1977/Në burg se nuk ngriti dolli për partinë dhe diktatorin

0
1
blank

Namik Mete Metohu (Qalliu), i cilësuar kulak, nga Metohu i Fierit ishte 39 vjeç kur u kallëzua penalisht nga miku që i kish ardhur në shtëpi në qershor 1977, kohë kur në fshatin e tij vijnë aksionistë për korrjen e grurit. Njëri prej tyre, Hasani, vjen e strehohet në shtëpinë e Namikut. Nuk mjaftoi që i hëngri bukën, por i kërkon të zotit të shtëpisë të ngrejë dolli për partinë dhe E.Hoxhën. Për vetë vuajtjet e jetës, Namiku nuk pranoi. Hasani e kallëzoi penalisht. Në vendim të gjykatës, kjo pjesë artikulohet kështu: “Lëshoje një çikë gotën ti mik vëllai, se në shtëpinë time as është pirë raki për partinë dhe as do të pihet sa të jetë Namiku gjallë, sepse nga kjo parti kam patur shumë të këqija, më ka pushkatuar babanë e dy vëllezërit. Nuk na trajtojnë mirë këtu në fshat, më trajtojnë të deklasuar”. Pas dy muajsh, pas kallëzimit të mikut aksionist, Namiku u  arrestua më 17.8.1977.

blank

U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal (të vjetër) se kishte folur keq për udhëheqësit e partisë e të shtetit, si dhe kishte vënë në lojë kuadro komunistë të atyshëm. Procesi ishte plotësuar edhe me elementë të tjerë agjitacioni. Në vendim thuhej:

“Krimin i pandehuri e ka kryer duke u shprehur në raste të ndryshme e me person të ndryshëm kundër pushtetit popullor, me qëllim për të minuar e dobësuar sadopak atë kundër ekonomisë socialiste dhe gjendjes në kooperativën bujqësore të fshatit të tij dhe në përgjithësi të vendit tonë, të cilën e paraqiste të keqe e të paqëndrueshme, të turbullt dhe të errët për të ardhmen”.

Gjykata i citonte shprehjet: “Sot ky vend ky marrë tatëpjetën”, “Në kohën kur kishim gjithë atë pasuri nuk jetonim kështu si sot, or shumë mirë, edhe kur nuk ishim futur në kooperativë, mirë ishim, sepse kishim tokat tona, ndërsa sot shikojmë të tjerët se çfarë do të na japin. Këtë na bëri ky pushtet që na futi në kooperativë e na varfëroi", etj..

blank

Gjykata e Rrethit të Beratit, e drejtuar nga Riza Taushani, me pjesëmarrjen e prokurorit Njazi Kurti, me vendimin nr.206, datë 6.12.1977 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.469, datë 29.12.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua nga burgu më 27.12.1985.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here