1954/70 vjet nga ekzekutimi i të dënuarve të Kampit nr.4 Tiranë

0
93
blank

Tentativa e të burgosurve të kampit pranë lumit të Lanës në Tiranë, për t'u arratisur përmes një tuneli, dështoi dhe dhjetëra të dënuar u arrestuan. Pas një seance të vetme gjyqi, me dyer të mbyllura, u dënuan dhjetëra persona, katër nga të cilët u ekzekutuan në gusht të vitit 1954 

Kampi numër 4 ishte ndër repartet e vuajtjes së dënimit të burgosurve politikë dhe ordinerë. Ky kamp ka ndërtuar banesa në qytetin e Tiranës. Kampi filloi në shtator 1953 dhe u mbyll në vitin 1967 kur ishte në Rubik duke pasur numrin 307. Kampi numër 4 grumbulloi në fillim 529 të burgosur (shumica politikë) me synimin për të ndërtuar apartamente banimi në Tiranë. Qendra e kampit ishte vendosur afër pallateve “Agimi” në Tiranë. Kampi ishte rrethuar në tela me gjemba. Të burgosurit flinin në baraka të ngulura drejt e në tokë. Të burgosurit ordinerë e politikë ishin të ndarë nga njëri – tjetri. Duke përfituar nga fakti se vendi ku flinin të dënuarit ishte drejtpërdrejt në tokë dhe nga afërsia e lumit “Lana” me kampin, i dënuari Isuf Velçani mendoi të hapnin një kanal prej rreth 8 metrash, i cili do ndihmohej nga shtrati i vjetër i Lanës në perëndim të qytetit, i cili do mundësonte arratisjen nga kampi. Të burgosurit e kishin quajtur “tuneli i lirisë”.

Sipas të dhënave edhe kontradiktore, puna për hapjen e kampit ka filluar në muajin maj 1954. Duke u nisur nga mbarimi i kohës së shirave dhe afrimi i verës, ideatori i tunelit Isuf Velçani kishte zgjedhur këtë kohë pasi dhe gërmohej lehtë e transporti bëhej më i mirë. Isufi së bashku me Haki Zeqirin kishin nisur punën për hapjen e tunelit që do zgjaste 8 metra. Niko Malo kishte qenë roje në fillimin e punimeve. Pas Isufit, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami, kishin qenë ndër mbështetësit kryesore të hapjes së kanalit.

Isuf Agolli pranonte se kishte qenë ai organizatori i hapjes së tunelit. Ai pohonte se puna në tunel kishte zgjatur rreth 40 ditë. Punohej me shumë kujdes natën ose nga të burgosur që bëheshin sikur ishin të sëmurë. Për një kohë të shkurtër u hapën rreth 8 metra e ca. Pritej vetëm dita kur të dënuarit do iknin prej andej. Pikërisht këtë ditë kampi u zbulua.

Pak kohë para se të kryhej arratisja e kur praktikisht kishte mbaruar hapja e tunelit, një grup prej disa të dënuarish zhvendosen në kampin nr.1 të Bulqizës që ishte hapur në mars 1954. Besohet se një prej të dënuarve me karakter të lëkundshëm për të fituar lehtësi dënimi ka çuar fjalë për gjendjen e hapjes së tunelit. Mirëpo për të mos u kuptuar e për të krijuar çoroditje, disa ditë përpara arrestimeve masive, përpara se të zbulohej tuneli, u arrestuan Mark Zef Pali, Kolë Pepa dhe Zyhdi Mancaku. Mundet që personi që solli lajmin nga Bulqiza të kishte pasur shoqëri apo të ketë dëgjuar diçka nga këto tre të dënuar. Më 23 qershor 1954, kanali i hapur ka qenë gati. Arrestimet e tjera u bënë më 24 qershor 1954. Komanda rrethoi gjithë kampin e filloi një kontroll të imtësishëm. Ky kontroll dështoi pasi tuneli ishte maskuar mirë. Atëherë u bë një kontroll nga ana e jashtme dhe tuneli u zbulua.

Interesant është rasti i Mark Zef Palit. I njohur si antikomunist i vendosur, ai nuk ka pranuar asnjë akuzë të bërë ndaj tij duke bërë të paditurin për gjithçka.

Më 23.6.1954, kur kampi po ndërtonte pallate buzë lumit të Lanës në Tiranë, u zbulua tuneli që kishin hapur të burgosurit . Në një prej barakave të kampit ishte gjetur një gropë e hapur 50 me 50 centimetra me thellësi 60 cm. Nga shikimi nga brenda, rezultonte se kanali ishte hapur me mjet të fortë si thikë e mistri. Brenda tunelit ishin gjetur edhe veglat e punës. Dheu ishte gjetur brenda barakës.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.189, datë 17.7.1954, me dyer të mbyllura gjykoi aktin e arratisjes së mbetur në orvatje nëpërmjet tunelit në kampi. Të pandehurit:

 

1-Isuf Riza Agolli, i vitlindjes 1914, lindur më 1914 në Velçan, dënuar më 1945 me 20 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 12.11.1945.

