977 (një ditë para zgjedhjeve). U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, d.m.th. për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në proces i dolën 6 dëshmitarë. U cilësua se faji i tij kish qenë se gjatë fushatës së zgjedhjeve ishte shprehur se do të griste fletën e votimit, duke ftuar ata që e dëgjonin të mos votonin, duke hedhur fjalë kundër njerëzve që përbënin listën e Frontit Demokratik, sidomos ata nga fshati i tij. I pakënaqur ndaj emrave, e kish cilësuar Partinë e Punës si revizioniste. Për këtë shkak, duke qenë se votuesi nuk kishte të drejtë të bënte zgjedhje të tjera, i deleguari i byrosë së Komitetit të Partisë së Punës së Rrethit Vlorë, e kish ftuar të votonte në një zonë tjetër.
Gjesti se do të griste votën u cilësua “kundërrevolucionar”, ndërsa gjykata vlerësonte se me të pandehurin ishte bërë edhe “punë sqaruese”.
Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.214, datë 26.8.1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 6 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U lirua më amnisti më 15.11.1982.
Fotoja kryesore: Foto ilustruese, gjetur në Google
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.