2-Mark Zef Pali, i vitlindjes 1917, lindur në Laç, i martuar me 3 fëmijë, i dënuar me 20 vjet burg për pjesëmarrje në organizatën Fronti i Rezistencës, Vuante dënimin prej datës 2.3.1951.

3-Zyhdi Sulejman Mancaku, i vitlindjes 1928, lindur në Ndroq e banues në Tiranë, dënuar me 18 vjet burg. Vuante dënimin prej datës 23.4.1953.

4-Emin Hasan Bakalli, i vitlindjes 1912, lindur e banues në Tiranë, elektromekanik, i martuar me 2 fëmijë, dënuar me 18 vjet burg si pjesëtar i “grupit tekniko-intelektual”. Vuante dënimin prej datës 10.11.1946.

5-Haki Zeqir Ismaili, i vitlindjes 1914, lindur në Prisonjë të Dibrës, dënuar me 20 vjet burg. Vuante dënimin prej datës 3.6.1950.

6-Besim Mehmet Latifi, i vitlindjes 1933, lindur e banues në Tiranë, i martuar me 2 fëmijë, dënuar me 13vjet burg për agjitacion e propagandë. Vuante dënimin prej datës 16.4.1953.

7-Kolë Marash Pepa, i vitlindjes 1932, lindur e banues në Plan të Dukagjinit, dënuar me 25 vjet burg. Vuante dënimin prej datës 31.7.1953.

8-Niko Kozma Malo, i vitlindjes 1914, lindur në Qeparo të Himarës, dënuar me 8 vjet burg për tentativë arratisjeje. Vuante dënimin prej datës 1.6.1954.

9-Abdulla Riza Bajrami, i vitlindjes 1928, lindur në Danilograd të Malit të Zi, banues në Shkozet të Durrësit, dënuar me 20 vjet burg, ardhur desant. Vuante dënimin prej datës 9.9.1953.

10-Feim Hysen Ymeri, i vitlindjes 1923, lindur në Strugë, dënuar me 10 vjet burg, ardhur desant. Vuante dënimin prej datës 15.9.1950.

11-Haki Qemal Kaso, i vitlindjes 1926, lindur në Gumenicë, Çamëri, banues në Durrës, i martuar me një fëmijë. Vuante dënimin prej datës 10.4.1949.

12-Abdyl Sakip Kërluku, i vitlindjes 1928, lindur e banues në Tiranë, arsimtar, dënuar me 12 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 4.8.1949.

13-Nasuf Shaban Gjilaj, i vitlindjes 1928, lindur e banues në Allabaj të Peshkopisë, dënuar me 13 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 1.6.1951.

14-Xhemal Zyber Suta, i vitlindjes 1929, lindur e banues në Krujë, dënuar me 12 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 10.9.1952.

15-Xhemal Hysen Limani, i vitlindjes 1928, lindur e banues në Ostren të Vogël Peshkopi, dënuar me 17 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 13.4.1951.

16-Nezir Selman Xhika, i vitlindjes 1918, lindur e banues në fshatin Mustafaj të Peshkopisë, dënuar me 20 vjet burg për strehim antikomunistësh. Vuante dënimin prej datës 28.10.1950.

17-Ali Hamit Çollaku, i vitlindjes 1924, lindur e banues në Fullqet të Matit, i martuar me 3 fëmijë, dënuar me 15 vjet për arratisje. Vuante dënimin prej datës 10.9.1952.

18-Stefan Vasil Gjora, lindur dhe banues në Lin të Pogradecit, i martuar me 5 fëmijë, dënuar me 10 vjet burg për strehim antikomunistësh. Vuante dënimin prej datës 4.10.1950.

19-Qani Sul Mulita, i vitlindjes 1922, lindur dhe banues në Vërzeshtë të Çorovodës, i martuar me 2 fëmijë, i dënuar 12 vjet burg për arratisje. Vuante dënimin prej datës 2.7.1953.

20-Gjelosh Nosh Rroka, i vitlindjes 1920, lindur në Salckë të Tropojës, i martuar me dy fëmijë, dënuar me 15 vjet burgim për strehim antikomunistësh. Vuante dënimin prej datës 12.5.1950.

Akuzoheshin se ishin “pjesëtarë të një organizate kriminale kundra pushtetit popullor për t’u arratisur në një shtet armik”, ndërsa Neki Zeqiri dhe Feim Ymeri akuzoheshin edhe për spiunazh.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.189, datë 17.7.1954, në një seancë të mbyllur i vlerësoi fajtorë të akuzuarit duke dënuar me pushkatim Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami. U dënuan me vdekje edhe Niko Malo, Besim Latifi, Nasuf Gjilaj, por këtyre dënimi iu kthye me burgim. Katër të parët u ekzekutuan në bazë të urdhrit nr.OY,-365 sekret, datë 12.8.1954, ora 13.00.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here